EKSKLUZIVE/ Flamurtari në kërkim të një trajneri, Milinkoviç dhe ishi i Shpresave janë 2 alternativat e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2018 | 16:50

EKSKLUZIVE/ Flamurtari në kërkim të një trajneri, Milinkoviç dhe ishi i Shpresave janë 2 alternativat e para

Flamurtari është aktualisht pa trajner. Vetë situata kaotike në klubin vlonjat pas dështimit në kampionatin e fundit ka bërë që pak të mendohet për emrin e ri të pankinës, për më tepër që koha është e mjaftueshme, pasi sezoni i ri futbollistik nis më 18 gusht. Gjithsesi, në këtë periudhë kur administratori i klubit, Sinan Idrizi, i besoi provizorisht stolin Ardi Beharit, më- sohet se ka pasur negociata me disa trajnerë.

flamurtari

Në fakt, i pari që është ulur të bisedojë konkretisht me Idrizin ka qenë Edmond Liçaj, trajneri që ka nxjerrë kampion Flamurtarin në sezonin 1990-1991. Në katër javët e fundit të kampionatit, Liçaj ka qenë pranë skuadrës, duke dhënë edhe ndonjë këshillë. Megjithatë, nuk ka ende garanci nëse Idrizi do të bindet për t’i besuar pankinën në sezonin e ri apo do ta emërojë në rolin e drejtorit teknik.

Ky pozicion shihet si më i përshtatshmi, por së pari administratori, që vetë i përfundon kontrata zyrtarisht në muajin korrik me bashkinë, duhet të ndajë mendjen për kreun e ri të pankinës.

KANDIDATËT

Burime të besueshme pranë klubit vlonjat i thanë dje gazetës “Panorama Sport” se Idrizi ka në kokë dy alternativa bindëse. Së pari bëhet fjalë për ish-trajnerin e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Skënder Gega. Ky i fundit i është propozuar prej kohësh Idrizit dhe shihet si kandidat potencial për të marrë drejtimin e Flamurtarit.

skende gega

I dyti që mund të marrë stolin kuqezi është serbi Mladen Milinkoviç, i cili u bë i njohur dy sezone më parë nën drejtimin e Luftëtarit, e më pas ishte në krye të Kukësit në dy fazat e sezonit 2017-2018. Për momentin nuk mund të thuhet nëse bisedimet mes palëve janë në faza të avancuara, por në Vlorë kanë në “tavolinë” dy trajnerë të njohur dhe ndoshta do të duhet pak kohë për të bërë zgjedhjen përfundimtare.

Milinkovic

SITUATA

Eksperimentet e vazhdueshme te Flamurtari tashmë nuk përbëjnë më lajm, pasi prej vitesh situata te kuqezinjtë është “ndërto dhe shkatërroi”. Idrizi vendosi të shkarkojë të gjithë stafin teknik dhe atë drejtues që ka bashkëpunuar në këto vite. Tashmë ai pret të dëgjojë një projekt që garanton së paku pjesëmarrjen e Flamurtarit në Kupat e Europës.

sinan idrizi sokol kushta

Menaxhimi jo i mirë dhe shumë faktorë të tjerë kanë bërë që kuqezinjtë më shumë të luftojnë për mbijetesë kur vjen fundi i sezonit sesa të vulosin kualifikimin në Europë. Një goditje për klubin ishte edhe moslicencimi nga UEFA në rast pjesëmarrjeje në Europë për këtë sezon. Detyrimet e prapambetura janë një plagë e hapur.

Flamurtari akoma e ka ndarë se cila do të jetë mënyra e administrimit për sezonin e ri. Nuk dihet nëse Sinan Idrizi do të pranojë të marrë sërish në administrim klubin apo do të këmbëngulë te privatizimi i Flamurtarit, që është në pronësi të Bashkisë Vlorë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"