EKSKLUZIVE/ Flamurtarit u “shpohet thesi”, premio dhe rroga shtesë për fitimin e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2022 | 8:25

EKSKLUZIVE/ Flamurtarit u “shpohet thesi”, premio dhe rroga shtesë për fitimin e…

Në Vlorë nuk po përmbahen. Sikur të mos mjaftonte shpërblimi që shpërndanë pak ditë më parë për ngjitjen në Kategorinë e Parë, një tjetër po bëhet gati.

FLAMURTARI

Flamurtari do të akordojë 10 milionë lekë (të vjetër) për fitimin e kupës.

Sinan Idrizi do me çdo kusht që skuadra të ngjitet si kampione, ndaj edhe ka menduar që të karikojë në këtë formë futbollistët.

“Panorama Sport” mëson se nuk do ta lërë me 10-milionëshin që do të ndahet mes gjithë grupit (sipas llogaritjeve, çdo lojtar do të marrë 500 ose 600 mijë lekë të vjetër).

Nëse do të mposhtin të dielën Luzin në “Selman Stërmasi”, futbollistët do të marrin edhe tri rroga shtesë secili. Pra, një trofe do të vlejë miliona për ta.

Situata aktualisht është pozitive në drejtim të pagesave. Ata kanë pa marrë vetëm muajin prill, që me shumë mundësi do të derdhet sot në llogaritë e tyre dhe nëse marrin kupës e së Dytës, do t’u shtohet një shpërblim edhe tri paga ekstra.

ADMINISTRATORI

Sinan Idrizi ka zhvilluar ditët e fundit një mbledhje me skuadrën dhe stafin teknik. Kreu i klubit u ka konfirmuar edhe premion prej 10 milion lekë lojtarëve, gjatë takimit që pati.

“Fitoni kupën e kategorisë dhe keni 10 milionë lekë shpërblim. Po ashtu do të merrni edhe tri rroga shtesë”, ka qenë premtimi i Idrizit. Ky i fundit i ka falënderuar lojtarët për ngjitjen në të Parën, ndërsa ka konfirmuar ruajtjen e grupit:

“Ju falënderoj për çfarë dhatë dhe ju jam mirënjohës, pasi keni respektuar fanellën më shumë se çdokush tjetër. Do ta vazhdojmë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

Ju inkurajoj të bëni maksimumin edhe në ndeshjen e fundit që mbetet dhe të merrni edhe trofeun tjetër. Pastaj do të ulemi për të diskutuar gjerë e gjatë për vazhdimësinë si dhe për objektivin që na mbetet përpara, kalimin në Superiore”.

FLAMURTARI

SUPERPREMIO

Pas sigurimit të ringjitjes në Kategorinë e Parë, Sinan Idrizi “kënaqi” lojtarët duke u dhënë titullarëve nga 5 milionë lekë secili, si dhe lojtarëve të stolit 3 milionë lekë. Burime pranë klubit konfirmojnë për gazetën se kjo premio tashmë është shpërndarë te të gjithë futbollistët.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"