EKSKLUZIVE/ E kërkoi klubi i Kategorisë së Parë, Migen Memelli vendos për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 14:37


EKSKLUZIVE/ E kërkoi klubi i Kategorisë së Parë, Migen Memelli vendos për të ardhmen

Apolonia nuk po gjen dot trajner. Situatë e paprecedentë për fierakët, që e kanë stolin bosh prej 22 shtatorit. Që kur u largua trajneri Klevis Dalipi, nuk e kanë zëvendësuar dot.

MIGEN MEMELLI

Ekipi është “komanduar” provizorisht prej drejtorit Mariglen Kule dhe përgatitësit Dario Dian, por kjo gjendje duhet të marrë fund. Të paktën këtë duan drejtuesit, paçka se deri më tani janë hasur në refuzim.

Pas Besmir Shabanit, edhe Ivan Gvozdenoviç tha “jo”. I pari ishte i prerë në vendimin e tij, ndërsa të dytin e pengonte kontrata trevjeçare.

Emri i radhës që doli në skenë te bardhejeshilët është Migen Memelli, i saposhkarkuar nga Skënderbeu.

Ky i fundit ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke u dhënë fund zërave që e lidhin drejtpërdrejt me Apoloninë. Pranon se ka pasur një bisedë, ndonëse i ka dhënë pak kohë vetes.

“Po, është e vërtetë që jam kontaktuar nga Apolonia. Më saktë, kam pasur një telefonatë të shkurtër me drejtuesit më të lartë fierakë. Këta të fundit shprehën interesin e tyre për të qenë unë numri një i pankinës.

E kam vlerësuar dhe e vlerësoj shumë skuadrën e Apolonisë, por për momentin do të pushoj. Kjo do të thotë që nuk e kam pranuar ofertën e tyre për të marrë drejtimin e skuadrës fierake.

Dëshiroj më së shumti që kjo periudhë të më shërbejë për të analizuar më mirë dhe më ftohtë gjërat në të ardhmen”, tha trajneri pogradecar.

PËRGATITJET – Paraditja dhe pasditja e djeshme e gjetën Apoloninë në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Edhe pse kushtet e motit kanë qenë të rënduara nga shirat, stërvitja ka vijuar normalisht dhe me ritëm të lartë.

Megjithëse ishin të gjithë në fushë, dy lojtarë nuk kanë punuar me grupin për shkak të lëndimeve të mbartura në javët e fundit. Kështu, mbrojtësi Ersildio Asllanaj dhe portieri Romeo Harizaj u janë nënshtruar programeve të veçanta dhe gjasat janë që të jenë rikuperuar kur të nisë kampionati.

Për fierakët sezoni rinis më herët, më 4 dhjetor. Ata kanë për të luajtur ndeshjen e prapambetur me Apoloninë, e megjithatë para kësaj do të luajnë një miqësore me Egnatian të shtunën.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL