EKSKLUZIVE/ “Edhe ne kemi forcë grupi si Keshla”, Cungu: Agollin e falenderoj se na ndihmoi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2020 | 15:53

EKSKLUZIVE/ “Edhe ne kemi forcë grupi si Keshla”, Cungu: Agollin e falenderoj se na ndihmoi (E PLOTË)

Laçi është gati për të sfiduar Keshlan. Luajnë në transfertë, por kjo nuk i frikëson kurbinasit. Skuadra u nis dje në mëngjes drejt Azerbajxhanit dhe pasdite kryen të fundit stërvitje në “Ask Arena”. Armando Cungu e di që do të jetë e vështirë, e megjithatë beson te kualifikimi. Forca e grupit është ajo që i jep shpresë, ndaj edhe futbollistëve ua ka bërë të qartë që të tregojnë të njëjtën etje dhe dëshirë që kanë shfaqur në kampionat.
cungu-lacii
Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri rrëfen se i ka ardhur në ndihmë Ansi Agolli, i cili për vite të tëra ka luajtur dhe jetuar në tokën azere.

Profesor, si shkoi stërvitja e fundit në tokën azere?
Stërvitja shkoi mirë, ishte në normalitetin e saj. Kemi më shumë se dy javë që përgatitemi në fakt, ndaj kjo seancë e fundit më së shumti shërbeu për të vendosur pikat “i” dhe për t’u përshtatur sigurisht me terrenin e stadiumit, ku do të luajmë nesër (sot) ndaj Keshlas.
keshla

Pjesëmarrja në Europë tashmë nuk u bën më përshtypje kurbinasve dhe kjo dihet, ndaj qëllimi është kalimi i një turi. E kalueshme Keshla?
Unë pres nga ekipi vetëm që të luajmë futbollin tonë dhe mbi të gjitha të tregojmë karakterin, dëshirën dhe etjen që shfaqëm gjatë gjithë sezonit. Nëse ndodh kjo, besoj te kualifikimi.

Cili është lojtari që duhet pasur kujdes te kundërshtari?
Kundërshtari ka pikat e forta të saj, sikurse edhe të dobëtat. Por mos harroni, edhe ekipi ynë dallohet për forcën e grupit.
malota
Keni bërë disa afrime cilësore në merkato. A do të kenë hapësirë në 11-she emra si Sherri, Malota, Kërçiku, Mazrekaj apo Lukas Ramos?
Nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për të fituar gjendjen më të mirë fizike. E megjithatë, do të aktivizojmë ata elementë që do ta ndihmojnë ekipin në pika të caktuara.

Mendoni që është shans më vete fakti që luhet ndeshje teke apo të detyron që të shtosh më shume vigjilencën?
Ndeshjet teke kanë specifikat e tyre, duhet të dimë si të sillemi.
lACI aPOLONIA
A jua shtoi stresin historia e pandemisë dhe protokolleve të shumta?
Paniku e ka pushtuar botën nga kjo pandemi, por drejtuesit e Laçit kanë bërë punë të madhe në këtë drejtim. Skuadra u grumbullua në mënyrë hermetike për të evituar çdo lloj rreziku. Është treguar kujdesi i duhur, ndaj u gëzova shumë që dolëm që të gjithë negativë.

Para 5 vitesh Laçi është ndeshur me Keshlan, ndonëse kishin emër tjetër. Sa ka ndryshuar kundërshtari nga ajo kohë?
Besoj kemi ndryshuar që të dyja palët. Jo vetëm ata, por edhe ne.

Ansi Agolli
Në Azerbajxhan prej vitesh luante dhe jetonte Ansi Agolli, i keni kërkuar ndonjë informacion para kësaj ndeshjeje? 
Më lejo ta falënderoj përmes jush këtë djalë dhe sportist model. Agolli është i gatshëm gjithmonë për të ndihmuar miqtë. Një shqiptar që të bënë krenar.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"