EKSKLUZIVE/ “E vërteta e ngjarjes me Fatmir Himën dhe foton e Enverit”, rrëfehet Jani Kaçi: Më erdhi SHIK-u në shtëpi në 96-ën se do i jepja grekut Korçën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2022 | 11:43


EKSKLUZIVE/ “E vërteta e ngjarjes me Fatmir Himën dhe foton e Enverit”, rrëfehet Jani Kaçi: Më erdhi SHIK-u në shtëpi në 96-ën se do i jepja grekut Korçën

Jani Kaçi nuk është vetëm një ikonë e futbollit shqiptar. Ai është ndër të paktët njerëz që i thotë ende gjërat siç i mendon dhe jo çfarë i pëlqen opinionit publik. Nuk bën lajka kur duhen kritika dhe nuk mohon gjërat që dikur bëheshin mirë e sot po bëhen gabim ose keq. Qëllimi i intervistës për “Panorama Sport” ishte që ish-portieri legjendar të na jepte disa detaje më shumë për ngjarjen e vitit 1981, kur ish-sulmuesi i Lokomotivës së Durrësit, Fatmir Hima, u pezullua 1 vit nga futbolli pas përplasjes me Kaçin.

JANI KACI

Mirëpo, biseda me ish-trajnerin e Skënderbeut zgjatet natyrshëm dhe ai prek edhe tema të tjera interesante. Flet edhe për kohën kur provoi në lëkurë luftën e klasave dhe se si shpikën në Korçë historinë me grisjen e fotos së Enver Hoxhës. “Ishin idiotësitë që shpiknin për ‘Jani Grekun’, se kështu më thoshin asokohe disa këtu në Korçë. Më pas, kur luajta me Partizanin dhe me Kombëtaren, u rikthyen të më thërrisnin Jani Kaçi… Po unë djalin e Enver Hoxhës, Ilirin, e kisha mik. Ç’punë kisha unë të grisja foton e Enverit…”, thotë Jani Kaçi për “Panorama Sport”.

 

Çfarë bën sot Jani Kaçi?
Unë merrem me ekipin e 19- vjeçarëve të Skënderbeut dhe ju e dini se si janë punët këtu…

Si janë punët profesor?
Dalin këta pseudomenaxherët mor miku im… Në mëngjes gdhihemi me lojtarë, në darkë ikin lojtarët. Pyes: “Ku janë?” Më thonë se i ka marrë menaxheri… Ku pyesin këtu! Marrin disa tipa në telefon, jo ikin, jo vijnë. U them: “Ore, unë këtu nuk jam hu gardhi. Unë kam dy muaj që stërvit ekipin, kurse ju me një llaf goje, hajde u thonë lojtarëve se kështu e se ashtu”. Aman, ç’të të them unë. Sa të vihen gjërat në rregull, është e vështirë në Shqipëri.

A do të vihen ndonjëherë gjërat në rregull?
Vihen që ç’ke me të, por a e di si vihen?

Si vihen?
Për 24 orë… Por ama kur janë njerëzit e përshtatshëm. Kur nuk janë të tillë, kurrë nuk vihen punët në rregull.

Ju thoni për 24 orë, por kemi nja 30 vjet që nuk po i vëmë dot, pra nuk po i gjejmë dot këta njerëz…
Në ato kohë, sepse atëherë kemi luajtur ne, pavarësisht se abuzohej në disa gjëra, ama kishte organizim. Dhe, organizimi sillte disiplinë, sillte profesionalizëm. Tani nuk ekzistojnë këto. Nuk e sheh, vijnë skuadra të panjohura fare dhe mundin skuadrat tona të mirëpaguara në Europë. Duhen profesionistë. Po të ketë profesionistë, njerëz që e dashurojnë vërtet futbollin, atëherë gjërat shkojnë si duhet. Loro Boriçi thoshte: “Po ta dashuroni topin, do të bëheni futbollistë, po nuk dashuruat topin dhe dashuroni ‘thëllëzat’, nuk bëheni”. Dhe kjo kishte një domethënie. Tani, që kur vijnë të vegjël, e kanë mendjen te kontrata…

Çfarë doni të thoni?
Shpeshherë u bëj pyetjen prindërve ose të afërmve: “Po mirë ore, pse e keni sjellë djalin?” Dhe përgjigjja është: “Po ja, të bëjë ndonjë kontratë…”. Pa filluar sportin, që të vegjël, e kanë mendjen “të bëjë ndonjë kontratë” se e dinë që me sportin merr miliona. Stadiumi bosh, futet fëmija dhe këta direkt: “Ja po luan ai, merr para…”. Dhe kështu edhe këta zilepsen. Se tani marrin edhe licenca e diploma pa bërë shkollë, pa bërë asgjë.

Profesor, kolegu ynë Bujar Qesja ka bërë një intervistë me Fatmir Himën. Mes të tjerash, Hima thoshte që pati një debat me Jani Kaçin dhe pastaj kishin kërkuar arrestimin e tij. Përmendte edhe sekretarin e parë të Korçës, Enver Halili. E mbani mend si histori?
Po, po, e mbaj mend. Unë për Himën edhe sot e kësaj dite kam shumë respekt. Edhe kur luante kam pasur shumë respekt për të, sepse ishte futbollist me ego. I kam pasur qejf këta kundërshtarët egoistë. Patëm një problem, nuk është se ishte ndonjë gjë serioze, por ata e zgjatën dhe e ekzagjeruan. Nuk ndodhi asgjë mes nesh, gjërat u sheshuan. Ishte si një flakë kashte. Ne në atë kohë u takuam dhe të dy e dinim se ishte diçka e tepruar… (qesh).

Si ndodhi përplasja me Himën?
Ndonjëherë sportistët në momente të veçanta edhe shpërthejnë për shumë arsye. Është lodhja, rezultati, egoja. Nuk kam pasur probleme me Fatmirin. Unë ruaj respekt jo vetëm për Himën, por për të gjithë futbollistët e asaj kohe. Por duhet thënë se kur Fatmiri doli nga fusha, bëri një gjest jo të pëlqyeshëm dhe të palejuar në atë kohë kundrejt tribunës. Për fatin e tij të keq, në atë pjesë të tifozëve ndodhej edhe sekretari i parë i Korçës, Enver Halili. Unë kështu e mbaj mend.

Collage Maker-21-Jul-2022-09.50-AM

Hima thotë se i kishte mbetur peng sepse ishte pezulluar një vit nga futbolli.
Jo, këtë nuk e di. Nuk e mbaj mend. Po ndoshta klubi vetë, federata.. Po atëherë merreshin këto masa, se Partia… (qesh). Nuk lejonte Partia atëherë. Tani bën ç’bën, edhe të falin, por atëherë nuk kishe shanse…

A jeni nostalgjik i asaj kohe?
Jo, unë nuk jam nostalgjik, por e bardha është e bardhë dhe e zeza është e zezë. Ashtu ishte sistemi. Madje, edhe tifozët po të shanin, i merrnin e i çonin në një mal andej nga Erseka dhe i lëshonin të vinin në këmbë. Kurse tani fillojnë të shajnë nënën, motrën, çfarë nuk shajnë e çfarë nuk thonë. Mua më vjen turp, se edhe ndonjëherë edhe femrat fjalët më të këqija thonë, pale meshkujt.

Ju keni pasur edhe një histori me foton e Enver Hoxhës… Çfarë ndodhi atëherë?
Po, ka ndodhur. Ajo histori ka qenë kështu: Unë atë kohë në gjithë Shqipërinë gëzoja respekt shumë të madh. Por e kam pasur babanë grek dhe këtu në Korçë bëhej lufta e klasave më e ashpër. Ndonjëherë ishin më katolikë se Papa këta… Disa më thoshin “Jani Greku”… Mirëpo vazhduan “Jani Greku, Jani Greku” dhe as shkollë, asgjë nuk jepnin. Unë duhet të dilja që 17 vjeç jashtë kur luaja me Kavajën dhe u ndeshën me Skocinë e të tjera raste. Pastaj u detyrova të shkoja ushtar. Isha në shkollë, në universitet në Korçë, dhe u detyrova të ikja ushtar sepse doja të rregulloja biografinë.

Pastaj çfarë ndodhi?
Kur shkova te Partizani, u bëra Jani Kaçi prapë… Sepse para se të ndodhte kjo më thërrisnin “Jani Greku”. Kur mora famë dhe gjithë Shqipëria më vlerësonte për aftësitë dhe punën time, aty nisën të më thërrisnin prapë Jani Kaçi.

Kur ndodhi kjo puna e “grisjes së fotos së Enver Hoxhës”?
Kur erdha në Korçë pas ushtrisë, nisën këto intrigat me agjitacion e propagandë. Filluan budallallëqet, “Ky Jani Kaçi me baba grek dhe kërkon të jetë më i mirë se të tërë…”. Në fakt, ne në atë kohë ishim të gjithë njësoj se vetëm rrobat e trupit më kishin lënë ata që drejtonin asokohe. Pastaj filluan edhe njerëzit e sportit, “Jani dëgjon muzikë të huaj, po propagandon fenë etj.”.

Edhe çfarë ndodhte me ju gjatë asaj periudhe?
Vinin të dërguar nga Tirana edhe thoshin: “Po s’keni turp ore, Jani Kaçin e do gjithë Shqipëria ju doni ta fusni në burg…?!” Më pas filluan të thoshin: “Jani ka grisur fotografinë e Enver Hoxhës”. Aman, ç’të të them…

jani kaci

Ju keni luajtur me Partizanin dhe me Kombëtaren. A e kishit takuar ndonjëherë Enver Hoxhën?
Unë Enver Hoxhën nuk e kam takuar. Të gjithë të tjerët i kam takuar. Me djemtë e Mehmet Shehut rrija, me ata të Enver Hoxhës rrija, madje edhe sot e kësaj dite jam shok e mik shumë i ngushtë me Ilir Hoxhën, djalin e Enver Hoxhës. Unë atëherë nuk kisha arsye, sepse unë në atë kohë trajtohesha me të gjitha të mirat, me trajtim të veçantë, madje trajtohesha më mirë unë atëherë sesa sot këta. Madje, edhe në 1996 kur ndryshoi sistemi, më erdhi SHIK-u në shtëpi…

Në vitin 1996 ju erdhi SHIK-u në shtëpi? Po pse?
Po mo, erdhën në bashkëpunim madje me forcat e rendit. Të nxitur nga disa këtu në Korçë.

Çfarë kërkonte SHIK-u nga ju?
Ata erdhën dhe pyetën: “Kush është Jani Kaçi që do të kontrollojmë ne? Ai portieri?” “Po, – iu thanë policët këtu. – Ai portieri”. Më pas përgjigjja ishte: “Nuk ju vjen turp?!” Megjithatë, ata e bënë kontrollin në shtëpi.

Po dakord pra, po për çfarë kontrolluan në shtëpinë tuaj?
Për veprimtari antikushtetuese dhe për armëmbajtje pa leje se unë do t’ia jepja grekut Korçën… (qesh me të madhe). Unë s’kam bërë as ushtri se luaja futboll, as zbor se kam qenë i përjashtuar nga të gjitha këto dhe nuk e di si është arma. Mirëpo, ja që edhe këtë herë po të mos kishin ardhur ata nga Tirana, kushedi se ç’do të kishin bërë… Ata nga Tirana ma vunë nderin në vend. Edhe në kohën e Partisë, përsëri ata nga “Qendra” ma vunë nderin në vend, edhe në kohën e demokracisë sërish ata ma vunë nderin në vend. Në Korçë unë kam kontribuar më shumë se çdo njeri tjetër, sepse 10 vjeç kam filluar sportin dhe në 17 gusht të këtij viti mbush 70 vjeç. Pra, 60 vite i kam në sport, kam dhënë gjithë kontributin tim këtu. Mirëpo, më vjen keq që edhe tani dëgjoj: “E mo, Jani Kaçi, e mo ai…”.

Pse ndodh kjo?
Sepse unë nuk rri nëpër kafene, nëpër ambiente të ndotura. Disa këtu kanë qejf të ulesh në tavolinë, t’ia marrësh valles, të këndosh, të pish, të bëhesh daulle. Atëherë të duan… Por, kemi qenë të fortë, jemi të fortë dhe nuk dorëzohemi. Shyqyr Zotit, ka edhe djem të mirë, madje edhe nga Tirana vazhdojnë të më vijnë miq të mirë si Agim Fagu. Ata janë mjeshtrat e mëdhenj që duhet të vijnë, ata që kanë bërë emër në sport. Sepse ne prindërit dikur na thoshin: “Rrini me shokë më të mirë sesa vetja, të bëheni të mirë”. Dhe jam i kënaqur që i kemi shokët më të mirë se vetja. Nejse, ata janë një libër më vete.

Kalojmë tek aktualiteti dhe flasim pak për Kombëtaren. Si ju duket ekipi ynë sot dhe ç’mendim keni për portierët që kemi?
Unë Kombëtaren e çmoj, edhe pas atij rezultati në Europian, por edhe tani. Çfarë do të presim më shumë? Sepse ne presim të dalim edhe kampionë bote, por duhen vlerësuar gjërat sipas mundësive që kemi. Eksodi ndikoi që Shqipëria të hapet dhe futbollistët dolën jashtë e u formuan andej. Pavarësisht disa rezultateve jo të mira, mua Kombëtarja më pëlqen. Edhe lojtarët e Kombëtares më pëlqejnë, luajnë si europianë. Nuk luajnë sikurse është luajtur shumë herë. Sa u përket portierëve, të dy, edhe Strakosha, edhe Berisha, mua më pëlqejnë. Janë portierë të rangut europian. Nuk është e thjeshtë të luash te Lacio, nuk është e thjeshtë të luash te Torino. Unë i vlerësoj shumë të dy edhe nga të dhënat fizike edhe tekniko-taktike. Janë djem me kurajë dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Vetëm se ata duhet të shëmbëllehen edhe nga portierët shqiptarë. Nuk ka portierë në Shqipëri. Janë portierë të rëndomtë. Unë i shoh ndeshjet, futbollin e pëlqej dhe më vjen keq që nuk po del një portier. Nuk ka portierë të tjerë si në Superiore edhe në këto kategoritë e tjera se unë i kam ndjekur meqë merrte pjesë Maliqi. Nuk kam parë portierë.

jani kaci

Meqë jemi te ndeshjet europiane, dy skuadrat e kryeqytetit, njëra eliminohet dhe tjetra pëson tri humbje… Sipas jush, si është kampionati sot?
Unë kampionatin shqiptar e kam ndjekur. Nuk bënin diferencë skuadra e vendit të fundit me atë që doli kampione. Trajnerin Shehi e kam vlerësuar, sepse ka qenë këtu në Korçë dhe ishte djalë punëtor, por në këto ndeshje të rëndësishme, sidomos në këto të Europës, mungon eksperienca. Ai është një djalë punëtor, sepse me punë e ka ngritur ekipin deri atje, por eksperienca bën të vetën. Unë e kam provuar edhe vetë kur kam qenë trajner i ri: isha me vrull, por më duhej edhe mendja e një trajneri me përvojë dhe pikërisht e një trajneri 60-vjeçar që kishte eksperiencë të madhe. Unë si Shehin, Vangjelin, Osmanin i kam pasur djemtë e mi dhe i adhuroj, por kur shkon në këto nivele, duhet eksperiencë. Edhe vetë Shehi e përmendi pas ndeshjes, që duhet eksperiencë, sepse e ndien. Dhe me të vërtetë duhet eksperiencë se brumin ai e ka. Ekipi i Tiranës ka brumë, por edhe Laçi e ka grupin, edhe Partizani po ashtu. Megjithatë, në të tilla ndeshje duhet përvoja e ekipit, por edhe trajner me përvojë. Të paktën të kenë mbështetjen brenda nga një trajner me përvojë. Unë shoh që trajnerët më të mëdhenj të botës mbajnë një trajner tjetër në krah. Trajnerin e parë e pushtojnë emocionet gjatë lojës, ndërsa ai tjetri rri më i qetë dhe është më në gjendje për t’i dhënë një mendim të saktë. Unë kështu e mendoj.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Fatmir Hima, bomberi durrsak që kërkuan ta arrestonin pas debatit me Jani Kaçin: E kërkoi sekretari i parë i Korçës