EKSKLUZIVE/ “Është depozituar projektligji që lejon shitjen e aksioneve”, ish-avokati i klubit: Ja si privatizohet Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 14:46

EKSKLUZIVE/ “Është depozituar projektligji që lejon shitjen e aksioneve”, ish-avokati i klubit: Ja si privatizohet Vllaznia

Pas 8 vitesh që administrohet prej Bashkisë Shkodër, Vllaznia mund të ketë një president. Zyrtarisht ka edhe kandidatë, e megjithatë ende nuk është hedhur asnjë hap konkret për të “kopsitur” procedurat. Thuhet që ka pengesa ligjore, por Apollon Haxhi mendon ndryshe.

Apollon Haxhi

Avokati i mirënjohur, i cili ka qenë edhe pjesë e klubit gjatë kohës së Valter Fushajt, ka shpjeguar me detaje që të gjithë procesin që mund të ndiqet. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai saktëson se është gati një projektligj për këtë çështje dhe se problemi i vetëm që kanë në Shkodër është mungesa e dëshirës për ta privatizuar.

Z.Haxhi, Vllaznia po vuan për të gjetur një president dhe flitet se pengesa më e madhe vjen nga mungesa e ligjit…

Në datën 03.03.2020 është depozituar në zyrat e Kuvendit, projektligji që synon privatizimin tërësor të klubeve sportive në përgjithësi, ku përfshihen edhe klubet e futbollit. Në projektligj flitet për shndërrimin e klubeve sportive në shoqëri tregtare e shoqëri aksionere, që në të ardhmen mund edhe të kuotohen në bursë. “KF Vllaznia sh.a” është shoqëri tregtare, por e paprivatizuar me kapital tërësisht shtetëror.

Në këto kushte, ky ligj e përfshin “KF Vllaznia” për sa u takon procedurave të privatizimit. Dhe konkretisht, autoriteti përgjegjës për nxjerrjen në privatizim (shitje aksionesh), është Bashkia Shkodër dhe jo më ministria përkatëse. Privatizimi bëhet sipas rregullave të përcaktuara në ligjin “Për ankandin publik” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Cila është e reja e këtij projektligji?

E reja e këtij projektligji është se së bashku me stemën dhe historinë e klubit në procesin e tjetërsimit të aksioneve, hynë edhe asetet e klubit, pra terrenet stërvitore apo edhe pjesë hoteliere etj.

VLLAZNIA

Pas vlerësimit financiar të tyre, bëhen pjesë e kapitalit themeltar. Projektligji synon që blerësit e mundshëm të këtyre aksioneve të jenë njerëz që kanë pasur apo kanë lidhje me sportin dhe jo persona me kapital të dyshimtë. Kështu, si kriter themelor me pjesë 70% të pikëve gjatë ofertave të ndryshme janë ata investitorë që kanë një projektzhvillimi ose kontribut të drejtpërdrejtë në klubin sportiv. Ndërkohë që vetëm 30% e kanë pikët për çmimin e ofruar.

Cili ka më shumë kredite te Vllaznia në këtë rast?

Në rastin konkret, te “KF Vllaznia” prioritarë janë ishpresidentët e kaluar të klubit. Pra pasardhësit e të ndjerit Myftar Çela, Agron Çela, Valter Fushaj apo edhe Xhevdet Amuli. Ndërkohë që një nga të interesuarit e sotëm, Alban Xhaferi, që nuk ka një të kaluar si ish- president i këtij klubi, mund të ketë një planzhvillimi të mbështetur financiarisht që i jep prioritet.

Na zbuloni ndonjë detaj më tepër nga kjo paketë?

Paketën kontrolluese sipas projektligjit duhet ta kenë aksionerët privatë, pasi sipas rastit privatizohen aksionet nga 51% deri në 100%. Një pikë tjetër e rëndësisë së veçantë të këtij projektligji është edhe detyrimi që investitorët privatë të mos ndryshojnë destinacionin e terreneve sportive të paktën për 99 vjet. Edhe në rast të rindërtimit të këtyre objekteve sportive nga investitori privat, ato nuk ndryshojnë destinacion. Kontratat për shitjen apo tjetërsimin e aksioneve të investitorit privat nënshkruhen nga titullari i Bashkisë Shkodër dhe miratohen në Këshillin Bashkiak.

Çfarë pritet nga ky projektligj?

Pra, nëpërmjet këtij projektligji synohet përmirësimi i infrastrukturës sportive dhe situatës financiare të klubeve. Me këtë projektligj që shpresojmë të kthehet në ligj të paktën në muajt e ardhshëm shtator apo tetor, mundësia e shitjes së aksioneve të “FK Vllaznia” të jetë e shpejtë nisur nga reduktimi i procedurave të ligjeve të mëparshme. Por duhet theksuar se edhe ligji për ankandin publik ka procedurat e tij gjatë procesit të shitjes së aksioneve nga fillimi i procesit e deri tek ankimimi në gjykatë nga palët që nuk fituan.

Pra, Vllaznia nuk ka ndonjë pengesë që të shkojë drejt privatizimit?

Përfundimisht privatizimi i aksioneve të “KF Vllaznia” duhet të ketë së pari vullnet nga ata që e nxjerrin në shitje dhe së dyti të ndiqen sa më shpejt procedurat për përfundimin e procesit. Deri më sot me sa jam në dijeni, kemi vetëm një vlerësim të stemës dhe historisë së klubit, në një kohë që duhen vlerësuar edhe asetet që do të futen në kapitalin themeltar dhe as edhe një tentativë për tjetërsim të aksioneve.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"