EKSKLUZIVE/ Flet trajneri Stërmasi: Askush si Luiza, ja sekretet e suksesit tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2022 | 22:27

EKSKLUZIVE/ Flet trajneri Stërmasi: Askush si Luiza, ja sekretet e suksesit tonë

Luiza Gega dhe Taulant Stërmasi mund të konsiderohen pa diskutim si binomi perfekt në sport. Në njërën anë një sportiste e palodhur dhe në krahun tjetër një trajner shumë kërkues dhe inovator. Të dy plotësojnë njëri-tjetrin, duke u rritur paralelisht në rrugëtimin e tyre të gjatë në sport, të shoqëruar me rezultatet historike për Shqipërinë, të cilat kulmuan me medaljen e artë të Luizës në Mynih. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Stërmasi rrëfen me detaje finalen magjike të Europianit dhe çelësin e suksesit të Gegës.

Taulant Stermasi - Luiza Gega

Taulant, si ndiheni që kurorëzoni punën tuaj me këtë rezultat historik, siç është medalja e artë dhe rekordi i Europianit?
Sigurisht që e ndjej veten me shumë fat për arritjet dhe medaljet e këtij sezoni fantastik, por edhe të të gjitha viteve të karrierës që kam në sport. Janë rezultatet historike për Shqipërinë dhe më vjen mirë që unë jam pjesë e kësaj historie. Vetëm këtë vit Luiza ka thyer trI rekorde Ballkani, rekord Mesdheu, rekord kampionati Europian, që nuk i ka arritur asnjë shqiptar. Që ditën e parë që kam filluar sportin, e kam menduar se nëse do të bëj diçka do ta bëj shumë herë më mirë sesa është bërë më parë. Fatkeqësisht sporti në Shqipëri, sidomos për trajnerët, është i keqpaguar dhe trajnerët e bëjnë këtë jo për punë, por për pasion të madh.

Na tregoni pak për emocionet e garës finale, çfarë i thoshit Luizës?
Garën e kemi përgatitur që kur jemi kthyer nga Oregoni dhe e dinim se kush do të ishin kundërshtaret. Duke i njohur rivalet, bëmë një plan gare taktik, me të cilin do të “vrisnim” garën. Jemi munduar që të vrapojmë shpejt në fillim. Kundërshtaret do ta kishin të vështirë për ta ndjekur dhe kështu ndodhi në fakt. Unë qëndroja në një pozicion ku ajo më dëgjonte gjatë të gjithë garës dhe merrte komandat e mia, por taktikisht po vraponte shumë mirë. I kam folur shumë, por asnjëherë për të ndryshuar diçka, sepse çdo gjë po shkonte siç duhej.

Ishte një garë e komanduar që nga starti…
Ajo ishte edhe ideja jonë. Luiza mbajti një ritëm që në fakt vetëm 3- 4 sportiste në Botë mund ta mbajnë, të cilat janë vetëm afrikane. Gabimi që bënë kundërshtaret, ishte se ato ndoqën verbërisht Luizën, duke pasur frikën se mos do të ikte shumë. Për fat, por jo vetëm, pasi ne jemi stërvitur shumë për këtë pjesë, Luiza vazhdonte të ishte shumë e freskët edhe në finish.

Çfarë e bën të veçantë Luiza Gegën?
Luiza është një punëtore e madhe, është sportiste elitare jo vetëm në rezultate, por edhe në kokë. Ajo e di çfarë do dhe kur e do. Kur ka këtë fokusin e madh për të kërkuar diçka, sigurisht që ka edhe egon e madhe për të dëgjuar trajnerin për çdo gjë që i them, pavarësisht se ne kemi diskutimet tona të përhershme, sepse Luiza është në një pikë që kupton shumë herë më mirë sesa kuptonte 5-6 vite më përpara. Luiza e ka ndjesinë shumë të mirë të vetes.

Cilat janë risitë që keni futur për sa u përket përgatitjeve?
Për fat prej dy vitesh unë kam futur disa pajisje të reja testimesh për Luizën. Pajisjen e laktatit, qoftë edhe disa pajisje të tjera, që unë i aplikoj për të kontrolluar lodhjen herë pas here dhe këtu bëjmë diferencën e madhe. Luiza, edhe kur ka dëshirën e madhe për të vazhduar stërvitjen, na e mbush mendjen të dyve që në ca raste intensiteti i stërvitjes duhet të ulet, sepse trupi nuk po e pranon, pra kjo bën rregullatorin.

Gega

Ndërkohë, edhe regjimi është strikt apo jo…?
Luiza, jo vetëm që është një punëtore e madhe, por mban regjim të frikshëm gjatë gjithë kohës, pra fle me regjim, ushqehet me regjim, gjithë kohës bën terapi për t’u rikuperuar dhe qetësuar, që të nesërmen të jetë më e freskët. Nuk ka asnjë ditë pushim dhe të gjitha këto e bëjnë Luizën të arrijë këto rezultate gjatë të gjithë vitit, konstante, nga medalja në medalje dhe nga rekordi në rekord. Luiza sapo mbaron garën, bën “refresh” dhe kthehet përsëri në stadium për të vazhduar përgatitjet për garën tjetër. Festa mbaroi, dje iu gëzuam ceremonisë së medaljeve, por duke vazhduar punën.

Ndërkohë, bashkë me Luizën ia keni dalë të triumfoni edhe mbi vështirësitë dhe hallet që ju ofron realiteti i sportit në Shqipëri…
Kur e kam filluar sportin, ashtu sikurse kur e ka nisur edhe Luiza, e kemi menduar mirë se çfarë po bëjmë. Këtë e bëj me të gjithë sportistët, jo vetëm me Luizën. Nuk do të pyesim për vështirësitë dhe do të bëjmë sport me këto mundësi që kemi. Unë personalisht jam munduar si trajner që t’u jap maksimumin e mundësive sportistëve. Pra, kam bërë një shtëpi në Dardhë, për ta pasur ekipin të grumbulluar në fresk në periudhë vere, stërvitemi në Korçë, shkojmë sa më shpesh në Elbasan me makinë, gjë që nuk e bën asnjë trajner tjetër.

Një pjesë shumë e rëndësishme është edhe shmangia e dëmtimeve, gjë të cilën e keni realizuar mjaft mirë…
Luiza ka dy vite që nuk ka dëmtime. Sigurisht që këto janë disa gjëra që nuk duhet të vijnë nga trajneri, por nga fizetorapistët, por ne s’kemi çfarë të bëjmë, ta lëmë sportin?! Kështu që jam mundur vetë që bëj fizioterapistin, të bëj mësoj për këtë fushë dhe të jem më i kujdesshëm te pjesa e rikuperimit të sportistëve të mi. Jam munduar që të bëj më shumë ushtime streçingu, në mënyrë që t’i evitojmë dëmtimet. Pra, në punën tonë ka një objektiv, për t’u bërë më të mirë sesa kemi qenë një ditë, një muaj dhe një vit përpara.

Cilët janë objektivat e radhës?
Kemi dy vite shumë të rëndësishme, në 2023-shin kemi Botërorin që bëhet në gusht në Hungari, ndërsa kulmi do të jetë Olimpiada në vitin 2024, ky synojmë surprizën e madhe, bashkë me Europianin, ku do të shkojmë për të ruajtur fronin e kampionit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"