EKSKLUZIVE/ Flamurtari nuk po di të ndalet, akord me mesfushorin kryeqytetas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 14:36

EKSKLUZIVE/ Flamurtari nuk po di të ndalet, akord me mesfushorin kryeqytetas

Flamurtari nuk po di të ndalet, gati akordi me Aladin Sallakun. “Panorama Sport” zbulon se mesfushori tiranas ishte dje në Vlorë dhe u takua me administratorin Sinan Idrizi.

SALLAKU

Duket se në parim palët kanë rënë dakord dhe lojtari me shumë mundësi do të jetë goditja e radhës. Vlonjatët po vijojnë furishëm merkaton e verës, duke dëshmuar se ngjitja do të jetë një formalitet.

Deri më tani kanë marrë emra me peshë, si: Ditmar Bicaj, Lejdi Liçaj, Behar Ramadani dhe Denis Pjeshka. Aladin Sallaku ka goxha eksperiencë, ndërsa kampionatin e fundit e ka mbyllur te Torpedo Kutaisi në Gjeorgji.

Karrierën e ka nisur tek akademia bardheblu, ndërsa në 2014- ën te të rinjtë e Apolonisë. Në vitin 2016 ka luajtur për Besën. Në vitin 2020 ka mbrojtur ngjyrat e Turbinës dhe Bylisit, për të kaluar më pas në kampionatin gjeorgjian.

Çështje orësh është edhe zyrtarizimi i Alked Çelhakës. Edhe 27-vjeçari nga Kavaja që më parë ka qenë pjesë e Besës, Laçit, por edhe Tiranës, shikohet si një goditje me vlerë nga vlonjatët për arritjen e objektivit.

Problemi i vetëm që do të kenë kuqezinjtë, lidhet me rregullin e FSHF-së për Kategorinë e Dytë. Në këtë ligë nuk lejohet aktivizimi i më shumë se 5 lojtarëve jashtë qarkut. Dhe me kaq emra cilësorë që ka afruar deri më tani klubi, sikleti i vetëm qëndron te Dritan Resuli.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"