EKSKLUZIVE/ “Ëndërroj që një ditë të drejtoj ish-ekipin”, Hallaçi: Kukësi merr titullin, Tirana e ka frikë Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 21:17

EKSKLUZIVE/ “Ëndërroj që një ditë të drejtoj ish-ekipin”, Hallaçi: Kukësi merr titullin, Tirana e ka frikë Partizanin

Rraman Hallaçi e sheh Kukësin për titull. Humbja që i kushtoi kreun, ish-kapiteni e quan mungesë fati. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai skanon me detaje atë takim ndaj Tiranës, madje nuk ngurron që t’i provokojë këta të fundit para derbit të madh të kryeqytetit. Ai na rrëfen edhe ëndrrën e madhe që pa për të drejtuar një ditë ekipin e vendlindjes, por në të njëjtën kohë nuk i kursen elozhet për punën e bërë nga Shpëtim Duro.auto_rrahman-hallaci1558722771

Pas shumë kohësh ndoqët Kukësin nga afër. Çfarë ndjetë?

Sigurisht që ndiej emocion kur shikoj skuadrën e vendlindjes sime dhe skuadrën që më bëri kampion. Në një moment më dukej sikur isha në pankinë, pasi jam shumë i lidhur me këtë ekip, mbi të gjitha me presidentin.

Pamë që tifozë të shumtë dhe sportdashës ju përqafonin dhe mbështesnin, çfarë ju thanë konkretisht?

U takova me shumë tifozë kuksianë, është kënaqësi e veçantë, pasi ata më kanë mbështetur shumë gjatë viteve të suksesshme te Kukësi. Kujtuam disa momente të veçanta, disa nga tifozët më thanë pse nuk je aty poshtë në pankinë, ndërsa u thashë se me zemër jam aty. U ndjeva mirë pasi takova shumë tifozë kuksianë, miq, të njohur ndër vite, dashamirës të klubit. Bëmë shumë foto pasi kishim pak kohë pa u parë.

Ish-ekipi yt ishte shumë pranë fitores me Tiranën, por në 4 minutat e fundit bëri “vetëvrasje”. Si e pa Hallaçi atë takim dhe çfarë nuk shkoi siç duhet me Kukësin?

Skuadra e Kukësit nuk e filloi mirë ndeshjen, por më pas e mori situatën në dorë dhe ishte shumë afër golit në pjesën e parë. Në pjesën e dytë të takimit loja po shkonte mirë, mesfusha po e qarkullonte mirë topin dhe si rrjedhojë erdhi dhe goli, pasi Tirana u vu nën presion. Abazaj ishte në formë dhe po bënte çdo gjë mirë, por i mungoi goli. Tirana nuk ishte e frikshme në sulm, por erdhi kartoni i kuq për Kukësin e në të njëjtin moment erdhi dhe goli e situata u rëndua. Kishte dhe pak minuta dhe ishte e pafalshme të lejohej Kobina të driblonte cilindo që i dilte para. Me pak fat Tirana shënoi dhe golin e dytë, ndërsa më pas nuk kishte më kohë, pa harruar një lojtar mangët. Gjithsesi, ajo ndeshje iku, Kukësi aty është dhe do konkurrojë fort për titullin. Shpresoj të rikthehen të rimarrin kryesimin shumë shpejt.

Kukësi disa herë e ka pësuar në fund. Cilat janë arsyet sipas jush dhe çfarë duhet të rregullojë profesor Duro?

E vërtetë është, dy ndeshjet e fundit kanë marrë gola në fund. Me Bylisin ishte thjesht fat i keq, me Tiranën u dënua dy herë brenda 30 sekondash, karton dhe gol, por fati jo gjithmonë del kundër dhe tani besoj se e keqja ka kaluar. Trajneri Duro ka eksperiencën e duhur dhe do të dijë si të sillet me skuadrën në këtë moment. Jam shumë dakord me Duron që po i jep Ethemit hapësirë, është shumë në formë dhe i lëvizshëm. Trajneri Duro nuk ka nevojë për këshilla, ai gjithmonë ia del në fund.Hallaci

Si e shikoni garën për titull mbas humbjes së Kukësit me Tiranën?

Nuk ka asgjë për tu shqetësuar, Kukësi e di mirë rrjedhën e kampionatit, ku sot je i dyti, ndërsa nesër del përsëri i pari, sepse skuadra të jep garanci. Mbi të gjitha kualiteti i skuadrës është i madh dhe bën diferencën.

Luhet Tirana-Partizani, cili është më i favorizuar në këtë derbi?

Derbi është gjithnjë i veçantë. Tirana vjen në një moment të mirë, Partizani humbi dy pikë me Bylisin, por e ka në dorë rikthimin e pretendentit kryesor për titull. Të favorizuar nuk shikoj të them të drejtën, edhe pse Tirana është në krye. Bardheblutë kanë gjithmonë frikë ndaj “demave”, kjo është e sigurt.

Kukësi sfidon Teutën këtë javë, e kalueshme kjo transfertë?

Sfidë e fortë, pasi Teuta ka skuadër të mirë. Nëse Kukësi luan atë futboll që unë e kam thënë dhe më parë, futbollin total që po bën gjithë sezonin, do jetë shumë afër fitores. Mendoj se duhet dubluar Çyrbja, pasi është rreziku numër një, është shumë i shpejtë.Hallaci

Keni komunikuar me Safet Gjicin dhe a është gati Rraman Hallaçi të marrë drejtimin e Kukësit në një të ardhme?

Me presidentin flas gjithmonë dhe diskutojmë për çdo gjë. Presidenti më ka thënë kur kam lënë futbollin se dua të të fus në rrugën e trajningut. Unë e kam dëgjuar dhe kam marrë këshilla gjithmonë nga ai, edhe kur shkova tek ekipi U19 kam biseduar me të. Ëndërroj që një ditë të drejtoj Kukësin, por në këto momente dua që ata të fitojnë në Durrës, kjo është më e rëndësishme.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"