EKSKLUZIVE/ “Egbo na tha të mos humbisnim durimin me Kukësin”, Batha para derbit: Pak rëndësi kanë miqtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 0:24

FB Kategoria Superiore Lajmi i fundit LAJMI KRYESOR Tirana

EKSKLUZIVE/ “Egbo na tha të mos humbisnim durimin me Kukësin”, Batha para derbit: Pak rëndësi kanë miqtë

Idriz Batha është heroi i ndeshjes me Kukësin. Me një supergol, gjirokastriti që ka luajtur me të gjitha ekipet e njohura të Shqipërisë, arriti të fuste në shina Tiranën në sfidën me Kukësin. Menjëherë bardheblutë përmbysën takimin, ndërkohë që Batha me golat e tij është kthyer në lojtar deciziv për ekipin 24 herë kampion. Mesfushori, i cili ka shënuar golin e parë në “Air Albania”, pikërisht në derbi flet për “Panorama Sport”, pas sfidës me Kukësin. Pranon se ka qenë e vështirë, por tani Tiranën e pret një ndeshje e madhe kundër Partizanit. Më poshtë intervista me lojtarin e bardhebluve.

batha

E çuat topin në cepin e Xhikës, sepse e njihnit këtë të fundit?

Nuk kishte lidhje portieri. Ishte thjesht një vendim imi për ta gjuajtur në atë krah. Në pjesën e parë, një faull e gjuajtja në krahun e tij, ndërsa këtë tjetrin në krahun e murit. Fati ishte në krahun tim.

Është më e lehtë të jesh i pari, apo ta ruash kreun, duke filluar ndaj një skuadre që ju e njihni mirë, Partizanin?

Sigurisht, është shumë e vështirë kur je i pari, sepse duhet të menaxhosh shumë herë më shumë situatën. Nga kundërshtarët nuk është vetëm Partizani, por janë të gjitha skuadrat. Ekipe të shumta janë në lartësinë e Partizanit. Duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse asgjë nuk kemi bërë deri tani. Duhet të mendojmë direkt për ndeshjen e radhës dhe të shohim se si do ta fitojmë takimin.

Nga një skuadër e brishtë, Tirana është kthyer në një ekip që nuk dorëzohet asnjëherë në fushën e lojës?

Kjo është e mirë. Shpresoj që të vazhdojmë kështu. Shpresoj që të mos ia bëjmë vetes kaq të vështirë, sa të pësojmë ne të parët dhe më pas të jemi ata që të përmbysim ndeshjen. Uroj që të mos e bëjmë më kështu.

idriz batha

Çfarë ju tha Egboja në fund të pjesës së parë?

Duhet të vazhdojmë të luajmë kështu siç kemi bërë në pjesën e parë. Ne ishim dominues në fushë dhe trajneri kërkoi që të mos e humbisnim durimin. Nuk duhet të gjendemi në situatën e mëparshme të disavantazhit.

Egbo

Batha tani në versionin golashënues?

Për mua nuk është hera e parë. Në fakt, veç vitit të shkuar që shënova vetëm katër herë, vitet e tjera kam qenë te kuota shtatë-tetë gola. Nuk është hera e parë që shënoj, por më e rëndësishme se të qenit golashënues, është që të fitojë ekipi

Këtë javë takoni një njohje të vjetër tuajën, Partizanin?

Pak rëndësi ka cilën takojmë, cilët janë miqtë tanë. E rëndësishme është që të fitojmë, pak rëndësi kanë të tjerat.

OLSI AVDIAJ




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com