EKSKLUZIVE/ “Futbolli në parainfrakt”, rrëfehet Tefik Osmani: Ja si i kaloj ditët në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2020 | 19:37

EKSKLUZIVE/ “Futbolli në parainfrakt”, rrëfehet Tefik Osmani: Ja si i kaloj ditët në shtëpi

Tefik Osmani është nga ata që dinë të flasin në fushë dhe jashtë saj. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i bardhebluve tregon, se çdo të thotë për sportistin, izolimi në shtëpi. Dy fjalë për ditët e vështira, stërvitjen, gjobat si dhe një fjali për titullin kampion.  

tefik osmani

Ditë të vështira po kalojmë, po Tefik Osmani çfarë po bën i izoluar në shtëpi?

Uroj që jo vetëm njerëzit e sportit, por gjithë shqiptarët ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë. Si të gjithë të tjerët edhe unë pranë familjes po qëndroj. Është shumë e vështirë për ne futbollistët nuk jemi mësuar të qëndrojmë këshu. Ama çdo e keqe e ka dhe një të mirë. Po  kënaqen fëmijët. Jemi çdo moment me ta dhe po e shijoj në shtëpi. I kam zhvilluar të gjithë lojërat që kam bërë fëmijë me dy çunat e mi.

Si është pa futboll, kur dihet që ke një jetë që fusha e blertë është si shtëpi e dytë?

Për ne futbollistët thonë që vdesim dy herë. Një herë kur lë sportin dhe një herë kur të vjen nga Zoti. Mendoj që ky moment tani është sikur na ka rënë parainfrak, por ne nuk jemi dorëzuar edhe kemi lëvizur, brenda orareve që ka vendosur Ministria e Shëndetësisë.

Thatë që pa futboll nuk rrihet, por në rastin më të mirë do të luhet në qershor-korrik?

Vetëm le të nisë të luhet sa më shpejt. Nuk ka rëndësi muaji. Në  Shqipëri janë kushtet në të gjitha stadiumet dhe mund të luash dhe ne orën 22:00.

Si po shkon stërvitja në kushtet e shtëpisë?

E thashë dhe më lart. Kam dalë nuk mund të rrijë një futbollist i mbyllur në shtëpi. Jam në një moshë që e kuptoj dhe vet për çfarë kam nevojë kam bërë vrapime dhe xhiro me biçikletë dhe menjëherë brenda rregullores se nuk i dihet mos më vjen ndonjë gjobë.

Po për titullin, më mirë në fushë, apo kampionati të ndalet në këtë moment?

Tiranën me sa e njoh unë nuk do të kenaqej asnjëherë me titullin në tavolinë. Por edhe po të vendosej kështu mendoj që e meriton. Me 9 pikë përpara nuk do të kundërshtonte njeri.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"