EKSKLUZIVE/ “Flamurtari nuk zbret në fushë”, Idrizi kunja presidentëve: Shumica donte të mos luhej, por shokët e mi kanë komplekse… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2020 | 22:45

EKSKLUZIVE/ “Flamurtari nuk zbret në fushë”, Idrizi kunja presidentëve: Shumica donte të mos luhej, por shokët e mi kanë komplekse… (E PLOTË)

Flamurtari nuk do të zbresë në fushë më 3 qershor, pa marrë fillimisht garanci me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë. Këtë e deklaroi për “Panorama Sport” vetë administratori Sinan Idrizi. Kreu i klubit vlonjat thotë se edhe “shokët e aparatit” e mbështetën mendimin e tij në mbledhjen e djeshme për të mos rinisur kampionatin, por nga ana tjetër e kanë me ngut për ta mbyllur sa më shpejt.

Sinan-Idrizi

“Ishte një mbledhje me ‘shokët e aparatit’. Unë e para kam thënë që kampionati nuk mund të fillojë, e dyta kam thënë që kampionati të ndërpritet. Por për shkak të shumë gjërave që janë në kompleks, pati një debat nga të gjitha palët. Me këto kushte që kemi ne, me gjendjen normale ato kushte nuk plotësohen. Me gjendjen anormale tani, do të vazhdojmë të luajmë. Ka tri pika: jeshile, të verdhë dhe kuqe.

Në bazë të këtyre të triave, pika e kuqe është ajo e ditës së ndeshjes, infektimi i njerëzve. Nëse Ministria e Shëndetësisë nuk na jep neve garanci që në rast infektimi s’do të ndëshkohemi, ne nuk dalim në fushë që të luajë pasi deri më 23 qershor është një ligj shumë i rëndë penal. Të ma japin me shkrim mua që ta nxjerr ekipin në fushë, pasi në rast infektimi, personi që infektohet për një dëshmi kundër meje dhe të ndëshkon ligji që është në fuqi. Kjo do të bëhet e qartë nga protokolli që nuk është vendosur akoma me Ministrinë e Shëndetësisë.

Idrizi-750x430

E përsëris që ka një ligj që tashmë është me Kod Penal në Shqipëri, që nëse një person në mënyrë të pavullnetshme ia transmeton virusin një tjetri, ndëshkohet. Pra, gjatë ndeshjes që luhet në Vlorë, nëse më sëmuret dikush, kush e ka përgjegjësinë?! Me ligj ai tjetri shkon më kërcet mua një ndëshkim penal dhe më ‘fik’. Historia është kjo, që një pjesë shumë e rëndësishme e atyre ‘shokëve të aparatit’ ishin dakord me mendimin tim që të mos bëhej kampionati, por kanë situatë komplekse… Le të vazhdojnë.

E përsëris, unë nuk zbres në fushë nëse Ministria e Shëndetësisë nuk më jep siguri që të më thotë që nga ky ligj përjashtohemi, pasi ka një problem këtu. Të vij unë në punën tënde dhe të të them që e kam marrë virusin te ju, ke qenë ti pika zero e kontaktit, ndëshkoheni ju të gjithë, si gazetë.

idrizi-470x303

Më kupton, një njeri që nuk të do. Është me ligj o vëlla. E ka vendosur presidenti i Republikës, është ligj! Tani çfarë do të ndodhë, si do të bëhet, si do ta bëjmë këtë histori? Është edhe historia tjetër që në këto kushte nuk mund të vazhdohet më. Me 10 ekipe, do të luhet në verë, duhet të mbyllet në fund të korrikut, në fillim të gushtit, është një histori që nuk ka asnjë logjikë”, kështu u shpreh fillimisht Idrizi.

STËRVITJA

Përgatitjet pritet që të nisin më 18 maj, por ka paqartësi të mëdha edhe për mënyrën se si do të zhvillohen. Sipas administratorit, në tri orë të mbledhjes së djeshme në FSHF, nuk u tha asgjë për këtë. Ai tha se u thelluan edhe më shumë paqartësitë që ka protokolli. “Në datën 18 maj do të vijnë të gjithë lojtarët këtu. Por edhe stërvitja nuk dihet se si do të bëhet. Shikoni, të rrish tri orë në mbledhje në FSHF për këtë histori dhe në fund fare të mos dish se çfarë të bësh…

Tani duhet të shkojnë dy autobusë në transfertë, do të kenë 10 dhoma larjesh, 7 dhoma zhveshjesh, duhet të kenë dy kate të hotelit të zëna, unë nuk e di këtë histori o vëlla. Hajde bëjmë mbledhje, por përfundimi është se Çfarë do të bëjmë. Këta të gjithë duan dhe janë gati ta mbyllin një orë e më parë, mirëpo po ta mbyllim tani kampionatin mbeten futbollistët 6 muaj pa luajtur. Ore, nuk është futboll ky, nuk e di. Se si do vejë kjo punë dhe kjo histori, unë nuk e di, një Zot e di”, theksoi kreu i kuqezinjve.

SKEMA E RE

Numri një i klubit vlonjat zbulon se në mbledhjen e djeshme u diskutua edhe mënyra e ndryshimit të skemës së kampionatit: “Unë e kërkova për vitin tjetër ndryshimin e skemës se tani duhet si pjesë e qurravecëve. Të gjithë janë dakord që nga 12 që mund të mendohet, të rritet dhe të shkojë në 14 ekipe”.

LIGJI I SPORTIT

Idrizi i gëzohet hapit të parë që është hedhur me ligjin e sportit. Sipas tij, tashmë nuk ka më pritje, pasi ligji i sportit është miratuar. “Për ligjin e sportit që ka kaluar pati një gëzim të pjesshëm, pasi mendonin që për shkak të shifrave do të kishte tolerim më shumë, por është një ligj i mrekullueshëm e kaq. Tani është puna e investimeve në sport. Ligji i sportit doli. Edhe pse është pjesërisht i favorshëm, prapë do të hyjmë tani që të mos dëgjojmë më historitë, jo u paguan, jo nuk u paguan. Është një ligj që mua më garanton pjesën tjetër”, shtoi administratori.

PËR GJIKËN

Nuk kishte si të mos fliste për Shpëtim Gjikën, ndërsa insiston që të paguajë dhe zhbllokojë llogaritë: “E përsëris sërish thirrjen e radhës, pasi unë jam bërë tani që t’i shkruaj letra tani zotit Shpëtim Gjika, mikut tim të mirë. Të lutem paguaj detyrimin pasi kam kontot e bllokuara. Të lutem, sepse nuk bëj dot pagesat e lojtarëve! Nuk dua të lë një Flamurtar me borxhe, dua që t’i zeroj të gjitha. Ato sa janë, janë dy fatura përmbarimi, të vijë t’i paguajë, miku im i nderuar, presidenti i lavdishëm i Flamurtarit, të lutem hajde paguaj këto fatura! Unë kam thënë që nuk i paguaj këto dhe të jeni të sigurt që nuk paguaj më nga këto”.

Gjika-dhe-Idrizi

PËR KONTRATËN

Në fund u ndal edhe te kontrata e administrimit, e cila skadon më 31 korrik. “Në 31 korrik na mbaron marrëveshja me bashkinë për administrimin e Flamurtarit. Tani të gjithë këta që kanë komentuar dhe kanë bërë, të vijnë. Unë e marr përgjegjësinë për dështimin në fushën e lojës për këtë vit. Të tjerët të vijnë të afrohen, ku janë e ku nuk janë t’i hyjnë kësaj historie. Pas 31 korrikut unë do të pres të gjithë ata që kanë bërë propozimet për Flamurtarin në këtë kohë. Do të pres të gjitha ofertat e këtyre, pastaj do të vazhdojë punën time me projektin. Nëse ka të tjerë më të mirën do të tërhiqem unë”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"