EKSKLUZIVE/ Egbo do drejtojë Tiranën, presidenti Halili: Nuk është çështje parash, ja pse i besova derbin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 21:09

EKSKLUZIVE/ Egbo do drejtojë Tiranën, presidenti Halili: Nuk është çështje parash, ja pse i besova derbin

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka konfirmuar dje se së bashku me stafin drejtues vendosën që skuadrën ta drejtojë Emanuel Egbo. 

refik halili

Gjatë një kontakti të shkurtër me “Panorama Sport”, numri një i bardhebluve sqaroi situatën te skuadra e tij, duke pranuar se nuk do të nxitohet për të sjellë trajnerin e ri në “Skënder Halili”. Presidenti sqaroi se është i mërzitur që gjërat nuk ecën dhe kjo i bie në kurriz klubit bardheblu.

“Mund të konfirmoj se Tirana do të drejtohet nga Emanuel Egboja. Ai do të jetë trajneri i skuadrës ndaj Partizanit… Vendosëm kështu, për faktin se është e vështirë që të gjejmë trajner në kaq pak kohë. Mund t’ju konfirmoj se Egbo do të punojë i mbështetur nga akademia. Për momentin nuk mund të them se cili do ta ndihmojë, por janë aty për ta ndihmuar të gjithë trajnerët e moshave, nga Tirana B e deri te U-15. Stafi do të plotësohet sot, që skuadra të jetë gati për ndeshjen derbi dhe ato të mbetura gjatë këtij kampionati. Trajneri i ri nuk është çështje parash. Dihet se mund të dëgjojmë plot nga këto. E përsëris, nuk dua të nxitohemi”, tha për gazetën Refik Halili.

Halili

Presidenti, dukshëm shumë i mërzitur nga paraqitja e skuadrës, pranoi se nuk e imagjinonte në ëndrrën më të keqe këtë situatë të ekipit të tij. “E paimagjinueshme që jemi në këtë gjendje. E kisha menduar diçka tjetër. Uroj që të dalim sa më shpejt nga kjo situatë”, vazhdoi më tej numri një i klubit. Tirana, ama, duhet të përballet me Partizanin dhe derbi nuk është një ndeshje e lehtë. Halili tha se nuk është koha për të folur, por për të fituar. “Në këtë moment është harruar gjithçka, biznesi e me radhë. Gjithë koha është për Tiranën”, deklaroi Halili. Ky i fundit, që ka emëruar Egbonë në krye të skuadrës, nuk u lëkund për të deklaruar nëse trajneri do ta mbajë skuadrën deri në fund apo do të ketë një trajner tjetër për skuadrën.

PARANDJENJA – Ajo që të bën më shumë përshtypje, është fakti se bardheblutë para ndeshjes me Kukësin kishin marrë rrogat, ndërkohë që presidenti ua kishte bërë të qartë se ishte i pakënaqur nga paraqitja e ekipit deri në atë moment. “Për momentin situata është 2- 0 për mua. Uroj që të fitoni ju dhe të gjithë ta kthejmë situatën në favorin tonë”, mësohet t’u ketë thënë Halili lojtarëve para takimit me Kukësin.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"