EKSKLUZIVE/ Fitorja historike ndaj ekipit italian, ish-kapiteni i Dinamos: ‘Qytetarë Nderi’ në Bolonjë, kryetari i bashkisë ishte komunist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2020 | 21:28

EKSKLUZIVE/ Fitorja historike ndaj ekipit italian, ish-kapiteni i Dinamos: ‘Qytetarë Nderi’ në Bolonjë, kryetari i bashkisë ishte komunist

Biseda me Ylli Shehun ishte vërtet emocionuese. Prej 1990-ës i larguar nga Shqipëria dhe i vendosur pranë Këlnit në Gjermani, ku jeton bashkë me familjen, u befasua fillimisht. Por, shumë shpejt, biseda nisi e ndalej aq më shumë kur i tregova motivin, çfarë kujtonte nga ajo Dinamo, takimet me Virtusin, ato më pas, si kapiteni i asaj skuadre të madhe. E kam njohur nga afër dhe kujtoj kur rreshtimi i Dinamos niste me Shehun, kapiten autoritar, shuter, shtatlartë 191 cm, fizik i admirueshëm, korrekt, edukatë profesioniste edhe sot 84-vjeçar, i pandryshuar.
Ylli Shehu logo

Z. Ylli, çfarë kujtoni në sfidat ndaj Virtusit?
Italianët erdhën në Tiranë pa ditur çfarë ishte Shqipëria dhe niveli i volejbollit tonë, çka shërbeu si favor për ne. Ata e menduan të lehtë fitoren. Kujtoj tifozërinë dhe në korridor pas takimit, kur midis tyre dikush u bërtiste: “Ju thashë, të mos i nënvlerësonit”. Ishte një rezultat që befasoi edhe gazetarët italianë që shoqëronin skuadrën.

Ndeshja e parë a mund të quhej një fitore taktike?
Aplikuam shërbimin valëvitës, sulm dhe lojë të shpejtë, me topa të ulët ndaj bllokut shtatlartë e me shuterë të fuqishëm të tyre. Në atë kohë në Tiranë ndodhej Zhen Gou Hëng, një trajner kinez, i cili jepte eksperiencën e tij. Por në Itali ai nuk erdhi.

Shkojmë te ndeshja e kthimit, çfarë ndodhi aty?
Ajo u zhvillua në mbrëmje, në një pallat sporti të mbushur me publik e tifo të madhe, ndërsa ne na kishin kapur emocionet. Humbëm, por u kualifikuam. Duhet të bënim detyrimisht 17 pikë, por pas të 18-ës që na siguroi kalimin, pati rënie në lojë. Por, nga frika se ata të protokollit ishin gjyqtarë italianë, trajneri Koja mori pushim, foli ashpër. Ne reaguam dhe bëmë në total 29 pikë.

Humbisni, por kualifikoheni…
Loja jonë varionte, në kombinimet, alternimet e mia që isha në formë, me Rusin në pozicionet 2, 4, bashkë me Terihatin, Lulollin, Sharofin, Bushatin, Lenën dhe organizimin e lojës e kishin në dorë Panteqi e Tartari. Pas ndeshjes u përqafuam, se për festime të mëdha, edhe pse ishim kualifikuar, nuk bëhej fjalë. Diheshin festimet tona, gjithçka nën presion, jo të lirë.
Medalja e qytetarit te nderit logo
Në Bolonjë ju shpallën “Qytetarë Nderi”… Si është e vërteta e kësaj historie?
Në banketin e organizuar në mbrëmje, erdhi edhe kryetari i Bashkisë së Bolonjës, që lexoi një dekret me të cilin ai na shpallte “Qytetarë Nderi”. Ai ishte anëtar i Partisë Komuniste dhe e bënte për të na nderuar me që vinim nga një vend komunist. Na dhanë edhe medaljen.

A kishit frikë për largime të mundshme?
Përgjegjës ishte Vaskë Afezolli, njeri shumë korrekt. Kur po shëtisnim në qytet, i shihte djemtë, kishte frikë dhe shpesh më thoshte se mos ikte ndonjëri, aq sa tërhoqi vëmendjen e shoqëruesit tonë, i cili më pyeti: “Çfarë ka? Pse shqetësohet përgjegjësi juaj?” Kudo kur shkonim jashtë vendit i këshilloja shokët të ishim të rezervuar, të kujdesshëm. Qëndronim në grup e të shkëputur. Nuk guxonim të komunikonim me të huaj, sepse kishim porosi për të mos i folur askujt.
Në Bolonjë logo
Edhe kthimi me anije mallrash, apo jo…?
Shkuam në Ravenë, ku qëndruam 3-4 ditë, flinim, trajtoheshim në anijen “Skënderbeu”, bënim stërvitje në qytet me skuadrën vendëse. Por, na thanë papritur se malli po rikthehej në anije, kështu ishte kontrata, dhe ajo do të vonohej. Me tren na dërguan në Trieste dhe me anijen “Dajti”, pas një ndalese në Rijekë, mbërritëm në Durrës. Ka qenë një det i qetë si liqen, dhe kapiteni një korçar, shok i Vaskës, na krijoi mundësinë të stërviteshim në hambarin e boshatisur të saj.

Flasim pak për Hagën dhe padrejtësinë e “kaubojve”…
Kujtoj setin e dytë, kur gjyqtari nuk na lejoi të bënim pikën e 14-të. Pastaj haptazi në të tretin, duke na frenuar te pika e pestë, pa na lejuar të 6-ën e të 7-ën, që na jepnin kualifikimin. Pati nervozizëm nga ne, Ali Keta, përgjegjësi i ekipit, unë reagova ashpër ndaj tij. Ndërkohë, para takimit, shoqëruesi e pyet Xhelën: “Mos doni të shihni ndonjë film”? “Po, – iu përgjigjëm ne, – mundësisht me kauboj”. E di çfarë na tha ai? “Para jush, këtu ishin ata të CSKA-së, skuadër e madhe, lojtarë të vegjël. Kur i pyeta se çfarë donin të shihnin, më kërkuan filma pornografikë!”

Fryu tjetër “erë” për volejbollin shqiptar në ato vite… Pse?
Ishin takime, rezultate dhe përfaqësime që jepnin shenjat se një cikël i ri kishte nisur. Kishte shpresë për një ndryshim rrënjësor dhe tjetër mentalitet në volejbollin tonë. E reflektuar edhe te Dinamoja, një grup harmonik, në ndeshje, stërvitje, bashkë kudo. Nga të gjithë, me Vasil Bingën e Panteqin kam pasur më shumë miqësi.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"