EKSKLUZIVE/ “E prisja një ftesë nga trajneri Silvinjo”, Ernest Muçi: Leva s’është rreziku i vetëm, ja pse Shqipëria ia del në Poloni (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2023 | 19:28

EKSKLUZIVE/ “E prisja një ftesë nga trajneri Silvinjo”, Ernest Muçi: Leva s’është rreziku i vetëm, ja pse Shqipëria ia del në Poloni (E PLOTË)

Nuk mjafton të lu ash në Poloni për të luajtur kundër Polonisë… Dhe nuk është lojë fjalësh, por është historia e Ernest Muçit, djaloshit që po bën mirë me Legian e Varshavës, por Silvinjo e la në… listë pritjeje. “Doja të isha, por do të respektoj zgjedhjet e trajnerit. Ndoshta duhet të bëj më shumë” thotë ekskluzivisht Muçi për “Panorama Sport”. Një driblim me shumë klas, që nuk lë vend për polemika, por qartazi ai është një nga çuditë e listës së debutuesit Silvinjo. Në rrëfimin për gazetën sulmuesi 22-vjeçar thotë se tani është përshtatur mjaft mirë në Poloni dhe se Shqipëria ka shanse të mira që të fitojë sot.

muci

Ernest, a jeni i mërzitur që nuk u thirrët nga Kombëtarja?

Të gjithë duan të luajnë me Kombëtaren, është ëndrra e çdo futbollisti. Por duhet të respektojmë zgjedhjet e trajnerit.

A e prisnit ftesën?

Natyrisht që po. Jo sepse luaj në kampionatin polak dhe duhet të isha doemos në një ndeshje si kjo, por ngaqë kam luajtur rregullisht dhe jam në formë të mirë. Megjithatë, është Silvinjo ai që vendos. Unë thjesht duhet të jap më shumë nga vetja dhe duhet ta bind atë në të ardhmen që të më ftojë në ekip. Mbase nuk është përzgjedhja e trajnerit problemi, mbase jam edhe unë ai që duhet të jap më shumë.

Si e komentuan shokët e ekipit te Legia e Varshavës faktin që nuk u thirrët në Kombëtare?

Disi të befasuar edhe ata, por nuk më ngacmuan shumë, sepse e vunë re që u mërzita (qesh…).

Trajneri i Legias ka thënë pak ditë më parë se “Silvinjo me siguri nuk e ndjek fare kampionatin polak dhe nuk ka informacion për ju që nuk ju ka grumbulluar”. A keni një koment?

Nuk kam asnjë koment. Nuk dua të komentoj trajnerët e mi, as në klub as në Kombëtare.

Si është atmosfera në Poloni pas humbjes që pësuan kundër Çekisë?

Jo edhe aq e mirë, por gjithsesi normale. Nuk e kanë bërë dramë të madhe, por natyrisht që nuk janë më si para Botërorit.

Pse?

Sepse edhe skuadra e tyre ka pësuar shumë ndryshime, por edhe humbja në start nuk i ka ndihmuar që të kenë një atmosferë elektrizuese.

Nëse u bllokon Levandovskin, a shndërrohet Polonia në një skuadër mesatare?

Jo, nuk mendoj kështu. Kanë edhe lojtarë të tjerë të rrezikshëm që luajnë në ekipe të rëndësishme dhe mund të të bëjnë keq. Janë ekip me traditë dhe duhet pasur kujdes.

Por nuk janë të frikshëm si para dy vitesh apo jo?

Po, edhe unë mendoj se nuk janë aq të konsoliduar. Nga aq sa pashë edhe nga ndeshja e fundit. Mendoj se Shqipëria ka shanse reale që të marrë pikë dhe pse jo të fitojë. Edhe ne kemi ekip të mirë dhe me shumë cilësi. Shpresoj shumë që të fitojë Shqipëria.

A do të jeni në stadium sot?

Po, me shumë mundësi po.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"