EKSKLUZIVE/ “Futbolli është i pamëshirshëm”, Torasa flet pas eliminimit nga Crvena Zvezda: Rasti i Kobinës fatal, ja çfarë i thashë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2020 | 23:35

EKSKLUZIVE/ “Futbolli është i pamëshirshëm”, Torasa flet pas eliminimit nga Crvena Zvezda: Rasti i Kobinës fatal, ja çfarë i thashë

Agustin Torasa ish-te lojtari më i mirë i ndeshjes në sfidën me Crvenën. Argjentinasi në të dyja takimet e Champions-it ka shkëlqyer, duke shënuar një gol në Tbilisi, ndërsa në Tiranë truri i skuadrës. Për “Panorama Sport”, lojtari pranoi se ndeshja duhej të fitohej nga Tirana, ndërkohë që bardheblutë duhet të ishin kualifikuar. Gjithsesi, në fund, argjentinasi pranon se tani qëllimi është për të luajtur në Europa League.
Torasa

Tirana u mund, por kishte katër raste për gol. Një ndeshje që ju djeg shumë në fund?

Po, është e vërtetë. Jemi shumë të trishtuar për rezultatin që morëm me Zvezdën. Gjithsesi, ne dhamë gjithçka në fushën e lojës. Bëmë një ndeshje të madhe. Luftuam deri në fund, deri në sekondën e fundit të lojës. Nuk kemi ç’të bëjmë më shumë. Ky është futbolli. I pamëshirshëm. Në asnjë rast nuk e meritonim ta humbisnim këtë takim. Realitetin duhet ta pranojmë. Humbja ishte një nga opsionet dhe nuk ka kthim pas. Nuk na mbetet veçse të shohim përpara. Kemi ndeshje shumë të vështira përpara, duke filluar nga Superkupa e me radhë.
Tirana Crvena

Ju vjen keq që Tirana do të luajë në Europa League, ndërsa Crvena do të luajë në grupet e Champions-it apo Europa League?

Kjo është ajo që më vjen më shumë keq, por siç e thashë më lart, ky është futbolli. Rastin që kishim, duhet ta kishim shfrytëzuar në maksimum. Ashtu si dhe shanset për gol. Në këto lloj ndeshjesh nuk mund të gabosh, sepse kundërshtarët kanë lojtarë të mirë dhe kjo u pa në fushën e lojës. Na mundën me një goditje këndi. Më vjen shumë keq që humbëm në atë mënyrë. Gjithsesi, jeta vazhdon, por më djeg se u eliminuam në këtë mënyrë. Lamë një imazh të mirë në fushën e lojës. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi, në krah të këtyre lojtarëve që ka Tirana.

Për të shkuar edhe ju në grupet e Europa League, keni edhe dy shanse të tjera. Besoj se nuk do të shpërdoroni?

Nuk i kemi mbaruar mundësitë tona në ndeshjet europiane. Kemi shumë besim te vetja. Me këto dy ndeshje që kemi luajtur në Europë, treguam gjëra të mëdha. Ndihemi shumë mirë, ndonëse jemi jashtë Champions-it. Gjithsesi, nuk ikim me pishmane, sepse në fushë ne dhamë gjithçka.

Për cilin nga rastet që humbët ju vjen keq më shumë në fund të këtij 90- minutëshi?

Ndoshta për rastin e humbur të Kobit. Ata pas atij rasti shënuan gol, por kjo mbetet aty. I thashë edhe Kobinës në dhomat e zhveshjeve. Kur fitojmë, jemi të gjithë te fitorja, kur humbasim, humbasim të gjithë dhe bashkëfajtorë. Nuk ishte vetëm i tiji që humbëm këtë ndeshje. Ai është një grand lojtar dhe kemi nevojë për të.

Si ishte gjendja në dhomat e zhveshjeve pas asaj humbjeje?

Sigurisht shumë e rëndë. Shumë e trishtuar. Askujt nuk i pëlqen të humbasë, por duke u parë në sy me njëritjetrin, them se ne kemi bërë tonën dhe do të bëjmë gjëra të mëdha në të ardhmen. Kjo më qetëson më shumë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"