EKSKLUZIVE/ Fitorja me Tiranën identike si ndaj Partizanit, Xhika: Më shijoi si derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2022 | 13:11

EKSKLUZIVE/ Fitorja me Tiranën identike si ndaj Partizanit, Xhika: Më shijoi si derbi

Portieri Dashamir Xhika i gëzohet fitores ndaj Tiranës, jo vetëm për Erzenin e tij, por e ndien pak më shumë pasi për të përballja me bardheblutë është një derbi më vete, si një ish-futbollist i kuq. Në prononcimin ekskluziv për “Panorama Sport” pas ndeshjes, gardiani i shijakasve nuk i fsheh emocionet.

XHIKA

“Në çdo ndeshje ne japim maksimumin dhe për fat kemi mundur si Tiranën edhe Partizanin në të njëjtën stadium, me të njëjtin rezultat dhe në të njëjtën minutë.

Për mua është gjithnjë derbi kur luaj kundër Tiranës, sepse dihet që jam rritur te Partizani dhe normal që pothuajse e ndiej dyfish fitoren me Tiranën në këtë ndeshje”, u shpreh fillimisht 33-vjeçari. Sa i përket pozicionit në klasifikim ai e pranon se nuk e mendonin, por qëndron me këmbë në tokë.

“Të jemi realistë nuk e prisnim që të ishim në këto pozita. Ne jemi optimistë dhe qëndrojmë me këmbë në tokë siç jemi shprehur gjithmonë dhe i marrim ndeshjet një nga një”, vijoi më tej Xhika.

Në fund, ai shpreson të marrin një tjetër rezultat pozitiv edhe ndaj Vllaznisë, skuadër që e kanë mundur në ndeshjen e parë.

“E kemi mundur ndeshjen e parë Vllazninë, por ne do të japim maksimumin edhe në Shkodër dhe do të tentojmë për një rezultat pozitiv”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën, Dashamir Xhika, një nga pikat e forta të Erzenit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"