EKSKLUZIVE/ “Është ende herët për të menduar për titullin”, mbrojtësi i Partizanit: Të pafat në short, por kualifikohemi ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2022 | 16:34

EKSKLUZIVE/ “Është ende herët për të menduar për titullin”, mbrojtësi i Partizanit: Të pafat në short, por kualifikohemi ne

Prej tri ditësh Partizani ndodhet në Slloveni, ku po kryen fazën përgatitore para nisjes së aventurës në Ligën e Konferencës, e cila starton me përballjen ndaj gjeorgjianëve të Saburtalo Tbilisit. Një nga liderët e ekipit, Eneo Bitri, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” nga qyteti i Gradec Slovenj. Bitri tregon për fazën përgatitore, si dhe flet për afrimet që ka bërë Partizani deri më tani. Mbrojtësi beratas shprehet se priten ende afrime në merkato, pasi skuadra ka ende vende boshe.

Bitri

Si po shkojnë përgatitjet në Slloveni?

Po stërvitemi me ngarkesë maksimale, sepse është java e parë e fazës përgatitore dhe po bëjmë maksimumin. Moti është perfekt, është freskët dhe falë Zotit deri më tani nuk kemi pasur dëmtime. Kushtet janë shumë mirë. Fusha dhe hoteli janë në nivelin e duhur. Nuk na mungon asgjë, mendoj se kemi bërë gjënë e duhur që kemi ardhur në Slloveni, sepse çdo gjë që dëshironim e kemi këtu.

Si është gjendja juaj fizike pas pushimeve?

Po stërvitem maksimalisht. Gjendja ime nuk është ende aty ku duhet, sepse pas pushimeve është diçka normale një situatë e tillë. Besoj se do të arrij gjendjen time më të mirë fizike në kohën e duhur.

Së fundmi i mundi një ekip me 16 humbje radhazi. Sa të vështirë do ta keni ndaj Saburtalos?

Mendoj se nga pesë ekipet e mundshme që mund të kishim përballë, Saburtalo ishte më i vështiri dhe mund të themi se fati nuk na ndihmoi në short. Gjithsesi, do ta vlerësojmë maksimalisht këtë ndeshje për ta kaluar raundin, pasi i kemi të gjitha mundësitë për ta mposhtur Saburtalon. E ndoqëm pak ndeshjen e tyre dje dhe në ditët në vazhdim do t’i analizojmë dhe t’i gjejmë pikat e tyre të dobëta, por edhe të forta, pasi nuk mendoj se nuk janë pa pika të forta.

Jeni “vrasës” me kokë, e keni rezervuar një gol ndaj gjeorgjianeve, duke parë se ata janë skuadër relativisht shtatshkurtër?

E rëndësishme është të fitojmë. Nëse shënoj unë është akoma më mirë normalisht, por këtë ia lëmë fushës. Dëshira parësore është që të kualifikohemi dhe të arrijmë në raundin e dytë.

Si ju duken afrimet e Partizanit? Jeni mësuar të keni Hoxhën pas, por së shpejti mund të keni Rexhepin.

Nuk besoj se kanë mbaruar këtu afrimet e Partizanit. Ka ende merkato dhe ne presim lojtarë që të na plotësohet ekipi në pozicionet që ende janë bosh. Normale, jam mësuar me Hoxhën, e kam privilegj të luaj përkrah tij. Ndoshta do të vazhdoj të luaj përkrahë Albanit, kush ta meritojë portën mes tij dhe Rexhepit, le të jetë mes shtyllave.

Jeni i lumtur për ardhjen e Hotit dhe sa të vështirë e kishit përballjen me të kur ishte te Tirana?

Jam i lumtur me ardhjen e Hotit. E kemi pasur kundërshtar dhe përballë tij kam hasur vështirësi, sepse është një lojtar i fortë. Mendoj se drejtuesit kanë bërë zgjedhjen e duhur që e kanë afruar në ekip.

Me gjithë afrimet dhe largimet e ndodhura deri tani, është Partizani më i fortë?

Duke parë afrimet dhe largimet, mendoj se kanë ardhur lojtarë me shumë eksperiencë, siç është edhe Telushi, që do të na ndihmojë jashtëzakonisht si brenda dhe jashtë fushës në atmosferën e ekipit dhe në aspektin psikologjik. Ai është një mjeshtër i Kategorisë Superiore. Partizani është duke u forcuar, sepse duhen plotësuar me patjetër boshllëqet që janë lënë nga lojtarët e larguar. Po presim lojtarë, që do të jenë të gatshëm për në Europë.

Do ta sulmoni titullin e vitit të ardhshëm?

Mendoj se është ende herët për të menduar për këtë. Të kalojmë fillimisht Ligën e Konferencës dhe më pas do të vendosim se çfarë synimesh do të ketë klubi në vitin e ardhshëm.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"