EKSKLUZIVE/ Erdhi me bujë, Kukësi projekton largimin e sulmuesit. Rikthehet pista e serbit Muliç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2018 | 20:45

EKSKLUZIVE/ Erdhi me bujë, Kukësi projekton largimin e sulmuesit. Rikthehet pista e serbit Muliç

Kukësi është në kërkim të një sulmuesi, pasi drejtuesit kërkojnë më shumë sulm ose më saktë janë të pakënaqur nga ky sektor, ku nga 9 gola të shënuar deri tani, 4 i kanë realizuar Shameti dhe Melo, të cilët kanë zgjidhur situata mjaft të sikletshme të Kukësit. Kukësi nuk ka alternativë tjetër të dytë në sulm, jo vetëm për ndeshjen e radhës me Laçin, por dhe për takimet pasardhëse.

harba

Trajneri Cungu thuajse e ka përjashtuar sulmuesin tjetër të Kukësit, Haris Harba, të cilit i dha hapësira në fillim, por në katër takime që e ka aktivizuar, ai nuk e ka bindur në asnjë aspekt stafin teknik. Nisur nga ky fakt, “Panorama Sport” mëson në mënyrë ekskluzive se drejtuesit e kanë hapur që tani merkaton dhe kanë nisur fushatën për të gjetur një sulmues tjetër. Boshnjaku nuk është në planet e stafit dhe ai shikohet i ikur, ndaj prishja e marrëveshjes pritet të ndodhë para hapjes së merkatos së janarit.

Kështu, me Harbën gjithçka është thuajse e mbyllur, ku dhe vetë sulmuesi është mjaft i mërzitur nga kjo situatë dhe është i predispozuar të kërkojë largimin para kohe. Drejtuesit kanë hyrë në merkato para kohe dhe po diskutohet me disa sulmues potentë. Një alternativë është Fejsal Muliç, gjiganti i sulmit të Hapoel Tel Aviv, me të cilin verilindorët u prishën për shkak të pagesës së majme të sulmuesit serb, rreth 15 mijë euro në muaj.

Por, duke parë gjendjen e ekipit, konkurrencën e fortë me rivalët, presidenti Gjici mund të bëjë një sforco financiare më qëllim blindimin e këtij reparti. Me largimin e Harbës, klubi do lirohet pak nga pagesat, pasi boshnjaku paguhet rreth 5 mijë euro në muaj, e këto para plus shtesën mund të shkojnë pikërisht për zëvendësuesin e tij. Gjithsesi, stafi teknik është i detyruar që t’i marrë më të mirën grupit që ka deri në fund të dhjetorit dhe më pas të varen shpresat për ndonjë përforcim në merkaton e dimrit. Kukësi bëri një merkato voluminoze në verë, por afrimet nuk qëlluan të goditura, nisur nga ajo që kanë dhënë deri tani. Shumë prej lojtarëve të ardhur në verë, pritet që t’u tregohet dera para festave të fundvitit.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"