EKSKLUZIVE/ “Gati për sfidat e FIBA-s”, sekretari Llazani: Ja pse federata ka zgjedhur ‘Dhimitraq Gogën’ si shtëpinë e ekipeve kombëtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2022 | 23:08

EKSKLUZIVE/ “Gati për sfidat e FIBA-s”, sekretari Llazani: Ja pse federata ka zgjedhur ‘Dhimitraq Gogën’ si shtëpinë e ekipeve kombëtare

Muaji korrik do të jetë tejet intensiv për basketbollin shqiptar në eventet europiane të FIBA-s, duke nisur që nga Kombëtarja e të rriturve e deri te moshat. Në prag të këtyre aktiviteteve gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me Korab Llazanin, sekretarin e përgjithshëm të FSHB-së, i cili flet për pjesëmarrjen në këto veprimtari. Llazani sqaron pse pallati i sportit “Dhimitraq Goga” është kthyer në shtëpinë e ekipeve kombëtare, ndërsa gjithashtu flet për rëndësinë e angazhimit të moshave në kompeticionet ndërkombëtare. Ai përsërit edhe një herë tjetër apelin për realizimin e një ligji për sponsorizimin, duke e konsideruar si terapinë e vetme për zhvillimin e sportit.

llazani ponari

Llazani, jemi përpara një sezoni veror shumë të ngjeshur me aktivitete. Çfarë pret FSHB nga pjesëmarrja në këto evente europiane?

Jemi përpara një stinori me aktivitete ndërkombëtare shumë të ngjeshura. E fillojmë që në 3 korrik ku presim Rumaninë për të rritur në FIBA Eurobasket 2025 dhe më pas është radha për të gjitha ekipet e moshave për ta përfunduar në datë 31 korrik.

Edhe një herë tjetër keni zgjedhur pallatin e sportit ‘Dhimitraq Goga” për kombëtaren e parë. Si do ta komentoni këtë zgjedhje, që ndoshta mund të ketë krijuar disi pakënaqësi nga dashamirësit e basketbollit në kryeqytet?

Po, është e vërtetë që ndeshjet tona i zhvillojmë në “Dhimitraq Goga” dhe është po aq e vërtetë që kjo ka sjellë njëfarë vështirësie për sportdashësit e kryeqytetit siç thoni edhe ju. Por, ky kompleks, që mban edhe emrin e një legjende të basketbollit shqiptar, është kthyer tashmë në “qendrën” e grumbullimit të ekipeve tona kombëtare. Aty ne kemi pasur fatin që një anëtar i FSHB-së ka ndërtuar ketë kompleks modern dhe e vë atë në dispozicion të stërvitjes së ekipeve kombëtare pa asnjë pagesë. Për këtë meriton falënderimet tona për dashamirësinë e treguar dhe që dikush tjetër nuk e bën në Tiranë. Ai ka sallën e pajisur me aparaturat sipas kërkesave teknike dhe rregullores së lojës së basketbollit standard të FIBA-s që sallat në Tiranë nuk na e mundësojnë. Aty kemi sallën e forcës, kemi hotelin e përshtatur posaçërisht për lojtarët tonë shtatlartë. Aty kemi edhe restorantin në dispozicion vetëm të ekipeve tona. Pra, duhet të na mirëkuptojnë të gjithë dashamirësit e basketbollit, se FSHB-ja, me mundësitë financiare në dispozicion, ka bërë falë edhe bashkëpunimit me anëtarin tonë zgjedhjen më profesionale dhe me koston më të përshtatshme dhe të ulët ekonomike se në çdo ambient tjetër.

Më tej do të jetë radha e moshave, ku serinë do ta çelë ekipi U-20 i vajzave, që është shortuar në një grup me kundërshtarë shumë të fortë…

Kjo kategori do të ketë përpara skuadra të kalibrit europian dhe për hir të së vërtetës të kesh përballë skuadra si ato të Turqisë, Greqisë, Ukrainës dhe Zvicrës… konsiderohet një short i papërshtatshëm për nivelin e femrave tona. Por tashmë ne duhet që të përparojmë duke u ndeshur me çdo kundërshtar pavarësisht rezultateve, sido që të jenë ato. Ne duhet t’i inkurajojmë vajzat tona për më të mirën e mundshme.

Duke kaluar përtej rezultateve. Sa ndikon pjesëmarrja në këto evente në basketbollin e moshave?

Pjesëmarrja me të gjitha ekipet tona kombëtare në eventet europiane, ka mbartur në vetvete një kosto mjaft të lartë profesionale, financiare dhe morale për federatën tonë. Ajo është pjesë e strategjisë për krijimin e strukturave të qëndrueshme të ekipeve kombëtare të rritur/a. Fakti që kemi rinovuar totalisht skuadrën tonë kombëtare të meshkujve me lojtarët që ishin kalamajtë e parë në fillimet e këtij projekti, siç janë Lila, Taflaj, Bidini, Hysa, Strazimiri dhe duke vazhduar me Prodanin, Hajdarin dhe të tjerë. Këto janë produkt i kësaj ndërmarrjeje, e cila ka bërë që skuadrat tona të jenë tërheqëse edhe për lojtarët shqiptarë që luajnë në Greqi apo në Itali, të kërkojnë të bëhen pjesë e tyre në të gjitha grupmoshat. Posaçërisht presidenti, z.Ponari, bashkë me anëtarët e bordit jemi të bindur që rruga që po ndiqet është rruga e zhvillimit. Tani sa më shumë të investohet, aq më shpejt do të vijnë edhe rezultatet e pritshme.

Por gjithashtu kjo pjesëmarrje ka edhe kosto financiare. Si ia bëni për ta përballuar atë?

Natyrisht që e gjithë kjo veprimtari që po zhvillojmë ka një faturë financiare mjaft të kripur, të cilën deri tani e kemi mbuluar me përpjekjet dhe kontributet e bashkëpunëtorëve. Ata na janë gjendur me produktet dhe shërbimet e tyre duke na ndihmuar ndjeshëm në përmbushjen me sukses të programit tonë. Krahas tyre kemi pasur edhe kontribute personale, por baza e mbështetjes ka qenë nga fondi grant i MASR, KOKSH dhe sponsorëve të afishuar në faqen tonë zyrtare. E gjithë kjo sforco është e pamjaftueshme dhe na vendos në pozitat e qaramanëve! Prandaj, ne duhet t’i kërkojmë me forcë shtetit dhe politikës shqiptare, që të ndërhyhet në ligjin e sponsorizimit, si e vetmja alternativë dhe si e vetmja terapi që shëndosh financimin në sport, që e bën atë të ecë përpara si duhet dhe të përmbushë plotësisht misionin publik në shoqërinë tonë.

Cili është komenti juaj për projektin e sportit në shkolla. Mendoni se do t’i japë një zhvillim basketbollit kjo nismë?

T’iu them të drejtën, ne jemi një federatë me një numër modest punonjësish dhe kemi qenë dhe jemi në një valë intensive pune. Me këtë gjë po merret Komiteti Olimpik dhe dëshiroj që të ketë arritje sa më të mira në këtë nismë. Ndoshta është akoma herët të japim komente për një diçka të tillë, sepse është hera e parë që ndodh një financim i tillë që bën shteti ynë dhe duhet të urojmë dhe shpresojmë që të arrihen pritshmëritë. Ne jemi të fokusuar në dy eventet tona të rëndësishme që kemi në prag të derës, siç është Europiani i vajzave U-16 që zhvillohet në qytetin e Korçës si dhe ajo që është dhe më e madhja për ne dhe që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë “Konventa Europiane e U-14”, eveniment që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe ku do të marrin pjesë të gjitha federatat e Europës. Kjo është garantuar nga presidenti i FSHB-së z.Ponari, të cilën FIBA ia ka besuar federatës sonë dhe do të zhvillohet këtu në muajin tetor.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"