EKSKLUZIVE / Faulli alla-Kielini, Krymi: E mendova mirë, Cara do të shënonte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2021 | 22:35

EKSKLUZIVE / Faulli alla-Kielini, Krymi: E mendova mirë, Cara do të shënonte

Faulle taktike dhe ndërhyrje që i bëjnë mbrojtës të klasit botëror. E mbani mend faullin emblematik të kapitenit të Italisë, Kielini, kundër Sakas në finalen e Europianit kundër Anglisë? Në atë ndeshje “veterani” i “Axurrëve” mori vetëm të verdhë, por dje mesfushori i Vllaznisë, Ardit Krymi, u tregua shumë i zgjuar, teksa i ndërhyri Tedi Carës së Partizanit që po dilte vetëm për vetëm me portierin Zogoviç.

krymi kielini

Në këtë rast Krymi u ndëshkua me karton të kuq, por ama evitoi një rast për gol dhe në fund rezultoi deciziv për fatet e lojës, paçka se Vllaznia mbeti me 10 lojtarë për më shumë se 30 minuta. Në bisedën ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes, titullari i kuqebluve tregon për momentin e ndërhyrjes që në fund u përshëndet edhe nga vetë trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç.

DEKLARATA  – “Ishte një ndërhyrje, që e mendova mirë. Natyrisht që në ato momente e llogarita shumë mirë që do të dilja jashtë me karton të kuq. Tashmë që ndeshja ka përfunduar, jam i lumtur që shpëtova ekipin nga pësimi i një goli thuajse të sigurt, që do të na e bënte shumë të vështirë vazhdimin e ndeshjes.

Ishte një rast, ku nuk kisha zgjidhje tjetër, sepse Cara më mori kohën. Normalisht më vjen keq që lashë ekipin me 10 vetë, por i falënderoj shumë shokët që arritën t’ia dalin edhe pa mua. Mendoj se e merituam fitoren ndaj Partizanit me lojën që bëmë. Keqardhje që nuk do të jem në ndeshjen e radhës, por jam i bindur që do ta mundin Skënderbeun edhe pa mua”, deklaroi Krymi pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"