EKSKLUZIVE/ Flet “Ozili” i kuq, Maget: Ende nuk e keni parë futbollin tim! Ngremë titullin, Vllaznia më e vështira (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2023 | 23:24

EKSKLUZIVE/ Flet “Ozili” i kuq, Maget: Ende nuk e keni parë futbollin tim! Ngremë titullin, Vllaznia më e vështira (E PLOTË)

Maget Gueje është një nga talentet, nga të cilët Partizani shpreson që të përfitojë në të ardhmen. Këtë sezon ai e nisi ngadalë, por më kalimin e kohës arriti të fitojë besimin e Kolelës dhe herë pas here i nis ndeshjet nga minuta e parë, siç bëri edhe në derbi, ku zhvilloi një paraqitje të mirë.

mahet

Senegalezi ka arritur të gjejë edhe rrugën e rrjetës në këtë sezon. Gjithsesi, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, 20- vjeçari tregon se nuk është i kënaqur për atë që ka bërë në këtë sezon dhe kërkon të luajë më shumë. Ai shton se ende nuk e ka treguar futbollin e tij dhe për këtë kanë ndikuar edhe minutat. Mesfushori ka besim se Partizani fiton titullin, teksa “driblon” Tiranën kur pyetet për rivalin më të vështirë.

Keni dy vite në Shqipëri, si ju duket Tirana?

Po, ky është viti im i dytë këtu në Tiranë. Në këtë qytet mund të gjej gjithçka që më nevojitet dhe mund të them se është një qytet mjaft i bukur.

Ju jeni lojtar i ri. Jeni i lumtur me këtë që po bëni te Partizani?

Po, është e vërtetë që jam një lojtar i ri, por duke marrë shkas nga pyetja juaj gjej rastin të përshëndes trajnerin Ilir Daja, sepse ishte ai që më dha mundësinë të luaj për Partizanin. Gjithashtu ndiej mirënjohje edhe për drejtorin Olsi Rama.

Nuk dua të fshihem, nuk jam i kënaqur me atë që kam bërë në këtë sezon, sepse një lojtar duhet t’i luajë të gjitha ndeshjet si titullar ose të paktën të ketë më shumë minuta në dispozicion për të treguar veten. Unë ende nuk kam arritur ta bëj këtë te Partizani, ende nuk e kam treguar futbollin tim, por nëse trajneri më jep 5 apo 10 minuta kohë në fushë, unë do të bëj maksimumin, sepse në fund të fundit ky është futbolli.

Sa emocionuese është të luani në derbin e kryeqytetit?

Është një emocion i madh, shumë bukur. Ndeshja ime e parë ishte në sezonin e kaluar. E humbëm, shënuam një gol me penallti, por nuk ia dolëm në fund. U aktivizova në pjesën e dytë, por pa dyshim që të luash në një derbi është shumë e veçantë, pasi ka një atmosferë krejt ndryshe në krahasim me ndeshjet e tjera, si për shembull Partizani-Kastrioti apo Tirana-Laçi. Përballjen e fundit unë e nisa i pozicionuar në krah, por Zoti deshi që ne të fitonim 2- 0. Jam shumë i kënaqur që isha pjesë e kësaj ndeshjeje.

U ndëshkuat me karton të kuq ndaj Erzenit, por fatmirësisht fituat. Çfarë ju tha Kolela pas ndeshjes?

(Qesh) Kartoni i kuq është pjesë e lojës, por nuk kishte asgjë serioze pas ndeshjes, pasi kështu e ka futbolli. Trajneri nuk më tha asgjë atë ditë, por të nesërmen në stërvitje ma përmendi me shaka për faktin që u ndëshkova brenda 5 minutash dhe gjithçka u mbyll aty. Ai është një trajner shumë i mirë, më ndihmon shumë në pozicionim dhe më pëlqen fakti që ka besim te të gjithë lojtarët.

Ka ndryshuar mendimi pas dëshirës për t’u larguar në verë? Doni të qëndroni te Partizanin sezonin tjetër?

Për momentin nuk dua të flas për këtë çështje. Do të përqendrohem në pjesën e mbetur të sezonit, për ta mbyllur në mënyrën më të mirë, me titullin kampion. Më pas do të shohim.

Keni besim se mund të dilni kampion këtë sezon?

Po, pse jo. Partizani është një klub i madh dhe kemi një skuadër shumë të mirë, gjithashtu në këtë moment jemi të parët falë përballjeve direkte. Shpresojmë që të vazhdojë kështu deri në fund të sezonit.

Kush është rivali më i vështirë që jeni përballur në këtë sezon?

Në këtë moment do të thosha Vllaznia, sepse ndeshjet me ta janë shumë të vështira.

Luani ndeshjen e radhës ndaj Teutës. E prisni të vështirë?

Të gjitha ndeshjet që kanë mbetur do të jenë shumë të vështira, sepse në janar Teuta e ka rindërtuar ekipin dhe është bërë më e rrezikshme. Ata tashmë kërkojnë t’i afrohen sa më shumë vendeve të Europës, prandaj them se na pret një ndeshje shumë e vështirë. Por kam besim se ne do të marrim tri pikët në këtë transfertë.

Kush është pozicioni juaj i preferuar?

Dua të luaj në mesfushë. Jam mesfushor me tipare sulmuese. Në Afrikë, trajneri që kisha atje më ka pozicionuar edhe si mesfushor defensiv dhe mbrojtës i majtë. Por nëse trajneri Kolela vendos të më pozicionojë në një tjetër rol, jam gati të luaj për të ndihmuar ekipin.

Keni mësuar ndonjë fjalë shqip?

(Qesh) Po, di disa fjalë si: Mirëdita, më falni, a jeni mirë?

Me cilin prej shokëve të ekipit shpenzoni më shumë kohë?

Më parë kaloja shumë kohë me Sembenen dhe Kullajn, ndërsa tani më së shumti qëndroj me Sembenen, Masangën dhe Mensah.

Kush është idhulli juaj?

Që fëmijë kam adhuruar Mesin dhe De Bruyne, por kur nisa të luaja futboll, njerëzit më quanin “Ozil”, kështu që mund të them se tani idhull kam Ozilin.

DENIS LALA– PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"