EKSKLUZIVE/ “Flas shpesh me Belicën dhe Malën, do t’i mund”, Esin Hakaj: Partizani mbetet i fortë, por as barazimi s’na kënaq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 21:24

EKSKLUZIVE/ “Flas shpesh me Belicën dhe Malën, do t’i mund”, Esin Hakaj: Partizani mbetet i fortë, por as barazimi s’na kënaq

Esin Hakaj rikthehet si kundërshtar ndaj Parti zanit. Mbrojtësi i majtë sfidon të dielën ish-ekipin, tashmë si pjesë e Vllaznisë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari flet në prag të ndeshjes, ku sipas tij, skuadrën shkodrane nuk do ta kënaqte as barazimi. Hakaj tregon edhe për raportin special që ka me lojtarët e kuq.

hakaj gurishta vllaznia

Esin, së pari çfarë ndodhi në ndeshjen kundër Teutës, ku ishit me një lojtar më shumë, por në fund nuk fituat dot?

Në ndeshjen me Teutën mendoj se u shpërqendruam disi pasi po kërkonim golin e dytë, që do të ishte i sigurisë. Megjithatë, ky është futbolli dhe këto gjëra ndodhin. Nuk duhet ta mbajmë mendjen te kjo ndeshje, por të shohim përpara sepse kampionati sapo ka filluar.

Ka pasur kritika për mënyrën se si mbron skuadra, por më së shumti për golat e pësuar në këto dy ndeshje të para. Ju si mendoni, çfarë nuk ka shkuar në këtë aspekt?

Për çdo gabim ka kritika. Normalisht, jemi duke u munduar për t’i korrigjuar këto gabime që të bëjmë më të mirën në vazhdimësi. Nuk duhet ta dramatizojmë këtë situatë. Të dielën luani kundër Partizanit, një ekip që ju keni lënë gjurmë.

Si e prisni këtë ndeshje?

Do të jetë një ndeshje e fortë sepse të dy ekipet kanë objektivat e tyre dhe duan pikët e plota. Ne do të shkojmë për të marrë më të mirën. Tashmë jam pjesë e Vllaznisë dhe mendoj vetëm për fitoren.

Fakti që Partizani nuk ka marrë asnjë fitore deri më tani e bën edhe më të vështirë këtë përballje për ju?

Çdo ndeshje është e vështirë këtë kampionat. Nuk ka ekip të lehtë sepse të gjithë të vënë në vështirësi. Prandaj, dua të them se kjo është një përballje rivalësh, që s’ka lidhje fare me ndeshjet që kemi bërë ne apo Partizani deri më tani.

Do t’ju kënaqte edhe një barazim në këtë sfidë?

Ne futemi në fushë gjithmonë për pikët maksimale. Asnjë rezultat tjetër nuk na kënaq.

Me cilët nga lojtarët e Partizanit ruani ende kontakte dhe a ju kanë ngacmuar para kësaj sfide?

Te Partizani pothuajse i kam të gjithë miq, por më shumë kontakte kam me Egzon Belicën dhe Esat Malën. Nuk kemi pasur ngacmime ende për këtë ndeshje.

Kujt i druheni më shumë te Partizani?

Nuk është se mund të specifikoj ndonjë lojtarë. Të gjithë janë të mirë dhe japin maksimumin.

Mund të keni përballë Malën, si e shikoni këtë duel?

Është një lojtar shumë i mirë. Normalisht në fushë çdo kush lufton për veten dhe për ekipin ku bën pjesë. Unë do të kërkoj të fitoj me Vllazninë, ashtu siç do të kërkojë edhe Esati me Partizanin. Ndërsa jashtë fushe jemi shumë shokë.

Duke njohur edhe rivalët, ku e shikoni Vllazninë në fund të sezonit?

Është ende herët për të folur. Është një rrugëtim i gjatë…

Mendoni se e keni ekipin e duhur për të bërë diferencën në luftën për titull?

Në këto dy ndeshje të para Vllaznia ka bërë diferencën në lojë dhe gjithçka. Ishalla vazhdojmë kështu dhe të rritemi në lojën tonë.

Është ky sezoni i duhur që të shpalleni kampion me Vllazninë?

Do të luftojmë deri në fund për ta bërë realitet këtë ëndërr, do të ishte diçka shumë e veçantë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"