EKSKLUZIVE/ “E çuam gjatë serinë pa fitore ndaj rrogozhinasve”, Hakaj: Boll më, revansh ndaj Egnatias (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2023 | 19:47

EKSKLUZIVE/ “E çuam gjatë serinë pa fitore ndaj rrogozhinasve”, Hakaj: Boll më, revansh ndaj Egnatias (E PLOTË)

Barazimi në momentet e fundit ndaj Egnatias duket se më shumë ka rritur edhe optimizmin në kampin shkodran. Vllaznia, pavarësisht se nuk është në atë lartësi që duhet, sipas mëngjarashit, krijon një volum të madh loje dhe kjo mënyrë loje do të bëjë që të vijë edhe finalizimi. Ai ka besim se të dielën kuqeblutë do të arrijnë të marrin fitoren e parë sezonale ndaj Egnatias duket e kaluar ekipin rrogozhinas në renditje dhe marrë vendin e tretë pas shumë javësh pranë mesit të renditjes.

vxc

Një barazim i mundimshëm në Kupë, por me shumë vlera. Si e vlerësoni?

Kemi vuajtur shumë për të arritur atë barazim. Ishte një gol, që mendoj se ka vlera, jo vetëm sepse na dërgon të barabartë në takimin e kthimit. Gjithashtu, një gol në atë minutë na jep më shumë entuziazëm dhe besim se kemi forca për të bërë më të mirën deri në fund. Ishte një gol dhe një barazim, që na jep shpresë për kualifikimin në takimin e dytë, për të shkuar në finale të Kupës.

Sa shanse keni për kualifikimin në betejën e dytë në Rrogozhinë?

Gjithçka është e hapur për sa i përket kualifikimit. Egnatia është një ekip shumë i mirë, këtë e pamë edhe në këtë ndeshje. Prandaj atje duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të kërkojmë të arrijmë atë që duam. Jam i bindur se kemi forca për të arritur kualifikimin.

Një Vllazni me shumë gabime, çfarë ndodh me këtë skuadër?

Janë ndeshje me shumë presion, ndoshta kjo bën që të gabohet edhe më tepër. Ne kërkojmë që t’i zgjidhim ndeshjet shpejt dhe kur nuk ia arrijmë, atëherë na ndodh të zhbalancohemi dhe të ndëshkohemi. Duhet të tregohemi të kujdesshëm për ndeshjen e kthimit ndaj Egnatias.

Të dielën jeni sërish përballë Egnatias, këtë herë në kampionat. Ka ardhur koha tani për një fitore?

Normalisht që po. Na ka shkuar shumë gjatë madje. Megjithatë, mund të them se duhet të bëjmë kujdes në radhë të parë dhe të mos ngutemi si në përballjen e parë të gjysmëfinales së Kupës. Shpresoj dhe besoj që gjërat të ndryshojnë dhe të dielën të arrijmë një fitore e ta parakalojmë Egnatian në renditje.

Europa është më e arritshme nga kampionati apo nga Kupa?

Unë mendoj se do ta zgjidhim në radhë të parë nga kampionati. Na pret një luftë deri në fund, si nga kampionati, ashtu edhe nga Kupa. Ne duhet të fokusohemi këtu. Të sigurojmë finalen dhe më pas të zbrazim gjithë bateritë në takimet e kampionatit.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"