EKSKLUZIVE/ E kërkon Tirana, Bruno Dita pranë kalimit te Shkëndija e Tetovës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 23:07

EKSKLUZIVE/ E kërkon Tirana, Bruno Dita pranë kalimit te Shkëndija e Tetovës

Bruno Dita pranë Shkëndijës së Tetovës. Burime pranë klubit dhe vetëlojtarit kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se mes palëve këto javë janë zhvilluar disa takime për kalimin e lojtarit të Skënderbeut te skuadra shqiptare e Maqedonisë së Veriut.
bruno dita
Qëllimi është transferimi i mesfushorit te Shkëndija ku trajner është Ernest Gjoka. Me sa është marrë vesh, lojtari dhe drejtuesit e klubit Shkëndija thuhet se në parim kanë rënë dakord dhe marrëveshja mund të mbyllet në fund të kampionatit. Lojtari do të lërë Korçën për Tetovën. Gjithsesi, ndonëse gjithçka konfirmohet të paktën nga një palë, mes Ditës dhe Shkëndijës nuk ka një marrëveshje të shkruar që të zyrtarizohet kalimi i mesfushorit te skuadra e tij e re.

KËRKESAT – Për Bruno Ditën në rresht janë disa skuadra që kërkojnë shërbimet e tij. Prej tri vitesh, është Tirana që kërkon të marrë mesfushorin poliedrik. Te dera është edhe Partizani e Teuta. Të gjithë i kanë ofruar lojtarit një fanellë, por Dita vazhdon të mos vendosë ose më saktë po kërkon kohë që të gjejë shtëpinë e tij të re.

BRUNO, FUNDI – Dita dhe Skënderbeu janë drejt fundit të bashkëpunimit mes tyre. Kjo, si pasojë e përfundimit të kontratës së kapitenit të bardhekuqve. Pavarësisht përfundimit të kontratës, mesfushori kryeqytetas mund të vendosë për zgjatjen e qëndrimit të tij në Korçë vetëm në rast se Skënderbeu siguron të drejtën për të qenë pjesë e Kupave të Europës në sezonin pasardhës. Një gjë të tillë Skënderbeu nuk e arrin dot vetëm sportivisht, por duhet që më parë ta fitojë çështjen në Gjykatën e Lozanës. Veç korçarëve, në Superiore dy ekipet kryeqytetase po zhvillojnë një tjetër derbi në distancë për shërbimet e mesfushorit. Më pas vjen Teuta, por futbollisti nga ana e tij duket se është më i prirë që të zgjedhë Shkëndijën si destinacion të mundshëm, nëse largohet nga Skënderbeu.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"