EKSKLUZIVE/ Nevil Dede prezantohet te Erzeni: Ja plani për elitën, klubit i kam kërkuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2021 | 17:00


EKSKLUZIVE/ Nevil Dede prezantohet te Erzeni: Ja plani për elitën, klubit i kam kërkuar…

Erzeni ka prezantuar zyrtarisht trajnerin e ri, Nevil Dede. Në një takim të organizuar nga kryetari i Bashkisë, Elton Arbana, ku ishin të ftuar figura të futbollit shijakas, u prezantua trajneri kryeqytetas si njeriu që do të udhëheqë Erzenin drejt suksesit. Synimi madhor i klubit në sezonin 2021-2022 do të jetë ngjitja në Kategorinë Superiore pas 18 vitesh.

nevil dede 1Kryebashkiaku Arbana dhe trajneri Dede gjatë prezantimit

Në diskutimin që kreu i klubit shijakas pati me trajnerin dhe drejtuesit e tjerë të Erzenit u vendos theksi për mënyrën se si do të punohet në vazhdimësi, ku fokusi është merkatoja dhe faza përgatitore.

Fillimisht skuadra ka nisur stërvitjen në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmes, që ndodhet afër Shijakut. Në ditën e prezantimit të Dedes janë konfirmuar edhe afrimet e portierit Isli Hidi, që së fundmi ishte pjesë e Kastriotit; mesfushorët Fadil Meta dhe Orian Xhemalaj, që vijnë nga Egnatia; si dhe sulmuesi i njohur Jasmin Raboshta, i cili luajti në kampionatin e kaluar me Burrelin.

TRAJNERI

Nevil Dede ka folur për herë të parë si trajner i Erzenit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai tregoi synimet që ka nën drejtimin e shijakasve dhe kërkesat ndaj klubit për ndërtimin e skuadrës dhe kushtet për stërvitje. “Së pari, dua të falënderoj këdo që është sot (dje) këtu me mua, në këtë prezantim si trajner i Erzenit. Përpara firmosjes, i kam kërkuar klubit që të plotësojë disa pika kryesore për sa i përket skuadrës. Nëse do të flasim me përqindje, drejtuesit kanë arritur të plotësojnë gati 70% të kërkesave me katër afrimet e bëra së fundi.

Gjithashtu, me shumë kënaqësi e them që punimet në stadium nuk kanë munguar, sidomos me fushën. Kjo është vërtet diçka e mirë për lojtarët. Nuk kemi mbaruar punë ende me merkaton, pasi negociatat po vazhdojnë me seriozitetin më të madh, që unë të kem në dispozicion ata elementë të cilët mendojmë se do të formojnë një ekip konkurrues.

Synimi kryesor është Superiorja, por nuk dua që kjo ngjitje të mbetet thjesht një kalim nga kategoria në kategori, por si një largpamësi. Financat e sigurta, njerëzit e duhur, si në staf, ashtu dhe në drejtimin e klubit, por edhe ambienti, do të bëjnë të mundur një projektin me jetëgjatësi”, ka thënë dje për gazetën trajneri i ri i Erzenit, i cili së fundmi ka drejtuar Tiranën dhe Kombëtaren U-19.

AFRIMET

Erzeni ka zbritur në fushë pas një periudhe pushimi prej afro dymujore. Rinisja e stërvitjes me në krye Deden ka qenë suprizuese, pasi në grupin prej 20 lojtarësh, përveç të konfirmuarve të sezonit të kaluar, kanë qenë edhe afrimet më të fundit. Bëhet fjalë për katër transferime, duke filluar me goditjen më të bujshme, portierin 40- vjeçar, Isli Hidi, që dikur ka qenë edhe pjesë e Kombëtares. Eksperienca e tij do të japë siguri në ekip, duke i dhënë garanci Dedes.

Nga ana tjetër, mesfushorët Fadil Meta dhe Orian Xhemalaj kanë përvojën e duhur në Kategorinë e Parë dhe do të ndihmojnë Erzenin në ngjitjen në elitë. Për këtë të fundit është një rikthim për herë të katërt në Shijak, sepse më parë ka mbajtur veshur fanellën e kësaj skuadre në sezonet 2014-2015, 2016-2017 dhe 2019-2020.

Në kampionatin e fundit 32- vjeçari ishte pjese e Egnatias, ku luajti titullar të gjitha ndeshjet në kampionat dhe shënoi 2 gola. Ndërsa një afrim i bujshëm mund të konsiderohet sulmuesi shkodran, Jasmin Raboshta, i cili pas një aventurë me Burrelin, ka vendosur që të bashkëpunojë me Erzenin për objektivin madhor.

Mësohet gjithashtu se trajneri Nevil Dede i ka sugjeruar disa emra të tjerë klubit për të afruar në skuadër, në mënyrë që grupi të jetë i kompletuar. Në ditët e ardhshme klubi do të fiksojë edhe vendin ku do të kryejë fazën përgatitore. Tashmë Dede ka kohën e duhur për të punuar me ekipin, pasi kampionati i Kategorisë së Parë është parashikuar të fillojë më 11 shtator.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL



Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/