EKSKLUZIVE/ Eros Grezda zbulon të ardhmen: Rejnxhërs gaboi me mua, ja e vërteta e lidhjes me Oriola Marashin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2021 | 11:52

EKSKLUZIVE/ Eros Grezda zbulon të ardhmen: Rejnxhërs gaboi me mua, ja e vërteta e lidhjes me Oriola Marashin

Janar 2019. Eros Grezda ndërpret fazën përgatitore në Spanjë me Rejnxhërs për shkak të një dëmtimi në kavilje. Shumë dhimbje, por vetëm terapi për mesfushorin me tipare ofensive të Kombëtares shqiptare. Rikthim në fushë, dhimbje dhe operacion në Kroaci. Sërish jashtë. Kthim i përshpejtuar, dhimbje dhe sërish ndërhyrje. Prej katër muajsh, djaloshi i Kombëtares dhe Osijekut është jashtë fushave. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Eros Grezda rrëfen kalvarin e dëmtimit në kaviljen e majtë. Jo vetëm kaq, por 25-vjeçari flet edhe për lidhjen me modelen Oriola Marashi dhe lajmet e publikuara për plane fejese. Shkurt 2021, djaloshi ka ende besim se do të rikthehet më i fortë dhe më në formë sesa më parë…

Eros-Grezda

Eros, si jeni dhe si është aktualisht gjendja juaj fizike?

Faleminderit! Jam mirë me shëndet, por jo fizikisht. Pra, gjendja ime fizike nuk është e mirë, pavarësisht se po punoj shumë dhe po stërvitem shumë. Në fakt, gjatë rikthimit kam pasur sërish probleme. Edhe tani që u riktheva të punoj dhe të stërvitem, më ka sjellë prapë probleme sepse është dashur që të stërvitem dy ditë, të rri dy të tjera pushim e sërish e sërish e njëjta gjë. Nuk ka qenë rikthim i mirë.

Po çfarë po bëni tani?

Tani jam prapë në një fazë riaftësimi, për 14 ditë, një terapi për t’u rikuperuar. Si të thuash, jam kthyer sërish dy-tre hapa pas. Me të gjithë këtë që po kaloj apo gjithçka që kam kaluar, shpresoj që ky dëmtim t’i ketë përmbledhur të gjitha dhe të mos kem më asnjë shqetësim në karrierë.

Grezda, pse ndodhi kjo? U bë keq operacioni apo dëmtimi juaj në kavilje ishte kaq shumë i rëndë?

Në fakt, operacioni ka shkuar në mënyrën më të mirë. Dëmtimi ka qenë i rëndë, por problemi ka qenë se edhe unë, edhe stafi mjekësor kemi nxituar që të rikthehem në fushë. Kemi dashur të shpejtojmë, por nuk ka rezultuar gjëja e duhur për t’u bërë.

Që nga Rejnxhërsi deri tani, si e përshkruani të gjithë kalvarin e dëmtimit?

Siç e thatë edhe ju, jam dëmtuar që kur isha te Rejnxhërs dhe me të vërtetë ka qenë një periudhë shumë, shumë e komplikuar për mua. Në peri udhën e dëmtimit në Skoci, Rejnxhërsi nuk më bëri operacion, por vendosi që të trajtohesha në një mënyrë tjetër që unë ta kaloja këtë dëmtim. Mirëpo, rezultoi shumë e keqe dhe shumë e dëmshme kjo gjë. Nuk ka qenë aspak në favorin tim. Nga ajo periudhë, kur erdha tek Osijeku, pata gjithë kohës probleme me këmbën, deri në një pikë kur unë nuk po duroja dot më nga dhimbjet që kisha. Kur shkova të bëja rezonancën dhe kontrollet specifike, doli që dëmtimi im kishte patjetër nevojë për operacion. E bëra ndërhyrjen e parë, u riktheva, kisha prapë probleme dhe u operova sërish. Në të njëjtën këmbë. I njëjti dëmtim në kavilje. Kanë kaluar katër muaj nga ky operacion i dytë dhe nuk jam ende në gjendjen që duhet. Sidoqoftë, unë shpresoj që do ta kaloj këtë gjendje e do të rikthehem edhe më i fortë sesa forma ime më e mirë para dëmtimit.

Kaq shumë dhimbje dhe probleme prej një dëmtimi, ku e gjen forcën Grezda për të mos u dorëzuar edhe pas gati 2 vitesh?

Shumë e vërtetë. E gjithë kjo periudhë, këto dy vitet e fundit më kanë shkaktuar shumë dhimbje fizike, lodhje psikike. Nuk është e lehtë që të jesh për një kohë të gjatë i dëmtuar dhe të luash me dhimbje siç kam luajtur unë. Shumë pak njerëz e dinë se çfarë vuajtjeje ka qenë vërtet për mua në këto dy vite, sidomos muajt e fundit. Mirëpo, në karakter e kam gjithmonë që të mos dorëzohem. Asnjëherë! Gjithçka kam arritur, e kam bërë falë karakterit tim, falë punës sime të madhe. Sidoqoftë, unë jam akoma i ri dhe kam akoma shumë besim dhe forcë që të punoj dhe të rikthehem edhe një herë në formën time më të mirë.

grezda

Së fundmi, emri juaj është në listën e dëshirave të ishtrajnerit të Osijekut, Zekiç, i cili ju kërkon në Hungari. Çfarë do të ndodhë?

Me atë trajner unë kam pasur raportet më të mira, sepse edhe suksesin më të madh e kam arritur me atë. Kemi një raport shumë miqësor. Realisht, është e vërtetë, sepse ai donte që të më ndihmonte dhe që unë të shkoja në Hungari për tre apo katër muaj. Për mua, si mundësi, që të arrija formën time, por edhe që ta ndihmoja atë. Mirëpo, u mendova gjatë, duke e ditur që nuk jam në formën time më të mirë fizike dhe nuk e di nëse realisht mund ta ndihmoj vërtetë atë. Prandaj, kam vendosur që të mos shkoj. Do të rri tek Osijeku.

Si e keni kaluar kohën gjatë kësaj periudhe pa stërvitje dhe larg ekipit?

Kam qenë dy vite komplet jashtë. Kam luajtur, por nuk kam qenë në formën time prej dëmtimeve. Këta katër muajt e fundit kam bërë edhe pushimin më të gjatë. Nuk kam luajtur. Është shumë e vështirë sepse jam mësuar gjithmonë me stërvitje dhe ndeshje. Realisht më mungon ky ritëm. Mirëpo, kjo është jeta. Ka ulje-ngritjet. Sot je, nesër nuk je. Pasnesër mund të jesh prapë, ndaj nuk duhet asnjëherë që të dorëzohemi. Nuk duhet ndalur asnjë moment së besuari për të arritur atë që do.

Grezda, si e keni parë shortin e Kombëtares dhe, sipas jush, çfarë duhet të synojë Shqipëria?

Është një short shumë i vështirë, duke parë jo vetëm Anglinë, por edhe forcën që kanë Polonia apo edhe Hungaria. Mirëpo, me futbollin e ditëve të sotme, edhe ne e kemi treguar apo edhe shumë skuadra të nivelit tonë, që konsiderohen ekipe të vogla në letër, mund të bëjnë dëm dhe mund të arrijnë që të përballojnë me sukses edhe skuadrat e mëdha. Unë kam besim dhe jam optimist se Shqipëria mund të bëjë shumë mirë në këto kualifikuese.

grezda-770x470

Grezda, përpos kësaj, ka pasur edhe lajme të bukura për jetën tuaj private. Është aluduar për plane fejese apo martese mes jush dhe modeles Oriola Marashi?

Pikësëpari, nuk është e vërtetë që as jemi fejuar dhe as që të jemi në prag të fejesës. E vërteta e gjithë kësaj është që ne jemi të lidhur dhe jemi shumë të lumtur me njëri-tjetrin. Po kalojmë shumë mirë. Kaq! Realisht, gjatë gjithë kësaj kohe Oriola ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për mua. Kam pasur momente të vështira dhe më ka qëndruar shumë, shumë pranë. I jam shumë falënderues për këtë. Sa u përket ceremonive dhe këtyre planeve, janë akoma shumë larg (qesh…).

Eros, ju ka bërë Oriola juve më të dhënë pas modës dhe veshjeve “fashion” apo e keni bërë ju modelen të jetë më shumë tifoze futbolli?

Jo fare, unë kam qenë gjithmonë i dhënë pas veshjeve të bukura (qesh…). Kështu që, nuk jam bërë më shumë ose më pak. Kurse Oriola është bërë shumë herë më shumë tifoze dhe ndjekëse e futbollit sesa ka qenë më parë.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"