EKSKLUZIVE/ E zuri korenti në stadium, rrëfehet lojtari serb: Më goditi rryma, shpëtova prej…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 21:08

EKSKLUZIVE/ E zuri korenti në stadium, rrëfehet lojtari serb: Më goditi rryma, shpëtova prej…

Të shtunën Besëlidhja u mund në Shijak, ku pësoi një gol në minutën e fundit nga Erzeni. Por, përtej humbjes dramatike, vëmendjen e mori incidenti i rëndë që ndodhi në dhomat e zhveshjes, ku rryma elektrike goditi mesfushori Milan Gjorgjeviç sapo ai u fut në dush.

serbi i beselidhjes

Shpëtoi për mrekulli dhe një ditë më pas ai ka rrëfyer gjithçka në një intervistë për “Panorama Sport”.

Milan, çfarë ndodhi pas ndeshjes në Shijak, ku ju u goditët nga rryma elektrike?

Sapo mbaroi ndeshja, u futëm në dhomat e zhveshjes në dushe për t’u larë, si gjithnjë. Kur u zhveshëm dhe u futëm në dushe, Kledi Dibra, sapo preku rubinetin e dushit të tij, ndjeu një dridhje të lehtë rryme elektrike, aty afër isha dhe unë dhe më tregoi çka i ndodhi. Sapo e preka dushin tim, menjëherë më goditi rryma, duke më përplasur në tokë me shumë forcë dhe aty nuk mbaj mend se çfarë ndodhi më tej me mua.

Ishit krejtësisht i zhveshur apo kishit shapkat në këmbë?

Për fat të mirë, kisha veshur shapkat dhe nuk isha lagur shumë. Besoj se kjo më shpëtoi nga ndonjë gjë më e rëndë dhe për këtë falënderoj Zotin.

gjorgjevic (1)

A pati reagim të shpejtë nga kolegët tuaj, stafi dhe nga të tjerë të pranishëm?

Po. Isha i turbulluar komplet, mbaj mend vetëm që isha në autoambulancë, e cila, për fat të mirë, ishte e pajisur me aparat oksigjeni. Kjo gjë më ndihmoi shumë dhe shpejt e mora veten. Më dërguan në urgjencën e spitalit dhe aty nisën të më shërbenin. Isha shtrirë në krevat dhe mjekët më vizituan, më pyetën çfarë shqetësimesh kisha. Më matën presionin e gjakut, më bënë disa gjilpëra, më vunë një serum, që nisi të më qetësonte. Shërbimi ishte i menjëhershëm, i shpejtë dhe stafi ishte shumë i sjellshëm. Për këtë i falënderoj të gjithë.

Po stafi juaj, a ishte i angazhuar?

Pjesëtarët e stafit tonë ishin në lartësinë e duhur. Ishin ata që ndoshta më kthyen në jetë, pasi ishin të parët që më erdhën në ndihmë deri tek autoambulanca. U jam mirënjohës për gjithë jetën.

Po tani si e ndieni veten, a keni shqetësime?

Jo, që pas daljes nga ambientet e urgjencës, u qetësova, kam fjetur mirë dhe tani e ndiej veten shumë mirë.

Familjarët tuaj, a e morën vesh incidentin?

Preferova të mos i shqetësoja, pasi falë Zotit, ndihmës së kolegëve, stafit e të tjerëve dhe shërbimit në urgjencë, u bëra shumë mirë.

A keni ndonjë apel për organizmat që përgjigjen për kushtet e dhomave të zhveshjes dhe të dusheve?

Në stadiume të ndryshme kushtet janë të ndryshme, diku ka kushte shumë të mira, diku lënë për të dëshiruar. Ka pasur raste që edhe nuk jemi larë fare, pasi ose nuk kishte ujë, ose ishte i ftohtë. Them që të paktën te dushet dhe në vende të tjera ku ka rrezik rryme elektrike, të shërbejnë njerëz të përgjegjshëm dhe të vihet dorë, pasi ndodhin incidente me jetë njerëzish që nuk mund të riparohen pastaj.

Duke e lënë pas këtë incident, rezultati i ndeshjes ndaj Erzenit iu përgjigj lojës apo ishte fat për vendësit?

Nuk e di çfarë po ngjet me ne. E kontrollojmë lojën, e vendosim kundërshtarin nën presion dhe krijojmë shumë raste, por nuk finalizojmë. Në Shijak kemi pasur të paktën 8 raste, madje dhe vetëm me portierin. Në fund një rast krijuan ata dhe shënuan. Rezultati nuk i përgjigjet lojës, gjithsesi humbëm dhe kjo na ka mërzitur shumë.

A keni besim se do ta realizoni objektivin për ta ngjitur Besëlidhjen në Superiore?

Është detyrim që na rëndon, ndaj do të luftojmë fort. Tani është mbyllur faza e parë dhe kemi kohë për reflektim. Kemi shumë borxhe, në radhë të parë ndaj tifozërisë, e cila ka 12 vjet që pret, presidentit, i cili ka një dekadë që financon, trajnerit që po lodhet etj., etj.

A jeni i kënaqur me trajtimin te Besëlidhja?

Nuk e di si ta shpreh falënderimin për presidentin që po na trajton mjaft mirë. Pagat i kemi marrë në kohë dhe ndoshta jemi i vetmi klub në Shqipëri që nuk ka borxhe ndaj futbollistëve.

PRENG GJIKOLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"