EKSKLUZIVE/ “E rëndë nëse Troisi ka kërkuar para”, Idrizi komenton situatën: Çështja e grave është bastarde (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2023 | 21:15

EKSKLUZIVE/ “E rëndë nëse Troisi ka kërkuar para”, Idrizi komenton situatën: Çështja e grave është bastarde (E PLOTË)

Sinan Idrizin ka mbe tur i shastisur nga gjithçka ka lexuar një ditë më parë në “Panorama Sport”. Nuk e fsheh pëlqimin që kishte për Mateus Iakovelin, madje tregon se e krahasonte me Karim Benzemanë. Dhe largimi i tij e ka habitur jo pak, pasi nuk ka pasur dijeni të plotë për historinë e këtij “divorci” të parakohshëm. Në një deklaratë të dhënë për gazetën, presidenti ndalet gjerësisht te çdo akuzë e lëshuar prej ish-sulmuesit dhe mendon se do të ishte shumë e rëndë nëse janë të vërteta. Këtu i referohet pjesës së ndarjes së komisionit, pasi çështjen e “grave” e quan bastarde.

idrizi iakoveli troisi

“Nëse është e vërtetë kjo që ka thënë ky djali, Iakoveli… Se janë dy gjëra të ndryshme. Nëse trajneri të kërkon llogari për peshën, kjo është një gjë komplet profesioniste. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Kur ka ardhur ditën e parë Iakoveli unë kam thënë që është vërtet Benzema, lojtar që më ka pëlqyer, me aq sa e njoh futbollin. Për pjesën tjetër pastaj… Nëse është kjo historia që trajneri ka kërkuar komision, atëherë kjo është e rëndë. Madje, unë u habita kur më thanë që Iakoveli donte të ikte. Kur sollën këtë Auguston, që u dëmtua në vend të Iakovelit, më thanë që ky i fundit do të iki për arsye familjare”, tha fillimisht numri një i klubit.

ÇËSHTJA E KOMISIONIT  Numri një i klubit flet konkretisht edhe për ish-trajnerin.

“Unë Marcelon e kam njohur si njeri korrekt, por nëse e ka çuar punën deri aty sa të përdorë komisionin te lojtarët për të fituar formacionin, atëherë nuk di çfarë të them më. Unë nuk dua ta besoj se Marcelo i ka bërë këto gjëra. Por kur kanë qenë këto historitë e komisionit pse nuk erdhi të më thoshte mua që atëherë. Mua Marcelo nuk më ka kërkuar komision për asnjë lojtar. Unë nuk di asnjë lojtar nga Brazili që të më ketë thënë që unë i japë Marcelos…

Nuk di lojtar që të ketë bërë gjëra të tilla. Kjo që ka thënë ky është shumë e rëndë dhe duhet të ma kishte thënë mua që atëherë. Iakoveli erdhi në Vlorë me gjithë familjen dhe kur më thanë në janar që donte të ikte, më erdhi keq.

Kisha shumë shpresë tek ai, se ishte lojtar i fortë. Bëri edhe gola ai, ishte lojtar i bukur, i tipit që unë kam qejf, luftarak. Ishte pak mbi peshën normale, sepse janë dy gjëra të ndryshme.

Kur trajneri përcakton detyrat, kur kërkon të bjerë lojtari mbipeshë, për anën teknike, taktike e fizike është histori tjetër, kurse kjo e dyta pastaj nëse trajneri ka kërkuar komision, kjo është gjë shumë e rëndë.

Unë nuk e besoj që Marcelo t’u ketë kërkuar komision këtyre, një histori e tillë është e rëndë. Klubi ka një etikë dhe ne jemi përpjekur që t’i trajtojmë si një familje këta”, shprehet ndër të tjera Idrizi.

JAKO, NGA LUSHNJA

Presidenti ka edhe një përgjigje për atë që Matues Iakoveli e identifikon si “Jako” dhe “zëvendëspresident klubi”, që sipas tij ishte tjetër njeri në prezencë të Idrizit dhe krejt tjetër larg Idrizit. ”Ndërsa për këtë pjesën tjetër, këtë Jakon nga Lushnja, te Flamurtari nuk ka Jako nga Lushnja dhe zëvendëspresidenti nuk ekziston. Nuk ka… Pasi Flamurtari nuk ka president, ka vetëm administrator, që jam unë.

Kemi edhe një bord të Flamurtarit, të tjerët janë dashamirës, venë e vijnë. Është ajo historia kur vajtëm ne në Vlorë për të parë ndeshje. Që te tribuna VIP u futën nja 10 vetë tifozë të Vlorës, që të gjithë kur pyeteshin çfarë pozicioni keni, thoshin zëvendëspresident, zëvendëspresident. Ore tha polici te dera, sa zëvendëspresidentë ka Flamurtari. E kupton…”, thotë administratori.

KOMENTET PËR GRATË

I pari i klubit kuqezi e quan jashtë normales që të merresh me komente për gratë. Edhe pse e cilëson të rëndë, nuk dëshiron që të zgjatet te kjo temë. “Pastaj komentet e grave, kjo është komplet pjesa më bastarde. Të arrijë në komente grash, unë këto i quaj jashtë etikës pastaj. Nuk dua t’i përgjigjem fare. Por është e rëndë nëse ka ndodhur një gjë e tillë”, përfundoi Sinan Idrizi.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ Rrëfimi tronditës i ish-sulmuesit të Flamurtarit: Troisi më kërkoi para, merrej me gratë e futbollistëve (E PLOTË)

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"