EKSKLUZIVE/ Egnatia nuk ndalet, marrin portierin e Strugës. Rrogozhinasit presin edhe një… mesfushor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2021 | 14:32

EKSKLUZIVE/ Egnatia nuk ndalet, marrin portierin e Strugës. Rrogozhinasit presin edhe një… mesfushor

Egnatia ka lënë dje Maqedoninë e Veriut dhe është rikthyer në Rrogozhinë për të vijuar përgatitjet në prag të fillimit të sezonit 2021-2022, ku do të marrë pjesë në Kategorinë Superiore.

UROSH DURIC

Rrogozhinasit vijnë me një afrim të rëndësishëm, teksa “Panorama Sport” zbulon se klubi ka gjetur akordin edhe me një portier. Bëhet fjalë pikërisht për Urosh Duriçin, i cili në sezonin e shkuar ka qenë pjesë e Strugës.

Duriç është nga Serbia, 27 vjeç, 193 cm i gjatë, i cili ka luajtur me disa klube të nivelit të ulët në vendlindje, si dhe së fundmi ka luajtur në Maqedoninë e Veriut me dy klube shqiptare, Renovën dhe Strugën.

Në sezonin e fundit me Strugën portieri Duriç është aktivizuar në 27 ndeshje, me 2430 minuta në fushë, ku është ndëshkuar edhe me 8 kartonë të verdhë.

Me afrimin e portierit serb, gjasat janë që njëri mes portierëve Klevis Hasanbelliu dhe Bruno Puja mund të largohet nga ekipi, pasi dihet se dy të fundit ishin në “luftë” për një vend titullari pa mbërritur “gardiani” i Strugës.

Para portierit serb klubi rrogozhinas kishte afruar këta lojtarë: Franc Ymeralilaj, Arbër Çyrbja, Alesandro Kacbufi, Bledar Lila, Mikhael Agbekpornu, Besart Krivanjeva, Besar Iseni, Timis Bardis, Remi Dujardin dhe Pedro Augusto Kabral.

“Panorama Sport” mëson se drejtuesit nuk do të ndalen me kaq, pasi presin edhe një mesfushor krahu. Ideja e drejtuesve është që të krijojnë një grup të plotë, ku çdo rol të jetë i dubluar.

Nga skuadra që u shpall kampione në sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë janë larguar këto futbollistë: Endrien Magani, Jurgen Vogli, Alked Çelhaka, Brixhild Brahimaj, Orian Xhemalaj, Matheus Markos Ramos, Dren Gashi, Fadil Meta, Ildian Shyti.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"