EKSKLUZIVE/ Është nën kontratë me Skënderbeun, Partizani tenton të afrojë njohjen e vjetër të Dajës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 15, 2020 | 22:22


EKSKLUZIVE/ Është nën kontratë me Skënderbeun, Partizani tenton të afrojë njohjen e vjetër të Dajës

Partizani ka nevojë për përforcime, dhe për ta realizuar këtë qëllim, drejtuesit prej kohësh e kanë nisur punën. Por afrimi i prurjeve të reja për momentin është i kushtëzuar për shkak të pezullimit të merkatos nga FIFA, dënim i cili ka të bëjë me gjyqin e humbur me kroatët e Istras, për federimin e Eraldo Çinarit në verën e 2018-ës. Gjithsesi, të kuqtë kanë besim se merkatoja në hyrje do të hapet, ndaj ata kanë nisur edhe bisedimet me disa lojtarë dhe sapo të marrin përgjigjen pozitive nga KAS-i do të bëjnë edhe zyrtarizmin e tyre.

KALE GRIPSHI

Në kuadrin e zërave dhe dëshirave të merkatos, “Panorama Sport” ka mësuar se Partizani synon edhe mesfushorin me tipare sulmuese të Skënderbeut, Nazmi Gripshi. 23-vjeçari është një njohje e vjetër e trajnerit Daja, lojtar që u shkon përshtat skemave të tij, ndaj edhe afrimi te Partizani përshpejton ingranazhet për ndërtimin e skuadrës së re, sipas shijeve të timonierit kryeqytetas.

Afrimi i Gripshit te “demat” është në dorë të klubit korçar, pasi dihet se 23- vjeçari është nën kontratë me Skënderbeun. Burime të gazetës kanë bërë me dije se palët i kanë zhvilluar bisedimet e para, madje edhe dëshira e vetë lojtarit është që të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin Daja, i cili në sezonin e shkuar e kishte titullar të padiskutueshëm te Skënderbeu. Interesant është fakti se në sezonin e fundit Gripshi i ka luajtur të 36 javët e kampionatit, ku ka shënuar edhe tetë gola, tre prej të cilëve ndaj Partizanit.

Gripshi GOli

Përveç se duhet të merret vesh me klubin korçar, Partizani duhet të fitojë betejën edhe me Teutën, e cila kërkon që ta kthejë në familje futbollistin durrsak. Gjithsesi, e ardhmja e Gripshit dhe e emrave të tjerë të përfolur si përforcime të mundshme, varet edhe nga përgjigjja që “demat” do të marrin nga KAS-i i Lozanës për heqjen e “embargos” së merkatos në hyrje.

ILIR CARA




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com