EKSKLUZIVE/ “Elitën ose gjobë”, Flamurtari presion brazilianëve, prishje kontrate nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2023 | 10:21

EKSKLUZIVE/ “Elitën ose gjobë”, Flamurtari presion brazilianëve, prishje kontrate nëse…

Sinan Idrizi kërkon kthesën e menjëher shme të Flamurtarit. Fitore me Besëlidhjen dhe Apoloninë, por edhe ngjitjen në elitë. Ky është kusht i panegociueshëm që ka vendosur për skuadrën në 5 ndeshjet e mbetura (përfshi këtu edhe fazën “play off”. “Kambanat” bien më shumë për brazilianët, të cilët janë “koloni” në Vlorë dhe për ta klubi ka shpenzuar jo pak.

flamurtari

“Panorama Sport” zbulon se presidenti u ka dërguar një e-mail pikërisht atyre, duke u kërkuar angazhim maksimal në këto takime të mbetura. Qartazi nuk ka në plan që të negociojë për objektivin. Në mesazhin e tij, kreu i klubit u kujton edhe ndëshkimet financiare.

Gazeta zbulon se në se nuk arrihet kalimi në Superiore, të gjithë lojtarëve do t’u mbahet 30% nga kontrata si një ndëshkim. Por në mënyrë kategorike, klubi do të prishë edhe kontratën. Kuptohet që më të rrezikuarit janë lojtarët e huaj dhe kryesisht ata brazilianë, të cilët kanë edhe pagesat më të larta.

“Ju kujtoj se duhet të jepni maksimumin tuaj në ndeshjet e mbetura si dhe në arritjen e objektivit të klubit. Deri tani, skuadra ka zhgënjyer. Si lojtarë që keni mbajtur peshën në skuadër, duhet që të kontribuoni në realizimin e ngjitjes së skuadrës në Superiore. Në rast të kundërt, do të ndëshkoheni sipas kontratës dhe ajo do të prishet”. Ky është mesazhi i administratorit Sinan Idrizi për lojtarët brazilianë.

TAKIMI ME “SENATORËT” – Pas humbjes në shtëpi me Tomorin, presidenti takoi edhe “senatorët” shqiptarë. Kreu i klubit ka kërkuar të mësojë prej tyre se çfarë ka ndodhur dhe se përse situata ka ardhur deri këtu.

“Panorama Sport” ka zbuluar se ata i kanë sqaruar se gjithçka është pasojë e mangësive që ka lëna ish-trajneri. E thënë troç, i janë ankuar për Marcelo Troisin: “Kemi pasur mangësi në përgatitjen fizike. Skuadra nuk është përgatitur siç duhet”.

Megjithëkëtë, administratori ka qenë i prerë dhe u ka kërkuar që ta nxjerrin Flamurtarin nga kjo situatë sa më shpejt. Pret që në ndeshjet e mbetura të respektojnë fanellën, duke realizuar edhe kodin e famshëm “2023”. Lojtarët i kanë premtuar maksimumin, si dhe seriozitet deri në finish.

E ARDHMJA E TRAJNERIT – Diego Longo mund të jetë i vetmi që mund të shfajësohet për situatën e krijuar, pasi gjeti një skuadër të ngritur nga të tjerët. E megjithatë, edhe ai do të ketë kostot e tij.

Nëse në fund, Flamurtari nuk do të ngjitet në Superiore, gjasat janë që të ndahen rrugët edhe me trajnerin. Kjo gjë në fakt edhe dihet, pasi italiani e ka pranuar këtë sfidë që në momentin që mori drejtimin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"