Dokumenti ekskluziv/ FIFA bllokon sërish Luftëtarin, një uruguaian që luajti vetëm 9 ndeshje pret të… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 23:15

Dokumenti ekskluziv/ FIFA bllokon sërish Luftëtarin, një uruguaian që luajti vetëm 9 ndeshje pret të… (E PLOTË)

Luftëtari bllokohet sërish nga FIFA. “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht vendimin e marrë më 29 prill 2020, ku saktësohet se klubit gjirokastrit i është ndaluar regjistrimi i lojtarëve për tri sesionet e ardhshme për shkak të mospagesës së mbrojtësit nga Uruguai, Bruno Toledo. Ky i fundit ka fituar gjyqin në FIFA me bluzinjtë prej kohësh, por më 10 shkurt 2020 ka pasur një vendim të formës së prerë, ku Luftëtari detyrohej të shlyente lojtarin, në të kundërt do të merrej masë. Por, nuk ndodhi kështu dhe pasi u pritën 2 muaj që drejtuesit gjirokastritë të lëviznin konkretisht, FIFA nuk toleroi. Ky është një detyrim i mbartur nga periudha kur president i Luftëtarit ishte Grigor Tavo. Mësohet se bëhet fjalë për një shumë prej 15 mijë dollarësh që klubi i detyrohet t’i paguajë lojtarit. FIFA saktëson se në momentin që kjo shumë shlyhet, atëherë klubit i hiqet dënimi për bllokimin e merkatos. E njëjta gjë Luftëtarit i ndodhi edhe në janar me ish-futbollistin brazilian, Marko Aurelio, teksa pas arritjes së marrëveshjes, merkatoja iu zhbllokua vetëm në dy ditët e fundit (30 dhe 31 janar).
104215161_2320576028247261_4403001132318695621_n
Bruno Toledo

VENDIMI I PLOTË
“Drejtuar lojtarit Bruno Nikolas Toledo, Uruguai, dhe klubit Luftëtari, Shqipëri.

Të nderuar zotërinj, ne i referohemi çështjes së lartpërmendur dhe, veçanërisht, vendimit të miratuar nga Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve më 5 dhjetor 2019, arsyet e së cilës u janë njoftuar palëve në 10 shkurt 2020. Në këtë drejtim, ne kemi marrë shënimin e letërkëmbimit të datës 10 mars 2020, me anë të të cilit lojtari Bruno Toledo ka njoftuar klubin e Luftëtarit dhe i ka nisur numrin e llogarinë bankare përkatëse në mënyrë që klubi të vazhdojë me pagesa, në përputhje me vendimin e sipërpërmendur. Një kopje e letërkëmbimit në fjalë është bashkangjitur për KS Luftëtari.

Sipas vendimit të miratuar nga Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve më 5 dhjetor 2019, Luftëtarit iu kërkua të na sigurojë prova dokumentare që tregojnë se ai e ka përmbushur detyrimin e tij në përputhje me pikat 11.2. dhe III.3. të vendimit të lartpërmendur. Në këtë drejtim, kemi vërejtur se asnjë dokumentacion i tillë nuk është paraqitur nga KS Luftëtari dhe për pasojë e njoftojmë me mirësi klubin për ndalimin e federimeve të lojtarëve të rinj, si vendës dhe të huaj, për kohëzgjatjen maksimale të tri sesioneve të njëpasnjëshme, siç përcaktohet në pikën I.7. Vendimi i lartpërmendur do të hyjë në fuqi që nga fillimi i periudhës tjetër të regjistrimit të lojtarëve.

fifa
Faksimile e vendimit nga FIFA më 29 prill 2020 për bllokimin e merkatos së bluzinjve për tre sesione

Për më tepër, ne gjithashtu referojmë me mirësi Federatën e Futbollit të Shqipërisë në pikën III.7. të këtij vendimi dhe kërkojmë të sigurojë zbatimin e ndalimit të lartpërmendur, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Më në fund, ne do të dëshironim të tërheqim vëmendjen e KS Luftëtari në pikën II 1.8. të vendimit përkatës i cili përcakton se ndalimi i lartpërmendur do të hiqet menjëherë, pasi të paguhen shumat e duhura”, citohej në vendimin e FIFA-s, që i është dërguar klubit gjirokastrit më 29 prill.

KONFIRMIMI

“Panorama Sport” ka kontaktuar edhe me futbollistin uruguaian që luajti me Luftëtarin në një sezon historik, pikërisht 2017-2018, kur gjirokastritët e mbyllën kampionatin në vendin e tretë dhe morën pjesë në Ligën e Europës. Toledo konfirmoi që ende gjirokastritët nuk e kanë shlyer. “Luftëtari nuk më ka kontaktuar fare. Nuk kam folur me ata si para dhe pas vendimit të FIFA-s. Deri më tani ata nuk më kanë paguar asgjë. Kjo është e vërteta e çështjes sime. Shpresoj që të zgjidhet shpejt, ndoshta kur të jetë edhe periudha e transferimeve. Kaq mund të them, s’kam dëshirë të flas për detaje”, ka thënë 25-vjeçari uruguaian, i cili erdhi në Gjirokastër në verën e vitit 2017 pas katër sezoneve te Liverpul Montevideo. Me bluzinjtë ai luajti vetëm 9 ndeshje si mbrojtës i djathtë, nga të cilat 8 herë si titullar.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"