EKSKLUZIVE/ “Flamurtarit ia rrahën lojtarët në shesh, Seferi tregon përralla për Tiranën”, Hito Hitaj: Kur Vllaznia fitonte titullin se ia la ndeshjen Lushnja..

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Prill 4, 2020 | 0:20


EKSKLUZIVE/ “Flamurtarit ia rrahën lojtarët në shesh, Seferi tregon përralla për Tiranën”, Hito Hitaj: Kur Vllaznia fitonte titullin se ia la ndeshjen Lushnja..

Hito Hitaj është marrë një jetë me futboll, qoftë si trajner, por gjithashtu edhe si drejtues në FSHF. Sot 73-vjeçari po shijon pensionin, por nuk mund të shmanget aq kollaj nga aktualiteti. Ish-trajneri legjendar i Luftëtarit dhe krahu i djathtë i Neptun Bajkos në Kombëtaren shqiptare tri dekada më parë, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka vendosur të komentojë disa nga temat më të nxehta të futbollin shqiptar sot, por jo vetëm. Si një ish-shef i sektorit të garave në FSHF, jep propozimin e tij se si duhet të vazhdojë kampionati, si dhe arsyet pse nuk duhen shtuar skuadrat për sezonin tjetër. Nuk mund të mungojë opinioni i tij për atë që ka ndodhur në vitet 1996-1997 mes Tiranës dhe Flamurtarit apo edhe sezonin 1999-2000 që shkoi në një ndeshje finale. Nga rregullorja e shumë kontestuar dhe deri tek akuzat e ish-presidentit të Flamurtarit, Shkëlqim Selami apo atij të Tiranës, Metush Seferi. Hitaj ka për të gjithë, madje edhe për Vllazninë në sezonin 1978-1979, që i rrëmbeu titullin Luftëtarit të brezit të artë të Brahos & CO…
plaku tullac
Profesor, së pari si jeni me shëndet?
Mirë të themi… Dal pak jashtë sa për të marrë ajër dhe më pas në shtëpi, duke zbatuar këshillat e mjekëve. Është diçka e pazakontë. Unë jam 73 vjeç dhe nuk e kam përjetuar ndonjëherë këtë.

Mbani mend ndonjë rast tjetër nga eksperienca juaj që kampionati të jetë ndërprerë kaq gjatë për një forcë madhore apo si në vitin 1997…?
Jo, sinqerisht asnjë rast të tillë nuk mbaj mend. Madje edhe ajo që u bë në vitin 1997 ishte një formë jo e rregullt dhe në kurriz të disa ekipeve, por që duhej bërë sepse ngelej njollë në histori nëse kampionati nuk do të përfundonte.

Mendoni se FSHF nuk duhet të vendosë një kampionat në tavolinë pa u ezaruar javët e plota në fushë…?
Jo, s’mund të jepet kampionati në tavolinë. Si mund të japësh titullin tani?! Do të ishte gjëja më absurde e mundshme, e padrejtë dhe e pandershme. Edhe për këtë sezon jam i mendimit se kampionati duhet të mbyllet patjetër, natyrisht pasi të qetësohet situata. Nëse nuk mbyllet, do të mbetet si njollë e zezë në historikun e futbollit shqiptar. Në një formë apo në një tjetër, ky kampionat duhet luajtur deri në fund. Edhe sikur në qershor të luhet, duhet të vazhdojë normalisht dhe të ezaurohet gjithçka në fushë. Mund të cenohet përbërje apo forma e ekipeve dhe rezultatet ndoshta nuk do të jenë siç mund të ishin tani, por ama kampionati duhet të mbyllet. Kjo është shumë e rëndësishme, pra të mbyllet në fushë edhe pse mund të shkojë ndoshta deri në shtator. Qoftë me të meta apo pa cilësi, ky sezon nuk duhet t’i japë verdiktet në tavolinë. Nuk mund të konfirmosh në këtë moment Tiranën kampione dhe Gjirokastrën dhe Vlorën të dalë nga kategoria. Përshembull vendi i tretë momentalisht mund të dalë në të dytin. Nuk e privon dot, prandaj dhe duhen zhvilluar ndeshjet.

lufe

Ju besoni se mund të ketë ndryshime të rëndësishme në renditje pas rifillimit…
Për mua Tirana e ka të marrë kampionatin, pasi është shkëputur jo pak. Këtu bëhet fjalë për pjesëmarrjen në Europë, pra skuadrat që do të kapin zonën e UEFA-s. Kampionati ynë ka pak të panjohura, kështu që më tepër lufta do jetë për vendet 2, 3 dhe 4. Ndoshta edhe vendi i tetë do ketë garë të fortë…

OK kampionati që duhet mbyllur, por si e shikon zgjidhjen për Kupën e Shqipërisë apo “play-out”-in e vendit të tetë në Superiore me ekipin fitues të “play-off”-it të Kategorisë së Parë…?
Faktikisht më bën habi fakti që kanë futur këtë vit vendin e tetë për “play-out”. Kjo shton telashet e garës dhe dhunën në sport. Në sistemin me 10 ekipe kam qenë unë i pari që kam insistuar dhe më pas është futur në garë, por ideale është të bien dy direkt dhe të vijnë po kaq nga Kategoria e Parë, jo të ketë “play-out”. Të tjerat më duken veprime oportune dhe kompromisi që bëhen në momente të veçanta për individë të veçantë. Të futësh në “play-out” të tretën nga fundi nuk më duket normale. Sa i përket Kupës, edhe ajo duhet të shkojë deri në fund. Edhe kjo që dëgjova së fundmi me ndeshje teke s’ka kuptim. Duhet të respektohet sistemi. E përsëris, edhe me mangësi, ky kampionat dhe kjo Kupë duhet të zhvillohet e plotë në kuptimin numerik të ndeshjeve.
dukaHitaj dhe ish-lojtari Artur Angoni

Në këtë gjendje të jashtëzakonshme, pret që FSHF të ndryshojë strukturën për sezonin tjetër apo e sheh si të pamundur një variant të tillë…?
Struktura nuk është një dëshirë, siç e trajtojnë sot njerëz të ndryshëm, por mënyra e organizimit të aktivitetit mbi bazën e një studimi. Kemi bërë një studim të veçantë disa vite më parë kur isha përgjegjës i garave. Kjo ka të bëjë me infrastrukturën, financat dhe koeficientin që ka futbolli shqiptar në raport me të tjerët në Europë. Nuk është kjo një dëshirë, që hajde se jemi në këtë situatë dhe ta bëjmë me 12 apo 14 ekipe. Ka edhe një fakt, që brenda një sezoni një ekip elitar nuk mund të bëjë më pak se 40 ndeshje. Kjo quhet plotshmëri e aktivitetit. Me 12 ekipe s’mund të bësh më tepër se 26 ndeshje kampionati, por sezoni në total ka 52 javë, kështu që për Shqipërinë me 10 skuadra dhe katër faza është skema më ideale për momentin. Me kushtet që kemi sot, shtimi i numrit të skuadrave nuk i shërben futbollit, por interesave të veçanta që mund të kenë njerëz të ndryshëm. Ne si kampionat edhe me 10 skuadra kemi mangësi të mëdha, jo më me 14…

hito hitajHitaj me të ndjerët Vasillaq Zëri dhe Gjergji Thaka, si dhe ish-futbollistin Vangjel Çakuli

Kohët e fundit është hapur një debat në “Panorama Sport” sa i përket asaj që ka ndodhur në vitin 2000, ku Tirana dhe Tomori bënë një ndeshje shtesë për titullin kampion. Si një ish-shef i sektorit të garave në FSHF, çfarë kujtoni nga rregullorja e asaj kohe?
Shikoni, kanë kaluar 20 vite dhe shumë njerëz të fushës i mbajnë mend mirë gjërat, por ka edhe të tjerë që i keqinterpretojnë. Megjithatë, unë di të them me bindje se një rregullore e tillë ka ekzistuar edhe në vitet ’70 në FSHF. Ndërsa nëse i referohemi vitit 2000, unë kam qenë tek drejtoria teknike në Federatë, por i besoj asaj që ka thënë kolegu im, Besnik Çela, i cili ishte përgjegjës i kampionateve. Unë kujtoj që rregullorja ka qenë e tillë: kur në fund të kampionatit dy ekipe dalin me pikë të barabarta, nuk merret parasysh as golavarazhi dhe as ndeshjet direkte, por luhet një finale, e cila ishte parashikuar të zhvillohej në stadiumin “Qemal Stafa”.

Tomori Tirana
Nga njëra prej përballjeve Tomori-Tirana e sezonit 1999-2000

Thatë që ka qenë si rregullore edhe para viteve 2000, mund të na tregoni më konkretisht ndonjë rast?
Po, patjetër. Kam pasur vetë një precedent në vitin 1978, kur drejtoja Luftëtarin. Në atë kohë ekipi im luftonte për titull bashkë me Vllazninë dhe Partizanin. Dy javë para fundit të kampionatit ishim tre ekipe me pikë të barabarta, pra Luftëtari, Partizani dhe Vllaznia me nga 23 pikë secila. Fitorja llogaritej me dy pikë atëherë, jo me tre si tani. Partizani humbi ndaj Tiranës dhe në valle për titull mbetëm ne dhe Vllaznia, por ishim me pikë të barabarta. Atëherë ne si klub u interesuam në FSHF për rregulloren dhe ishte e shkruar që nëse ekipet e mbyllnin kampionatin me pikë të barabarta, do të luhej një finale.

luftetari 70 8p

Luftëtari i brezit të artë të viteve ’70-’80 që drejtohej nga Hito Hitaj

Dhe çfarë ndodhi më pas?
Nuk shkoi deri te ndeshja finale, sepse ne për fat të keq barazuam papritur me Shkëndijën në Gjirokastër dhe Vllaznia doli me pikë para nesh. Më pas Shkodra luante në Lushnjë dhe fitoi pasi ia la ndeshjen Lushnja. Ndërsa ne luanim në Berat dhe duke parë që Lushnja ia la Vllaznisë, edhe ne bëmë të njëjtën gjë, duke humbur me Tomorin 4-3.

Ish-presidenti i Tiranës, Metush Seferi, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ka thënë se në vitin 1996 lojtarët e tij i shpëtoi nga dhuna e tifozëve ish-kryeministri Bashkim Fino në Gjirokastër. Çfarë kujtoni?
Unë kam qenë shef klub i Luftëtarit në atë vit, por këto janë thjesht përralla. Kujtoj që dy-tre lojtarë të Tiranës bën ca marrëzira dhe portierin Blendi Nallbani e çuan në polici. Metushi duhet të thoshte këtë, që Bashkimi dhe Hito shkuan në polici dhe ndërhynë që Nallbani të lirohej direkt. Mesa kujtoj portieri ka bërë një sherr me disa tifozë dhe është shoqëruar në komisariat. Në Gjirokastër nuk ndodhte asgjë, thjesht do ketë harruar Metushi…

seferi556
Metush Seferi (m), Shkëlqim Selami (q) dhe Bashkim Fino (d)

Sërish ditët e fundit ka pasur disa polemika mes ish-presidentit të Flamurtarit, Shkëlqim Selami dhe Seferit për kampionatin e vitit 1997. Ju keni një opinion për atë sezon?
Sigurisht që u cënua Vlora atë sezon, sepse ia kanë bërë me pa të drejtë.

Selami

Pse mendoni kështu?
E meritonte Flamurtari kampionatin dhe bindjen e kam krijuar që atëherë. Flamurtari erdhi në Tiranë dhe ia rrahën lojtarët para ndeshjes në sheshin “Nënë Tereza”. Dolën futbollistët në shesh paradite për qejf dhe i dhunuan, ndërsa ndeshja bëhej pasdite. Këtë si detaj e mbaj mend mirë, për të mos folur për arbitrimin, që ishte në trysni të madhe.

Pse u tërhoq Luftëtari nga kampionati pas marsit të vitit 1997?
Pati dhunë në Kavajë dhe në një fushë tjetër që nuk e mbaj mend mirë.
Ishte e pamundur atëherë të luanim futboll. Zgjodhëm të tërhiqeshim nga një garë jo e drejtë që u bë pas muajit mars, kur 18 skuadra u ndanë në tre grupe. Në fakt, ishte një formalitet që duhej bërë, por zgjodhëm si klub atëherë të mos e bënim duke riskuar lojtarët dhe veten në një gjendje të rëndë që po kalonte vendi ynë.

lefter millo

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com