EKSKLUZIVE/ Flamurtari padit Kalenë për dokumentet false dhe fut në siklet Tiranën, flet Idrizi: Gjici kishte të drejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2020 | 23:27

EKSKLUZIVE/ Flamurtari padit Kalenë për dokumentet false dhe fut në siklet Tiranën, flet Idrizi: Gjici kishte të drejtë

Kanë kaluar dy vjet nga polemikat mes Flamurtarit dhe Kukësit për Elton Kalenë, por tashmë çështja rikthehet në Vlorë. Është administratori Sinan Idrizi ai që hap “plagët e vjetra”, kësaj here për të kërkuar të vërtetën, siç thotë ai.

Kale

Në një prononcim për “Panorama Sport”, drejtuesi i klubit vlonjat deklaron se Elton Kale ka mashtruar dhe se do ta çojë në gjyq. Idrizi thotë se ka paguar për kartonin e Kalesë 65 mijë euro dhe kërkon dëmshpërblim. Sipas kreut të klubit vlonjat, Kale ka ardhur në Vlorë me dokumente të falsifikuara dhe për këtë i jep të drejtë homologut të tij Safet Gjici.

“Gjyqin e radhës e kemi me Elton Kalenë, i cili na ka mashtruar kur erdhi te Flamurtari. E dinim sikur ishte lojtar i lirë, por ka ardhur me dokumente të falsifikuara. Kale na kushtoi 65 mijë euro, pasi paguam për kartonin e tij. Kishte shumë të drejtë miku im Safet Gjici kur tha se “Sinani u fut si fanti spathi”. Më ka gënjyer mua Kale dhe ka shumë të drejtë Gjici.

Sinan-Idrizi

Ju e dini që ne e morëm, por nuk luajti derisa u zgjidh çështja dhe kjo ishte një kosto shtesë për ne. Meqë këta vijnë me tri fatura e me dokumente të falsifikuara, tani Kale të vijë dhe të përgjigjet në gjyq pse na ka mashtruar”, shprehet Idrizi.

GJICI – Safet Gjici foli për çështjen e Kalesë më 25 shtator të 2018-ës, kur i vinte në dukje në atë kohë Idrizit se braziliani ishte lojtar i Kukësit, pasi kishte kontratë të rregullt me këtë klub. “Kam dy gjëra për t’i thënë Idrizit. E para është një këshillë, në rastin e Kalesë nuk ka bërë mirë që ka hyrë mes dy palëve. Ose thënë në gjuhën popullore, si “fanti spathi”, sepse është një njeri që i ndjek rregullat, i zbaton normat. Por në këtë rast nuk e di si ka ndodhur, ose ndonjë vartës i tij ka ndërhyrë dhe i ka mbushur mendjen.

Gjici

Nuk e kuptoj dot se si e ka bërë, për shkak se Kale është një lojtar i Kukësit dhe ka kontratë të rregullt me klubin tonë. Ne jemi pala e dëmtuar, pasi na janë prishur planet, sepse e kishim llogaritur ta kishim edhe në Champions Ligë, madje edhe lojtari vetë është dëmtuar, pasi nuk luan. Nuk do ta bëja kurrë një gjë të tillë, më kanë ardhur me dhjetëra lojtarë dhe kur kam parë që kanë qenë nën kontratë, nuk i kam pranuar.

Për të marrë një lojtar, ka dy rrugë; ose flet dhe bie dakord me ekipin që e ka në pronësi, ose bli kartonin. Rruga që zgjodhi Sinani ishte e gabuar. Çështja e tij është në FIFA dhe kjo gjë nuk ka shumë rëndësi më shumë sesa ka gjesti i bërë”, pati deklaruar Gjici.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"