EKSKLUZIVE/ Erjon Bogdani hedh dorashkën: Jam gati të drejtoj Partizanin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2019 | 0:05

EKSKLUZIVE/ Erjon Bogdani hedh dorashkën: Jam gati të drejtoj Partizanin (E PLOTË)

Në momentin kur një skuadër është pa trajner, gjithkush në rrethin e ngushtë sportiv ka një alternativë dhe një emër që e lidh me pankinën. Momentalisht, dy skuadrat kryeqytetase janë në kërkim të pasuesve për Lerdën dhe Ahmatajn. E teksa në rrethet sportive në vend po qarkullon edhe emri i ish-bomberit rekordmen të Kombëtares si një alternativë e mundshme, gazeta kontaktoi ekskluzivisht me të. 

erion bogdani

Për “Panorama Sport”, Erjon Bogdani shprehet i gatshëm për të marrë të kuqtë, porse nënvizon edhe cilësinë në skuadër dhe synimin e saj për ta ruajtur titullin kampion. Ndër të tjera, ai komenton derbin, këshillën për klubet shqiptare por edhe ecurinë e Rejas në ekipin kombëtar.

Gëzuar Krishtlindjen. Ku po i kalon festat Bogdani dhe me çfarë po merreni aktualisht?

Festat e Krishtlindjes po i festoj me familjen në Itali, kurse vitin e ri do ta kaloj në Palermo te shoku im, i cili është drejtor i “Palermo Calcio”. Aktualisht po ndjek shumë ndeshje dhe nesër (dot) do të jem në stadium për të parë sfidën mes Frozinones dhe Krotones në Serinë B.

erjon bogdani

Cilat janë planet afatshkurtër të Bogdanit? 

Plan kryesor për mua është që të azhornohem sa më shumë me zhvillimet e futbollit të sotëm, duke parë stërvitje dhe ndeshje sa më shumë, në pritje të ndonjë pankine për të filluar të stërvis.

Bogdani, emri juaj është lakuar së fundmi në rrethet sportive si një alternativë e mundshme për stolin e Partizanit. Si është e vërteta?

Muajin e fundit unë e kam kaluar në Tiranë dhe gjithashtu kam ndjekur disa ndeshje të kampionatit shqiptar. Të jem i drejtpërdrejtë, kam takuar shumë tifozë të Partizanit dhe të Tiranës e më kanë shprehur dëshirat e tyre për t’i stërvitur këto skuadra. Por të them të drejtën, nuk kam kontaktuar asnjëherë me drejtuesit e skuadrave për të folur për këtë çështje.

A do të ishit gati për një mundësi të tillë, në rast se ju vjen ndonjë ofertë nga Partizani?

Patjetër që jam gati! Megjithatë, që një trajner të stërvisë një skuadër, duhet të bisedojë disa herë me presidentin apo drejtorin për objektivat që kanë.

bogdani

Thatë që keni ndjekur disa ndeshje të kampionatit shqiptar. Konkretisht, me syrin e një trajneri, cilat shihni si pika të dobëta dhe të forta të Partizanit?

Partizanin e kam parë vetëm në derbi dhe unë mendoj se nuk është mirë që të flasësh për një skuadër duke e ndjekur në vetëm një ndeshje. Por mund të them se Partizani ka një ekip të mirë dhe me lojtarë të mirë. Megjithatë, ndeshjen derbi e meritoi Tirana që ta fitonte, sepse tregoi më tepër shpirt gare dhe dëshirë për ta fituar.

Mbi dy dekada më parë, keni shkëlqyer te Partizani. A keni njëfarë nostalgjie për atë periudhë? 

Patjetër që kam nostalgji… Unë jam rritur si sportist te Partizani dhe më vjen mirë që ky ekip është rikthyer me plot kuptimin e fjalës një skuadër pretendente për të fituar kampionatin. Pra një skuadër që ka bërë historinë në Shqipëri.

 A jeni ende i lidhur me atë klub, apo profesioni i trajnerit jua zbeh fanatizmin rreth tij?

Profesioni i trajnerit nënkupton që të japësh më të mirën te skuadra ku shkon. Pastaj karriera e Bogdanit si futbollist ka filluar te Partizani dhe kjo nuk harrohet asnjëherë.

 Bogdani, edhe Tirana është një ekip pa trajner. Nëse në telefonin tuaj ka një ofertë nga drejtuesit e saj, si do përgjigjeshit? 

Partizani dhe Tirana janë ekipe elitë të kampionatit shqiptar… Të jesh trajner duhet të flasësh për objektivat dhe lojtarët që ke në dispozicion dhe projektin që ato kanë. Nuk mund të përgjigjesh për historinë që kanë klubet. Çdo gjë ka kohën e vet…

Çfarë doni të thoni me këtë? 

Në sensin që nuk mund të ndryshosh 10 futbollistë dhe të dalësh kampion.

Bogdani ne kombetare

 Si e keni parë kampionatin shqiptar dhe sipas jush ngjeshja e ekipeve në klasifikim, përkthehet në garë më të fortë apo me nivel në rënie?

Kampionati shqiptar ka baraspeshë dhe vëren nga java në javë që nuk ka ndeshje të lehta. Kukësi është një skuadër e kompletuar dhe luan mirë. Partizani është kampionia në fuqi dhe do rikthehet për të rivalizuar për titull, në tentativën për ta mbrojtur atë. Tirana, pas këtyre 3 fitoreve radhazi, ka marrë besim te forca që ato kanë. Nuk e kam parë Bylisin të komentoj shumë, por kam vënë re në bazë të rezultateve që ka bërë mirë, së bashku me Laçin.

Në Shqipëri, prej disa vitesh po mungojnë “bomberat e racës”. Pse mendoni se po ndodh kjo? 

Unë mendoj se klubet elitë që përmenda më sipër duhet t’i japin më shumë përparësi edhe akademisë së tyre. E them këtë sepse jo çdo futbollist që merr nga jashtë, del produktiv. Edhe pse Shkurtaj, Bardhi, Muçi, Xhixha apo edhe ndonjë emër tjetër po paraqiten mirë në këtë kampionat.

Edi Reja e mbylli një edicion me Kombëtaren. Çfarë ka fituar Shqipëria me të dhe çfarë duhej bërë më mirë? 

Unë mendoj se ka fituar një lloj stabiliteti që nuk e kishte më përpara. Gjithashtu, tani ai i njeh më mirë lojtarët dhe në të ardhmen do të shikojmë objektivat që do të vendosë dhe arrijë kjo Kombëtare.

Kush është trajneri që ju inspiron? 

Janë disa. Në përgjithësi, Klop, Guardiola dhe Konte.

Cila ka qenë skema juaj e preferuar kur keni qenë futbollist? Po tani si trajner? 

Trajneri skemën e bën në bazë të futbollistëve që ka për arsyen e thjeshtë që ata të shprehen në mënyrën më të mirë të mundshme.

Cilat janë kërkesat bazike, të panegociueshme të Bogdanit si trajner për lojtarët? 

Kërkesa të panegociueshme nuk kam, por rregullat që vendos klubi, apo edhe ato që vendosen bashkë me lojtarët, duhet të respektohen.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"