EKSKLUZIVE/ “Gallatë e madhe, nuk ngjitesh se do presidentja”, shfryn ish-trajneri Bano: Bëjnë PR vetëm në rrjetet sociale, Lushnja nuk premton…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 21:28

EKSKLUZIVE/ “Gallatë e madhe, nuk ngjitesh se do presidentja”, shfryn ish-trajneri Bano: Bëjnë PR vetëm në rrjetet sociale, Lushnja nuk premton…

Tomori-Lushnja pati një spektator të veçantë në stadiumin e Beratit. Ai ishte trajneri Artan Bano, i cili i ka drejtuar që të dyja këto skuadra në periudha të ndryshme.

bano

Për 56-vjeçarin problematika që verdhejeshilët kanë është më e madhe sesa humbja e ndeshjes së parë të kampionatit. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai thekson se skuadra nuk premton dhe se ngjitja nuk arrihet vetëm se presidentja ka dëshirë.

Profesor, Lushnja e nisi kampionatin me humbje në sekondat e fundit të shtesës përballë Tomorit. Cili është opinion juaj?

Nuk është problemi që ka një rezultat negativ në nisje të kampionatit. Problemi është se ai ekip që ka Lushnja nuk premton për të ardhmen. Nuk premton për objektivat që ka, ngjitjen në Superiore ose për të dalë kampion.

Pse nuk premton?

Që të dalësh kampion duhet të kesh futbollistë shumë cilësorë. Nuk mund të marrësh një iniciativë ose të kesh një projekt. Të thuash “unë do të dal kampion”, duhet të kesh parasysh se nuk mund të dalësh i vetëm kampion, pa bashkëbiseduar me futbollistët. Janë këta të fundit që dalin kampion.

Që do të thotë?

Objektivi nuk realizohet se thotë presidenti “kam dëshirë unë që të dalim në Superiore”. Kjo nuk është punë dëshire. Është shumë e thellë. Që do të thotë, se është e gjithë “flota”. Pra, presidenca, klubi, stafi administrativ, stafi teknik, futbollistët. Bashkëpunojnë në një periudhë 30 ditore ose 60 ditore. Në fund fare shpalosin objektivin me presidentin dhe donatorët nëse ka. Por kjo nuk mund të shkojë me plane “Facebook”-u apo dëshira personale.

Ka ndonjë problem?

Ky është problemi dhe pastaj tifozët tanë zhgënjehen. Unë e kam parë ndeshjen me Tomorin. Duke pasur parasysh PR-në që i është bërë Lushnjës, shpenzimet marramendëse, që do të thotë se një ekip që shpenzon 575 milionë lekë të vjetra në vit, normalisht që pritshmëria është shumë e madhe. Duke mbajtur parasysh financën, me çfarë kanë dhënë futbollistët në fushë, lë shumë për të dëshiruar. Ky është problemi i parë i KF Lushnjës.

Ndërkohë që Lushnja e nisi kampionatin nga java e dytë, pasi stadiumi nuk ishte gati…

Çdo gjë ka qenë e gabuar. Unë nuk e di kush janë njerëzit te KF “Lushnja”, që argumentojnë se do të futen në Superiore. Çudia më e madhe është që thonë “do të marrim edhe Kupën e Shqipërisë”. Kjo është gallata më e madhe. Problemi tjetër është stadiumi.

Nuk u përgatitëm që nga fund i majit apo nga qershori për ta bërë gati. E para kjo. E dyta, ne nuk përgatitëm ekip. Nuk mundesh ta fillosh fazën përgatitore në 15 korrik dhe një ekip të bëjë 5 seanca në javë. Gjëja tjetër sipas meje, që është skandali më madh, është që Lushnja ka nevojë për futbollistë. Absolutisht si çdo ekip tjetër. Por problem është se futbollistët që kanë ardhur nuk i përmbushin kërkesat në raport me paratë që ka Lushnja. A e dini çfarë do të thotë 575 milionë lekë të vjetër në vit?

Çfarë do të thotë?

Për 10 muaj i bie 57 milionë lekë të vjetër për çdo muaj. Që do të thotë, se ekipi duhet të ishte më cilësor dhe më kompetitiv. Sipas meje, nuk është as cilësor, as kompetitiv. Unë i bëj thirrje drejtuesve që të tregohen shumë seriozë dhe korrektë. Kjo hyrja në Superiore mund të sjell një zhgënjim të madh. Dashur padashur mund ta gjejmë Lushnjën edhe një kategori më poshtë.

Rrezikohet sipas jush?

Çudia më e madhe është që mund të dalësh edhe nga kategoria. Siç kanë dalë ekipe edhe më të mira se Lushnja, si Partizani apo Elbasani. Megjithatë, kanë dalë për efekte financiare. Kur nuk ke para edhe bie, por kur ke 575 milionë lekë të vjetër për një vit kalendarik, nuk tolerohet. Të konfigurosh një ekip as mesatar dhe t’i lësh barrën kryesore 5-6 futbollistëve, për mua është absurde.

Si specialist futbolli ju çfarë sugjeroni?

Problemin duhet ta gjejë presidentja e para. Në fund të fundit ekipi mbahet me taksat e qytetarëve. Të mundohen ta riparojnë sa më shpejt dhe të marrin minimumin e dëmit deri në fund të fazës së parë. Ndërsa, në fazën e dytë, duhet urgjentisht ndërhyrje në merkato sepse situata ka për të qenë shumë e vështirë. Ky është kampionat i fortë, i vështirë dhe “bio”.

Si e shihni ju garën këtë sezon?

Nuk ka cilësi shumë të madhe si Superiorja. Por ka kontaktin, ka dëshirën, ka shumë specifika të tjera ku duhet të jesh shumë i kujdesshëm që të arrish objektivin. Nuk është e thjeshtë të arrish objektivin që ke në një kampionat me 14 skuadra. Katër ekipe dalin direkt, dy ekipe hyjnë direkt. “Play off” midis 4 skuadrave. Dy të tjera përfshihen në “play out”. Kështu që ka për të qenë një situatë shumë e vështirë për KF Lushnjën.

Çfarë duhet të japë më tepër Lushnja?

Unë e theksova që në fillim se nuk është problemi se u humb një ndeshje. Në këtë fillim, Besa, Flamurtari, Oriku kanë probleme pikësh. Në momentin që do të jenë në kulmin e tyre mund të fitojnë pesë ndeshje radhazi. Lushnja nuk e ka komoditetin të bëjë pesë ndeshje dhe të arrijë pesë fitore. Nuk ka kualitet, cilësi, nuk ka as stol. U zhgënjeva shumë edhe nga ndeshja me Tomorin, nga mënyra e administrimit.

Më kë konkretisht?

Jo nga 100% e futbollistëve, nga disa futbollistë, por edhe nga ndërrimet që nuk ishin profesionale. Në momentin që të dëmtohet një futbollist, nuk ke mundësi të luash i barabartë 11-të me 11-të. Për mua është absurditeti më i madh. Mirë që na u dëmtua një futbollist, po sikur të dëmtohej portieri me kë do të zëvendësohej?

Për mua është një mungesë profesionalizmi dhe PR funksionon vetëm nëpër rrjetet sociale. Duhet ta kapim sa më shpejt këtë situatë. Nëse konstatojmë dhe kritikojmë është për të mirën e ekipit të Lushnjës. Ekipit të zemrës sonë që nuk duhet të rrëshqasë, por të kapim që në fillim defektet dhe problemet që ka. Duhet më tepër punë dhe më pak dalje në rrjetet sociale apo TV.

Nuk shikoni një Lushnjë kampione me pak fjalë?

Nuk ka nevojë të themi që ky ekip do të dalë kampion. Ky ekip nuk del kurrë kampion. Ky ekip që është sot, por t’i marrim maksimumin. Ata që e kanë për detyrë, që kanë në dorë lekët e taksapaguesve, t’i thonë të vërtetën qytetarëve lushnjarë. Mos t’u thonë në maj “shiko këtu se ne dolëm në vendin e 10-të dhe ky është sukses i madh”. Dhe këtë sukses na e dhanë. Nuk është sukses të dalësh në vendin e 10-të me 575 milionë lekë të vjetra.

Realisht një shumë vjetore e konsiderueshme, por si e shikoni situatën në vijimësi?

Janë gati 520-530 mijë euro. Ekipi i Bylisit nuk i harxhon. Apolonia që ka sot 4 pikë, dhe që do të ikë shumë lart, nuk i harxhon. Administrojnë dhe dinë të punojnë në grup, dinë të stërviten. Nuk dalin shumë nëpër këto rrjetet sociale dhe janë me këmbë në tokë. Lushnja nuk duhet ta marrë lehtë. Lushnja është në alarm.

Është një rrezik shumë i madh. Më mirë këtë rrezik ta themi sot. Është ekipi i qytetit tonë. Nëse ky ekip bie një kategori më poshtë është hall për të gjithë ne. Nuk është vetëm hall për atë që drejton sot, që është president sot. Edhe ajo presidente që është sot, nesër ikën dhe nuk është më. Halli është për ata që kanë kontribuar për këtë qytet. Kështu që, situata nuk është shumë e këndshme.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"