EKSKLUZIVE/ “E kam humbur 10 herë respektin për të”, Cungu i kundërpërgjigjet Idrizit: Flamurtarit karikohet një herë dhe pastaj rri 6 muaj (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 8, 2020 | 23:49


EKSKLUZIVE/ “E kam humbur 10 herë respektin për të”, Cungu i kundërpërgjigjet Idrizit: Flamurtarit karikohet një herë dhe pastaj rri 6 muaj (E PLOTË)

Flamurtari u kujtua të luajë futboll pas 700 javësh”. Ishte kjo deklarata e Armando Cungut që solli shpërthimin e Sinan Idrizit. Administratori i vlonjatëve e përktheu këtë fjali si një kërkesë të hapur për hapje porte, ndaj edhe pret që trajneri i kurbinasve të kërkojë falje publikisht.

Cungu-Idrizi

E megjithatë, shkodrani nuk tërheq asnjë germë nga ajo që tha dhe nuk ngurron që t’i përvishet numrit një të kuqezinjve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai qartëson se nuk është mësuar me ndere.

Ajo batutë për Flamurtarin solli një shpërthim të Idrizit. Ai e quan të turpshme deklaratën tuaj dhe pret që të kërkoni falje…

Nuk më shqetëson fare ajo që thotë zotëria. Unë i qëndroj ende asaj që thashë. Flamurtarin e kam ndjekur gjatë gjithë sezonit dhe në Laç erdhi të bënte ndeshjen e jetës. Ishin tejet të karikuar dhe shumë mirë bënë. Më bëhet qejfi, nuk e them me ironi.

Por, do të kishte qenë më e mira ta bënin nga java e parë e deri ‘ në të fundit. S’e kanë bërë në asnjë ndeshje, madje as në 3 herët e tjera që jemi përballur me njëra-tjetrën. Nuk e bënë me ne, e me askënd. Më pëlqen të luhet ndershëm dhe çdokush të japë maksimumin, si me ne dhe me gjithkënd tjetër. Bëhet futbolli më i bukur e interesant kështu, plus kthehen edhe tifozët. Këta një herë karikohen e 6 muaj të tjerë rrinë.

cungu-lacii
Mendoni se mos kanë marrë premio nga rivalët tuaj?

Këtë nuk e di dhe as më intereson në fakt. Premiot e këtij lloji janë të pranueshme në çdo vend të botës. Nuk është e jashtëligjshme dhe nuk kam asnjë lloj paragjykimi për këtë punë. Por, më lind e drejta të paragjykoj, nëse luan njësoj nga java e parë e deri në fund.
Sinan-Idrizi

Idrizi e ka humbur respektin për ju, ndonëse në të shkuarën ka dashur t’ju marrë te Flamurtari. Si i përgjigjeni?

Mund t’i thoni që edhe Armando Cungu ka pasur respekt për të. Por, nëse ai e ka humbur një herë, unë e kam humbur 10 herë. Për qytetin e Vlorës, ekipin dhe tifozët e saj kurrë. Janë një emër i madh i futbollit. Ai është mendimi i tij, por ta ketë të qartë se nuk ka kërkuar kurrë në jetë Cungu që t’i hapin portën. Nuk ma kanë mësuar as si sportist e as si trajner.

Çdo gjë që e kam fituar e kam me djersë. Dhe këtë ia di për nder Zotit dhe familjes sime. Zotërisë thojini se më vjen keq që aludon dhe e mendon një gjë të tillë. Duhet të kesh kujdes shumë kur flet për emrin tim, kaq do t’i them atij dhe kujtdo. Gjithsesi, i uroj shumë suksese Flamurtarit dhe uroj që vitin tjetër t’i shohim prapë në elitë.

Gara sa vjen edhe ashpërsohet, sa shanse ka Laçi që të kapë zonën “Euro”?

Gara është e fortë. Jemi brenda objektivave, edhe pse janë edhe 4 ndeshje të vështira për ne, duke filluar nga Luftëtari. Të gjithë mendonin se do të ishte e lehtë me Flamurtarin, por rezultoi jashtëzakonisht i vështirë. Kështu do të jetë edhe me Gjirokastrën dhe deri në fund. Nuk është zgjidhur asgjë, ndaj duhet të japim maksimumin që të përligjim sezonin. Jemi afër, po asgjë nuk është e garantuar nëse nuk bëjmë detyrën tonë.
Filip-Gligorov-Suad-Lici-696x454
A është Filip Gligorov në planet e Laçit?

Nuk e di nga dalin lajme të tilla, por mund t’ju konfirmoj se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes. Laçi e ka mbrojtësin e djathtë dhe nuk ka nevojë për një lojtar tjetër në këtë pozicion. Gligorov nuk ka qenë asnjëherë në planet tona.

ADELA MERKO – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com