EKSKLUZIVE/ Erzeni i ri më në fund nis punën, shlyhen lojtarët dhe nisin bisedimet për rinovime e merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2022 | 20:02

EKSKLUZIVE/ Erzeni i ri më në fund nis punën, shlyhen lojtarët dhe nisin bisedimet për rinovime e merkato

Erzeni më në fund ka filluar punën për përgatitjen e sezonit të ri. Klubi i Shijakut ishte i vetmi që nuk kishte bërë lëvizje konkrete dhe kishin lindur dyshime për projektin sportiv të kthimit në elitën e futbollit shqiptar pas shumë vitesh.

Erzeni

“Panorama Sport” ka mësuar se sot janë shlyer të gjithë lojtarët që mbyllën sezonin e kaluar. Futbollistët kanë qenë në Shijak dhe kanë marrë secili katër pagat mujore që u detyrohej klubi si të prapambetura, duke mbyllur kështu këtë kapitull që kishte vënë në jo pak vështirësi shijakasit.

Megjithatë, takimi për shlyerjen e detyrimeve ka qenë jo vetëm për këtë arsye, pasi aty ishin të pranishëm përveç kryebashkiakut të Shijakut dhe donatorëve të ekipit, edhe trajneri i emëruar pak ditë më parë, Xhevahir Kapllani.

Futbollistët Dritmir Beci, Xhuljo Mehmeti, Ersil Ymeri, Fadil Meta dhe Albi Xhabrahimi janë nën kontratë dhe pas takimit të sotëm, pritet që të vazhdojnë edhe në sezonin e ri në radhët e këtij ekipi në Superiore. Ndërkohë, pjesa tjetër e skuadrës janë të lirë dhe do të nisin që nga dita e sotme bisedimet për rinovim me secilin prej tyre nëse trajneri Kallani do të shohë të arsyeshme që të mbajë këta futbollistë.

Paralelisht, ka nisur puna edhe për merkaton, me afrimet e reja që do të zyrtarizohen ditë pas dite duke plotësuar grupin që do të ketë në dispozicion tekniku për fazën përgatitore. Skuadra do të ketë rreth një muaj kohë për t’u formatuar plotësisht për kthimin në Superiore, ku kërkohet një paraqitje sa më dinjitoze teksa do të jetë si objektiv parësor mbijetesa në elitë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"