EKSKLUZIVE/ Efekti “Partizani”, Halili “ultimatum” Tiranës: Dua kualifikimin me Dinamon!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2021 | 8:43

EKSKLUZIVE/ Efekti “Partizani”, Halili “ultimatum” Tiranës: Dua kualifikimin me Dinamon!

Tirana do të luftojë në të dyja frontet dhe kërkon sot kualifikimin ndaj Dinamos në 90- minutëshin e dytë të Kupës së Shqipërisë.

halili

Në stërvitjen e fundit ka qenë vetë presidenti i bardhebluve, Refik Halili, i cili ka zhvilluar një takim të improvizuar me ekipin. Gjatë takimit me lojtarët, Halili ua ka bërë të qartë si trajnerit dhe grupit që kërkon sot fitore me Dinamon. Kërkon të fitojë ndeshjen dhe Tirana të kualifikohet në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë.

Halili u ka përsëritur lojtarëve që është e rëndësishme që skuadra të luftojë në të dy krahët kampionat dhe Kupë për të tentuar dopietën. “Dua që të paraqiteni mirë me Dinamon. Të kualifikoheni dhe më pas të triumfojmë edhe në derbin tjetër. Jemi Tirana”, mësohet të ketë thënë Halili para lojtarëve.

Dhe kualifikimi kërkohet jo vetëm për anën sportive, por sepse përballë skuadra bardheblu do të gjejë Partizanin dhe dy derbe të garantuara. Plus kësaj skuadrat do të arkëtonin goxha para dhe sërish kryeqyteti do të kthehej në një festë të vërtetë.

GJENDJA – Tirana do të luajë me Dinamon dhe Kukësin në kampionat, ndërsa për bardheblutë në Kupë si fillim do të ketë mungesa. Hoxhallari që nuk luan sfidën e dytë me Dinamon, luan në kampionat. Po kështu, Tirana do të ketë dy armë më shumë. Do të kthehen nga pezullimet Ngo dhe Toli. Të dy janë gati për sfidën me Dinamon. Anglezi, nga ana tjetër, nuk është se ka kaluar ditë të mira për shkak të problemeve familjare, ndërsa skuadra është munduar që ta qetësojë. Vetëm dje Tirana ka qenë e plotësuar, ndërsa edhe Ismajlgeci është bashkuar me grupin.

stervitja

Kujtojmë se Dinamoja është skuadra e vetme që ka mundur këtë sezon Tiranën. Nga ana tjetër, edhe pse nuk është luajtur akoma java e nëntë, Tirana duket se është favoritja kryesore për të bërë diferencën. Skuadër e pamposhtur në tetë javë, 20 pikë, asnjë humbje dhe sulmi e mbrojtja më e mirë e Superiores. Më mirë se kaq bardheblutë nuk kanë bërë 10 kampionatet e fundit në Kategorinë Superiore.

Në tetë javë asnjëherë Tirana nuk ka marrë gjashtë fitore dhe dy barazime. Shenjë e pathyeshmërisë në fushën e lojës. Vetëm dhjetë vite më parë ka shkuar në pesë fitore, ndërsa më pas ka lundruar më poshtë. Mbeten peng dy takimet me Egnatian dhe Kastriotin, sepse me katër pikë më shumë Tirana do të ishte në perfeksion.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"