EKSKLUZIVE/ “Edvin Libohova të japë dorëheqjen”, Halilaj: Liga është një farsë, ja si e emëruan sekretarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2020 | 8:33

EKSKLUZIVE/ “Edvin Libohova të japë dorëheqjen”, Halilaj: Liga është një farsë, ja si e emëruan sekretarin

Kaosi me Ligën Profesioniste dhe përçarja e klubeve e paralajmëruar nga “Panorama Sport” prej ditësh konfirmohet tashmë edhe nga vetë drejtuesit e ekipeve. Është presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, ai që ka shpërthyer pas zhvillimeve më të fundit, ku si sekretar i përgjithshëm i Ligës u emërua Dritan Kadia.Biznesmeni-Bekim-Halilaj

INTRIGAT – Kreu i klubit gjirokastrit tregon intrigat e mbledhjes së Ligës, paralajmërimin e Libohovës për largim dhe emërimin e Kadisë, që e cilëson një farsë të vërtetë. “Liga është një farsë dhe këtë po e konfirmojnë zhvillimet e fundit. Çudia më e madhe është që presidenti Edvin Libohova na propozon edhe sekretarin e përgjithshëm të Ligës, në vend që këtë ta bëjmë ne si drejtues klubesh. Një ditë pasi u mblodhëm, ku vetë Libohova na tha se do të largohej pas debatit që kishte bërë me presidentin e Laçit, na dërgon ’email’ dhe e bën fakt se sekretar do të jetë Dritan Kadia. As që kemi diskutuar fare për këtë emër. Nuk mund të vijë një drejtor stadiumi dhe pjesë e FSHF-së e të na zgjidhet në këtë post.

Boll kemi në këtë post Libohovën, që njëkohësisht është edhe zv.president i FSHF-së. Kadia mund të shkojë të merret me tenis, nuk ka punë te Liga. I vetmi diskutim ka qenë që Artan Shyti të kandidonte për sekretar, por mbledhja u prish pas debateve të Laskës me Libohovën. Me sa duket, ka qenë diçka e stisur edhe ky debat, sepse një ditë më pas, në një kohë që Libohova kishte thënë se do të largohej, dërgoi me ‘e-mail’ emrin e Dritan Kadisë. Një farsë e vërtetë, sepse askush nuk e ka votuar këtë emër. Kjo është një Ligë që nuk i ndihmon aspak klubet. Zoti Libohova, meqenëse kërkoi vetë largimin nga Liga, le të japë dorëheqjen e parevokueshme. Të na e lënë ne klubeve ta zgjidhim vetë punën e Ligës”, është shprehur dje Halilaj për “Panorama Sport”.Bekim Halilaj Luftetari

ÇFARË NDODHI – Gazeta “Panorama Sport” ka publikuar ngjarjet që kanë ndodhur ditët e fundit në Ligën Profesioniste. Të mërkurën, ku të pranishme ishin vetëm gjashtë klube, ndodhi një debat “konstruktiv”. Presidenti i Ligës, Edvin Libohova, dhe ai i Laçit, Pashk Laska, u konfliktuan mes tyre dhe kreu i klubit kurbinas braktisi mbledhjen. Mes të tjerash, kreu i Ligës u kishte thënë të pranishmëve se me këtë situatë nuk mund të vazhdonte më tej dhe se do të jepte dorëheqjen.

Në këtë mbledhje, në rendin e ditës ishte zgjedhja e sekretarit të përgjithshëm ku kandidat i vetëm i deklaruar ishte Artan Shyti. Gazeta publikoi një ditë më vonë, se me gjasë, kjo kishte qenë një “film”. Sepse, të nesërmen, FSHF me anë të zëvendëspresidentit të saj, Libohovës, zgjodhi fshehtas Dritan Kadinë si sekretar të përgjithshëm.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"