EKSKLUZIVE/ “Edhe Batha ka thënë atë fjalën e vet”, Hoxhallari: Nga Tirana do të më marrë malli për… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2022 | 23:50

EKSKLUZIVE/ “Edhe Batha ka thënë atë fjalën e vet”, Hoxhallari: Nga Tirana do të më marrë malli për… (E PLOTË)

Erion Hoxhallari është gati për aventurën e tij të re me UTA Urad. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni i Tiranës thotë se e ka pasur të vështirë ndarjen nga bardheblutë. Mbrojtësi pranon se ishte dëshira për të provuar veten në Europë që e shtyu të firmoste me rumunët. Nga ana tjetër, Hoxhallari flet për të kaluarën, por edhe për Kombëtaren kuqezi, ku ai ishte pjesë në ndeshjet e fundit. “Hoxha” thotë se është i bindur që Tirana do të kualifikohet në turin e dytë të Champions League-s.

HOXHALLARI 1

Erion, e latë Tiranën pas 12 vitesh. Këtë herë nuk shkuat në “Skënder Halili” po diku tjetër…

Po, është e vërtetë, po largohem ose më saktë jam larguar pas 12 vitesh. Ka qenë një dekadë e gjatë, në të cilën kam kaluar ditë të vështira dhe të mira, por kanë qenë vitet më të bukura deri tani për mua. Për këtë jam i kënaqur.

Përse e morët një vendim të tillë, pra që të largoheshit nga Tirana? Ishit kapiteni i skuadrës.

E mora këtë vendim, pasi ky ishte momenti i duhur që të largohesha drejt një kampionati më të fortë dhe për të provuar veten me një eksperiencë të re.

Në fillim u tha se rinovuat me Tiranën, më pas erdhi ndarja mes dy palëve. Çfarë ndodhi realisht?

Po, është e vërtetë. Klubi dhe unë kishim rënë parimisht dakord dhe ishte çdo gjë gati drejt zyrtarizimit me firmë. Dua të saktësoj se në Shqipëri, Tirana ishte ekipi i vetëm që do të bëja një kontratë të re. Ama në fund më erdhi oferta nga UTA dhe fola me presidentin dhe stafin drejtues. Me mirëkuptim vendosa të largohesha në drejtim të Rumanisë. Siç e thashë edhe më lart, për të provuar një aventurë të re në karrierën time.

Si kanë qenë këto 12 vite te Tirana… Ju keni provuar gjithçka. Tituj ngjitje dhe rënie nga kategoria. Cilat janë momentet më të mira dhe të këqijat të karrierës?

Kam kaluar shumë gjëra te Tirana. Për t’i rrëfyer nuk do të mjaftonte një edicion i gazetës. Por, momenti më i keq, ai që ka lënë shenjë ka qenë normal rënia në Kategorinë e Parë, ndërsa momente të mira ka pasur shumë. Po më të paharrueshmit kanë qenë fitimet e titujve kampionë të Shqipërisë. Diçka e madhe, ndërsa titulli i këtij viti ka qenë ai që më ka shijuar më shumë, pasi isha edhe kapiten dhe do të mbetet gjithmonë si një nga momentet më të mira të karrierës tonë sportive.

Për çfarë do t’ju marrë malli nga Tirana? Pothuajse gjysmën e jetës ju e keni kaluar bardheblu.

Do të më marrë malli për gjithçka. Absolutisht për të gjithë, mënyrën se si kam jetuar këto.

Tirana ka njohur kundërshtarin në Europë… Ju si ishkapiten çfarë mendimi keni për Dudelanzhin?

Tirana ka njohur kundërshtarin, i cili nuk është një rival i lehtë pasi ka qenë dy herë në grupe. Ama unë kam besim se Tirana me grupin që ka dhe me afrimet që ka bërë do ta kalojë me sukses raundin e parë kualifikues.

Tani karriera juaj do të vazhdojë jashtë Shqipërisë. Do të luani në Rumani…

Po, jam bashkuar me ekipin në Rumani dhe po vijojmë fazën përgatitore në Slloveni. Kam gjetur një ambient të ngrohtë dhe të mirë këtu. Kalova edhe disa ditë pushime në Shqipëri.

Besoj se Batha u bë shkesi që ju kaluat në Rumani?

Normalisht që edhe Batha ka thënë atë fjalën e vet kur është pyetur nga stafi. Dua ta falënderoj për këtë gjë.

Me kombëtaren gjërat këtë herë nuk shkuan mirë. Çfarë duhet të ndryshojë skuadra në të ardhmen?

Është e vërtetë. Ne kishim përgatitur që të merrnim maksimumin e pikëve në dy ndeshjet, por gjërat nuk shkuan mirë. Kjo s’do të thotë që ekipi është dorëzuar dhe nuk e beson që do të arrijë objektivin, pasi janë edhe dy ndeshje me të cilat do të arrijmë objektivat.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"