EKSKLUZIVE/ “Edhe Skënderbeut iu deshën 4 vjet për të vajtur në grupe”, Shkëmbi “sms” Tiranës: Ja formula (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2020 | 23:51

EKSKLUZIVE/ “Edhe Skënderbeut iu deshën 4 vjet për të vajtur në grupe”, Shkëmbi “sms” Tiranës: Ja formula (E PLOTË)

Bledi Shkëmbi mendon se Tirana i ka mundësitë të përsërisë Skënderbeun. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-lojtari i Kombëtares, kapiteni i Skënderbeut dhe shumë klubeve në Shqipëri, pranon se për të përsëritur vitet e arta të korçarëve të gjitha klubeve shqiptare u duhet punë. Shkëmbi flet për gjithçka, edhe për skuadrën korçare që është në një moment të vështirë.

SHKEMBI

E keni ndjekur Tiranën në Champions League? Mund të në na jepni një opinion për dy sfidat?

Të them të vërtetën, kam parë dy ndeshje shumë të ndryshme. Takimi i parë ishte për mua jo i luajtur mirë. Ose më saktë, i luajtur mirë vetëm në fazën mbrojtëse, duke lënë shumë për të dëshiruar në fazën sulmuese. Pikërisht në armën më të fortë që ajo ka si skuadër dhe që e ka shprehur shumë mirë gjatë gjithë kampionatit. Dhe një ndeshje e dytë e luajtur mirë, por duke shpërdoruar shumë raste për gol. Shkurt, një ndeshje e parë e fituar me pak fat dhe një ndeshje e dytë e humbur duke mos pasur fatin me vete.

Cili është ndryshimi mes një Tirane që kërkon të bëjë gjëra të mëdha në Europë dhe Skënderbeut tuaj?

Nuk duhet të harrojmë që Skënderbeu ia doli vetëm pas katër vitesh dhe nuk u kualifikua menjëherë. Ne ishim afër që vitin e dytë, por duke e krahasuar me Tiranën, kjo e fundit i ka mundësitë që të bëjë atë që bëri Skënderbeu. Pra, të ruajë grupin dhe vit pas viti të afrojë lojtarë të tjerë në ekip, duke forcuar grupin.

Tirana, me sa e kam parë, është duke e bërë një gjë të tillë. Patjetër është edhe fati te shortet, pra çfarë skuadre do të bjerë si kundërshtar. Por e thashë, Tirana i ka mundësitë që të shkojë në grupe, por duhet të besojë më shumë. Ky është edhe ndryshimi i dy skuadrave. Skënderbeu në anën e vet besonte dhe rrezikonte pak më shumë. Tirana në këtë ndeshje me serbët e Crvenës, nëse do të kishte besuar dhe rrezikuar më shumë, do ta kishte kaluar kundërshtarin dhe do të ishte kualifikuar.

Tirana Crvena

Pse thoni kështu?

Them kështu, sepse kundërshtari, veç emrit, nuk kishte asgjë tjetër dhe këtë e tregoi në fushën e lojës.

Është problem stoli i Tiranës që nuk është i plotë, në ndryshim nga kampionati ku trajneri kishte mundësi zgjedhjeje?

Është i vërtetë ky fakt. Në kampionatin e kaluar Tirana kishte gati 20 lojtarë që do të ishin titullarë në çdo ekip, që ishin njësoj, për të mos i përmendur me emra, si Kararabeci, Osmani, Hasani, Halili. Normale që shumë nga këta lojtarë që përmenda nuk janë më në ekip, por kjo hyn, te fakti, tek ajo, se çfarë do të arrijë Tirana si klub. Mua më pëlqen ideja që bardheblutë po investojnë te të rinjtë. Me sa kam lexuar, janë afruar edhe lojtarë të tjerë, por për çështje udhëtimesh nuk kanë mbërritur akoma në Shqipëri. Nëse ata janë të një niveli të mirë, besoj se klubi kompletohet. Duhet të jesh i brendshëm që të kuptosh lojtarët. I vërtetë është edhe fakti që skuadra me 20 titullarë nuk ekziston, por duket gjithashtu se klubi po investon te të rinjtë. Për mua është shumë gjë e mirë.

Tirana

Sezonin e shkuar në merkato, Tirana afroi lojtarët më të mirë në qarkullim në Shqipëri…

Atë që bëri Tirana vjet, në fund i dha të drejtë Tiranës. Rezultatet tregojnë që ka bërë një merkato të mirë, mori lojtarë të mirë dhe këtë vit ndryshoi në filozofi. La të lirë disa lojtarë me emër dhe u fokusua te të rinjtë. Janë lojtarë të mirë, me aq sa kam parë në fushë. Filozofia e Tiranës me lojtarë eksperience në bërthamë dhe lojtarët e rinj për t’u rritur dhe për të qenë një e ardhme për klubin, po jo vetëm për rezultatet, por edhe të ardhurat që mund të jenë të shumta. Ama ndryshimi është i madh vetëm për faktin se sa duhet t’i presë Tirana këta të rinj. Me të rinjtë duhet të kesh durim dhe të presësh që të fitosh. Në Shqipëri, klubet nuk janë shumë të duruara dhe ky është problem. Tirana meqë po investon do t’i presë deri në fund, pavarësisht ndonjë momenti jo të mirë që mund të kalojë.

Mos ndoshta është kthyer në diçka të frikshme kualifikimi në grupet e Europa League?Në realitet është më e thjeshtë?

Skënderbeu në fillim kishte çështje besimi. Në momentin që besuam më shumë, e shikonim veten më të kompletuar. E shihnim që nuk kishte ndonjë diferencë të madhe në fushë. Njëlloj si tani me Tiranën dhe Crvenën. Në fushë nuk merrej vesh cila ishte Crvena dhe cila Tirana, flas nga emrat. Ekipet shqiptare duhet të besojnë që ne e arrijmë fazën e grupeve. Nuk ka diferenca të mëdha.

Aq më tepër, viti me tek ndeshje për ekipet e vogla është një shans i artë. Një ekip i mirë apo shumë i mirë në ndeshjen e parë e ka luksin të gabojë, sepse rikuperon ndeshjen e dytë dhe kualifikohet. Shikoni Crvenën, gjatë 90 minutave ishin nervozë dhe nuk arritën të jepnin atë që dinin të bënin. Të mos harrojmë se vjet kanë luajtur në grupe dhe nuk është pak.
TIRANA
Cili është lojtari deciziv që ka luajtur te Tirana gjatë këtyre kohëve?

Dua t’i veçoj të gjithë. Tirana ka një grup shumë të mirë, por në veçanti kanë luajtur mirë, janë Kobina, Kale. Muçi që është e ardhmja që po bën mirë, por që i duhet shumë kohë. Ama ata që duhet të veçoj janë Batha, Çelhaka e Vangjeli. Janë një treshe që mbajnë një peshë shumë të madhe. Sidomos Batha-Çelhaka janë dy lojtarë, që në kampionat dhe këto dy ndeshje kanë qenë në një nivel shumë-shumë të mirë.

Çfarë po bën Shkëmbi në këto momente?

(Qesh…) Atë që dua ta bëj, sigurisht do ta bëj në momentin e duhur me skuadrën e duhur. Me atë që mund të jap dhe të bëj gjëra të mira.

Shkembi, Vangjeli dhe Osmani me kapele

A keni folur me Osmanin dhe Vangjelin për Tiranën dhe si ndihen bardheblu?

Të dy i kam vëllezër. Osmanin e shoh shumë të dhënë pas skuadrës me pozicionin e ri. Me dëshirë të madhe për të arritur suksese. I shkrova një mesazh, sepse e pashë të mërzitur pas eliminimit. I thashë se nuk ka problem se kanë edhe një mundësi në Europë. Edhe Kristi është i mërzitur, sepse ishte një ndeshje që nuk duhej humbur, por të dy janë lojtarë që i kanë kaluar eksperienca të tilla. Dhe në futboll, kur humb, duhet të bëhesh më i fortë. Kjo është forca e kampionit.

skenderbeu-kampion-ne-shqiperi-1

Për arritjet brenda një dekade, Skënderbeun tuaj mund ta kalojë skuadër tjetër në Shqipëri?

Atë që bëri Skënderbeu, mund ta bëjë çdo skuadër, por gjithmonë nëse sillet si Skënderbeu në shumë drejtime. Tirana ka mundësi të bëjë të njëjtin cikël, por duke duruar dhe u përforcuar. Ama durimi është i pari, sepse në Shqipëri një vit nuk ke sukses, pas dy javësh shpërbëhet ekipi dhe për dy javë bëhet ekipi i ri dhe rifillon nga zeroja. Tirana po bën hapat e duhur.
Skenderbeu festa e golit ndaj Vllaznise
Dy fjalë për Skënderbeun?

Më vjen shumë keq, fillimisht si korçar, si ish-kapiten e me radhë. Jam i bindur që me një Skënderbe jo të fortë ka humbur shumë futbolli. Skënderbeu u kthye në një trend për shumë vite. I jepte bukuri kampionatit me rivalët që ka pasur.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"