EKSKLUZIVE/ Flamurtari rrezikon shpërbërjen, në pikëpyetje dhe titullarët e sezonit të sapopërfunduar (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2020 | 23:53

EKSKLUZIVE/ Flamurtari rrezikon shpërbërjen, në pikëpyetje dhe titullarët e sezonit të sapopërfunduar (E PLOTË)

Talentit vlonjat, Arinaldo Rrapaj, nuk po i jepen letrat nga klubi vlonjat, ndërsa Partizani e pret. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit e Partizanit i kanë kërkuar Rrapajt të zgjidhë brenda kësaj jave çështjen e kontratës me Flamurtarin. Të kuqtë janë të interesuar për ta pasur në ekip mesfushorin e dalë nga akademia vlonjate, që trajneri Ilir Daja, i cili pritet të drejtojë Partizanin sezonin e ri, e njeh mirë.

rrapaj

Por më parë Rrapaj duhet të shkëputet nga Flamutari, duke marrë dokumentacionin përkatës. Mesfushori ka edhe tri ditë kohë, ose maksimumi brenda kësaj jave duhet ta zgjidhë këtë çështje. Rrapaj u ka kërkuar lejen e kalimit drejtuesve të Flamurtarit, por deri tani ata nuk kanë pranuar që ai të largohet me parametra zero.

JO LARGIM FALAS – Duke qenë se është një lojtar i akademisë vlonjate, drejtuesit e klubit janë të vendosur që të mos e lënë në asnjë mënyrë Rrapajn të shkojë te Partizani pa përfituar asgjë. Gazeta mëson se drejtuesit e klubit kërkojnë që Partizani të trokasë në derën e tyre dhe të ulet në bisedime. Ekziston edhe mundësia që lojtari të mos lejohet të largohet nga kuqezinjtë, por mund të jetë në huazim te të kuqtë.

Gjithsesi, tri ditët në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen e Arinaldo Rrapajt, i cili e ka ndarë mendjen që sezonin e ri të luajë në Superiore për Partizanin. Gjithçka e kanë në dorë drejtuesit e Flamurtarit, të cilët nuk e pranojnë faktin që talenti i tyre të largohet falas për një klub tjetër.
jurgen vrapi flamurtari
LARGIMET – Jurgen Vrapi u largua nga Flamurtari dy javë para se kampionati të përfundonte. Madje, drejtuesit e klubit kuqezi u habitën nga largimi i tij i beftë. “Panorama Sport” mëson se me shumë gjasa Vrapi do të rikthehet te Tirana sezonin që vjen. Edhe pse për këtë nuk ka ende asgjë zyrtare, gjasat janë që bardheblutë te jenë destinacioni i radhës i këtij lojtari. E ardhmja e Shpëtim Moçkës nuk është e qartë, pavarësisht se administratori Sinan Idrizi është shprehur se portieri vlonjat, Ribaj dhe Hoxhaj do të firmosin kontratën të parët. Larg Flamurtarit është edhe Kreshnik Nebihu, por kosovari ka një kontratë me klubin edhe për një sezon tjetër. Ai ka nënshkruar një kontratë të tipit 1+1, por tashmë çështja mund të zgjidhet me konsensus dhe Nebihu të lihet i lirë. Ndërkaq, tre shkodranët, Xhavahir Sukaj, Olsi Gocaj dhe Denis Pjeshka, e kanë mbyllur zyrtarisht aventurën te Flamurtari.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"