EKSKLUZIVE/ Flamurtari në sulm për bomberin Rexhinaldo, tenton edhe ish-mbrojtësin e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2018 | 9:49

EKSKLUZIVE/ Flamurtari në sulm për bomberin Rexhinaldo, tenton edhe ish-mbrojtësin e Partizanit

Flamurtari hidhet në sulm për Rexhinaldon. Pas driblimit të Danilo Alveshit, drejtuesit vlonjatë duket se nuk do të presin më, por kanë nisur të mendojnë për të gjetur zëvendësuesin e brazilianit. Burime të besueshme të “Panorama Sport”, pranë klubit vlonjat bëjnë me dije se drejtuesit kanë nisur kontaktet me ish-sulmuesin e Laçit. Rexhinaldo aktualisht është lojtar i lirë, pasi është larguar nga kurbinasit pas mbylljes së sezonit.

rexhinaldooo

Duket se gjërat janë në rrugë të mbarë dhe se me shumë mundësi futbollisti do të transferohet në Vlorë për sezonin e ri. Rexhinaldo është lojtar i kombëtares së Mozambikut dhe duket se e pëlqen një aventurë te Flamurtari, pasi përgjigjja e tij për drejtuesit kuqezinj ishte pozitive. Sulmuesi 28-vjeçar është me eksperiencë edhe në kampionatin shqiptar, përveç aventurave që ka pasur në skuadra të ndryshme jashtë vendit tonë. Në sezonin 2016-2017, ai ka qenë pjesë e Luftëtarit të Gjirokastrës, ndërsa në sezonin e fundit, 2017-2018 u aktivizua te Laçi. Pritet që akordi mes tij dhe klubit të konkretizohet në ditët në vijim.

Porta – Flamurtari ka hapur merkaton edhe për portën, pasi trajneri Ilir Daja po kërkon një “gardian” me eksperiencë. Po shihet në disa drejtime për këtë qëllim edhe pse nuk ka shumë alternativa. Së fundmi ka dalë në skenë edhe emri i vlonjatit Shpëtim Moçka. Ai është larguar nga Teuta dhe tashmë është lojtar i lirë. Portieri vlonjat po shikohet si mundësi për t’u afruar te Flamurtari këtë sezon. Një tjetër emër që po diskutohet për katërkëndëshin është edhe Enea Koliçi.

Merkato – Mësohet se Flamurtari ka arritur tashmë akord me Blerim Kotobellin. Mbrojtësi i majtë ka rënë dakord me Flamurtarin për çdo detaj, përfshi edhe anën financiare dhe është mbyllur marrëveshjen në parim. Lojtari do të firmosë tashmë kontratën dhe do të prezantohet edhe zyrtarisht si blerja më e re e Flamurtarit këtë sezon. Kampionatin e shkuar, Kotobelli ka qenë pjesë e Partizanit. Një tjetër lojtar që, me sa duket, është në fokusin e vlonjatëve, është edhe Gëzim Krasniqi. Mbrojtësi ka qenë pjesë e Rabotniçkit, por u largua dhe tani është lojtar i lirë.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"