EKSKLUZIVE/ Gati “dhurata” e parë për elitën, Dinamo tenton ish-lojtarin e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2021 | 23:56

EKSKLUZIVE/ Gati “dhurata” e parë për elitën, Dinamo tenton ish-lojtarin e Kombëtares

Dinamo është vetëm 3 pikë larg Kategorisë Superiore. Mjafton vetëm një fitore me Vorën dhe ëndrra e madhe do të bëhej realitet. U bënë 9 vite që blutë përpëliten në inferiore dhe kurrë nuk kanë qenë më pranë rikthimit në “bazë”.

BAKAJ

Në klub as që e diskutojnë realizimin e këtij misioni, aq sa kanë filluar të punojnë për merkaton e sezonit 2021-2022. E para “dhuratë” që drejtuesit kanë projektuar, është ajo e Elis Bakajt. Nuk bëhet fjalë vetëm për një dëshirë, por shumë më shumë se kaq.

“Panorama Sport” mëson se klubi ka nisur zyrtarisht kontaktet me fantazistin, duke i bërë edhe ofertë konkrete. Vetë presidenti Ardian Bardhi në intervistën e parë që dha për gazetën e pati paralajmëruar se nuk do të kurseheshin për të përforcuar ekipin dhe në harkun kohor të një jave kanë filluar negociatat e para.

RIKTHIM PAS NJË DEKADE

Elis Bakaj aktualisht po aktivizohet në kampionatin bjellorus, konkretisht te Ruk Brest dhe ka lënë të hapur opsionin e rikthimit në kryeqytet. Nëse bisedimet do të mbyllen me sukses, 33- vjeçari do të rivishte fanellën e bluve pas plot 10 vitesh. Në 3 sezonet që ka luajtur me blutë, mori hov edhe karriera e tij. Duhet thënë se me “nëndetësen” ka shkëlqyer dhe fitoi titullin (të 18-in, i cili është edhe i fundit që ka marrë ky klub). Me 16 golat e realizuar dhe performancën e bërë në edicionin 2009-2010, u transferua direkt në Rumani te Dinamoja e Bukureshtit. Nëse do t’i thoshte “po” Dinamos, atëherë ai do të gjente në ekip një tjetër pjesëtar të familjes. Bëhet fjalë për djalin e xhaxhait, Edvanin.

Ky i fundit ka dhënë kontribut maksimal gjatë këtij kampionati, duke qenë një blind për katërkëndorin. Afrimi i tre investitorëve të rinj i ka kaluar në një tjetër stad kryeqytetasit. Ata nuk duan vetëm pjesëmarrjen në elitë, por edhe të lënë shenjë. Pretendimet do të jenë madhore, ndaj edhe e kanë parë të udhës që të kenë shtatshkurtrin në ekip. Një afrim i tij do të ishte një garanci më shumë për ofensivën. Jo vetëm që është një lider në fushë, por di të japë fantazi dhe mbi të gjitha të shënojë… gola.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"