EKSKLUZIVE/ E dëshirojnë ekipet e Superiores, mesfushori zgjidh kontratën me Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2021 | 14:36

EKSKLUZIVE/ E dëshirojnë ekipet e Superiores, mesfushori zgjidh kontratën me Bylisin

Serxhio Ujka nuk është më pjesë e Bylisit. Mesfushori dje ka zgjidhur zyrtarisht kontratën. Nga sa bëhet e ditur, ai ka paguar për të dalë i lirë.

Ujka

Për Serxhio Ujkën interesohen ekipet e Tiranës, Laçit dhe Egnatias në Kategorinë Superiore, ndaj ka bërë këtë zgjedhje. Lojtari pranon negociatat për “Panorama Sport”, por ende nuk ka vendosur se ku do të vijojë karrierën.

Ballshiotët në këtë merkato janë treguar të kursyer. Si kurrë më parë në këto 14 vite që drejtohen prej Besnik Kapllanajt, kanë sjellë më pak emra në Ballsh.

Deri tani janë vetëm tre lojtarë, Samba i rikthyer nga huazimi si dhe portierët Alban Miftari dhe shtatlarti Memlika që i janë bashkuar grupit.

Pjesa tjetër janë lojtarë të sezonit të shkuar. Ballshiotët kanë qenë në negociata të vazhdueshme, madje me lojtarë që kanë luajtur edhe jashtë, në Bosnjë, Maqedoni e Greqi, por më kot.

Klubi ka qenë në kërkim të një mesfushori dhe një “pyke”, por nuk kanë gjetur dot të duhurit. Strategjia e mallakastriotëve ka qenë e qartë për këtë dritare transferimesh, do të bënin afrime vetëm nëse do të shisnin lojtarë.

Edhe pse ka pasur oferta për Hadrojin, Stojanoviç, Jankun, Prekën apo Antonin, nuk janë bindur. Sakaq, këtë sezon Bylisi nuk do të përfaqësohet në kampionatin U-21.

Është menduar që vëmendja të përqendrohet te moshat, pasi një pjesë e lojtarëve që vjet fituan titullin me “Shpresat”, do t’i përdorin për ekipin e parë.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"