Ekskluzive/ Flamurtari “piketon” Bathën, zbulohet paga e kapitenit Bushiç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2018 | 21:45

Ekskluzive/ Flamurtari “piketon” Bathën, zbulohet paga e kapitenit Bushiç

Flamurtari intereso het për Idriz Bathën. Trajneri Daja e njeh mirë lojtarin dhe duket se e ka në planet e tij për ta transferuar në Vlorë. Ish-kapitenit të Partizanit i ka përfunduar tashmë kontrata me të kuqtë dhe është i lirë për t’u veshur kuqezi. Burime pranë klubit vlonjat pohojnë për “Panorama Sport” se gjasat janë që Batha të jetë pjesë e Flamurtarit të sezonit të ri.

batha

Edhe pse nuk jepet shumë informacion në lidhje me fazën e bisedimeve që mund të jenë bërë me lojtarin, e sigurt është që gjirokastriti është në listën e lojtarëve që trajneri Daja preferon që të ketë te Flamurtari. Idriz Batha është një lojtar me eksperiencë dhe që do t’i bënte shumë punë Flamurtarit.

Batha

26- vjeçari e ka nisur karrierën te Partizani në sezonin 2011- 2012. Ai më pas është bërë pjesë e Besës së Kavajës në sezonin 2012-2013. Në vitin 2013 deri në vitin 2014 ishte pjesë e Teutës së Durrësit për t’u kthyer sërish te Partizani në vitin 2014, ku qëndroi për katër vite dhe sezonin e fundit e mbylli edhe si kapiten i të kuqve.

RINOVIMI – Tomislav Bushiç rinovon zyrtarisht kontratën me Flamurtarin. Sulmuesi ishte dje në Vlorë, ku firmosi edhe kontratën e re me Flamurtarin. Në këto kushte, Bushiç do të jetë pjesë e Flamurtarit edhe për një sezon, pikërisht për sezonin 2018- 2019. Kroati hodhi dje firmën dhe tashmë është zyrtarisht pjesë e Flamurtarit edhe për një sezon tjetër. Gjasat janë që të ketë disa ndryshime në kontratën që klubi ka bërë me Bushiç.

Bushic

Kapiteni i kuqezinjve do të përfitojë 5 mijë euro në muaj, ndërsa është bindur nga oferta e vlonjatëve për shkak se iu premtua likuidimi “kesh” i 20% të kontratës, si dhe i dy rrogave të prapambetura nga sezoni i fundit. Menjëherë pas sezonit u mendua që Bushiç nuk do të ishte më pjesë e Flamurtarit, pasi drejtuesit ishin të dyzuar për të pasur apo jo kroatin në skuadrën e re.

Por, Bushiç ishte ndër tre lojtarët e parë që u konfirmuan disa ditë më parë dhe dje ai firmosi edhe kontratën, porsa mbërriti në vendin tonë. Gjatë sezonit të kaluar, Bushiç ka mbajtur shiritin e kapitenit. Nuk dihet nëse një gjë e tillë do të ndodhë edhe këtë sezon. Për të ruajtur ekuilibrat, edhe mund të ndodhë, por me ardhjen e trajnerit të ri Ilir Daja, mund të ketë edhe ndryshime.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"