EKSKLUZIVE/ Epoka “Daja” nis nga stadiumi i ri, zbulohet plani i Partizanit. Ka mbetur vetëm tapeti, klubi i kuq pret…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2020 | 13:38

EKSKLUZIVE/ Epoka “Daja” nis nga stadiumi i ri, zbulohet plani i Partizanit. Ka mbetur vetëm tapeti, klubi i kuq pret…

Trajneri i ri pritet të prezantohet të hënën nga ambientet e stadiumit të ri. Është kjo ideja që ka klubi i Partizanit për ditën kur do të zyrtarizojë Ilir Dajën në pankinë. Deri më tani klubi i kuq nuk ka dashur të zbulojë asgjë, por “Panorama Sport” mëson se drejtuesit kanë vendosur të bëjnë diçka ndryshe në prezantimin e stafit teknik që do të kryesohet nga Ilir Daja, ndërsa ndihmësit e tij do të jenë Artim Pollozhani dhe Ilir Bozhiqi.

ilir daja

Burime në klub treguan dje për gazetën se po mendohet që të hënën të ftohen mediat për prezantimin e Dajës nga ambientet e kompleksit të ri të klubit, ku krahas kuriozitetit për projektin me trajnerin që ka fituar titullin me Skënderbeun, Dinamon dhe Elbasanin, të shikohet nga të gjithë edhe se deri në çfarë pike kanë ecur punimet.

Pandemia i prishi disi planet, por gjithsesi tashmë inaugurimi i kompleksit duket se është çështje ditësh dhe synimi i klubit mbetet që skuadra të luajë ndeshjet e sezonit të ri në stadiumin e vet. Mësohet se punimet kanë ecur me ritme të kënaqshme dhe brenda pritshmërive të drejtuesve për vetë situatën jo të zakontë.

TAPETI

Vendosja e një tapeti me bar natyral dhe një tjetri me bar artificial, në mënyrë që skuadrat e klubit të kuq të nisin punën në stadiumin e ri, janë aktualisht gjërat më primare për t’u zgjidhur. Jo më kot drejtuesit e firmës që zbaton projektin dhe klubi i kuq kanë vendosur që këto detaje të lihen në fazën finale të punimeve. Presidenca kërkon që cilësia e tapetit me bar natyral në stadiumin e ri, si dhe ai artificial në një nga anekset, të jetë i një niveli shumë të lartë. Aktualisht ka përfunduar 90% e punimeve dhe mbetet për t’u vendosur tapeti i fushave dhe aksesorët në godinat e ndërtuara.

Ndertimi i stadiumit Partizani

Të njëjtat burime tregojnë se Partizani pret FSHF-në për të dhënë asistencën e saj, dhe mbi të gjitha, të ndihmojë klubin me fushat në këtë investim gjigant që po bën. Natyrisht, vendosja e tapetit në stadiumin që ka një kapacitet prej 4 mijë vendesh, kërkon 45 ditë kohë derisa bari të jetë gati dhe më pas të testohet me një ndeshje. Gjithsesi, mendohet se brenda muajit tetor gjithçka do të jetë gati në stadiumin e ndërtuar në zonën afër Tufinës, në periferi të kryeqytetit.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"