EKSKLUZIVE/ E akuzoi se kërkonte para për votën, reagon Tatjana Marash: Gjozën e çoj në gjyq për shpifje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2022 | 21:50

EKSKLUZIVE/ E akuzoi se kërkonte para për votën, reagon Tatjana Marash: Gjozën e çoj në gjyq për shpifje

Pas akuzave të rën da të presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me anëtaren e kryesisë drejtuese të Komitetit Olimpik, Tatjana Marashin. Kjo e fundit kërkon që Gjoza t’i vërtetojë ato që thotë, ndërsa thekson se do ta padisë kreun e shtangës në gjykatë për shpifje.

tatjana marashi 1

Sipas Marashit, sjellja e Gjozës i shkon për shtat qëndrimeve që mbaheshin në sistemin komunist: “Nuk dua të ul veten duke u marrë me Elez Gjozën. Ai nëse i ka këto akuza, le t’i paraqesë në organet e drejtësisë apo ku të dëshirojë dhe t’i zgjidhë e t’i vërtetojë.

Në të kundërt do të jem unë që do ta padis këtë njeri për shpifje. Si mund të dalë një njeri i tillë dhe të japë të tilla deklarata?! Vetëm në kohën e Enverit ndodhnin kështu gjërash, ku mblidheshin dy veta dhe dënonin njerëz për politikë sepse nuk i pëlqente sallami i vendit.

Kështu që është turp që të merrem me Elez Gjozën. Çdo njeri ka drejtën të flasë dhe t’i vërtetojë akuzat, në të kundërt ja fut vetes së tij. Unë di që peshëngritja më ka dhënë votën dhe ka qenë mbështetësja ime e fortë.

Si unë ashtu edhe Gjoza lobonim secili për veten e tij në zgjedhjet që u bënë në KOKSH”, deklaron fillimisht Tatjana Marashi, e cila më pas i përgjigjet edhe pretendimeve të Gjozës për lobim antishtangë në Komitetin Olimpik, ndërsa i adreson gjithashtu disa pyetje të drejtpërdrejta kreut të peshëngritjes:

“Unë kohë më parë kam dhënë dorëheqjen nga KE-ja e peshëngritjes, për shkak se lekët e Briken Caljes i rrëmbeu sekretari i mëparshëm i federatës. Mori lekët dhe u zhduk. Pikërisht për këtë gjë unë kam ngritur zërin, pasi ishte një vjedhje.

Kush i tërhoqi me vetëm një firmë 30 milionë lekët nga banka, para të akredituara nga Komiteti Olimpik për Briken Caljen, dhe pse nuk kaluan direkt në llogarinë e sportistit? Pas sa kohësh dhe në çfarë rruge iu dhanë Brikenit këto lekë? Përse i përdori ish-sekretari? Mos vallë i futi në kriptomonedhë apo ishte në borxhe me kumarin? Për këto le të përgjigjet Elez Gjoza. Ishte kjo arsyeja e dorëheqjes sime.

Ky është lobimi im në KE-në e peshëngritjes, ndërsa në kryesinë e Komitetit Olimpik nuk e di se ku e ka parë lobimin tim kundër shtangës. Të gjitha procesverbalet janë të hapura dhe mund të verifikohen lehtësisht, se kush e ka ngritur zërin kundër apo pro çdo lloj sporti elitar, por Gjoza nuk e njeh turpin”, përfundoi replikën e saj shefja e Klubit Shumësportësh Skënderbeu, e cila në prill të vitit të kaluar u votua nga asambleja zgjedhore për një mandat në Komitetin Ekzekutiv të KOKSH-it.

Kështu, ndonëse jemi në ditët e para të 2022-shit atmosfera në Komunitetin Sportiv në vend duket më e nxehtë se kurrë, falë akuzave dhe përplasjeve mes palëve.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ Skandal te shtanga, Gjoza akuzon për korrupsion: Më kërkoi lekë për votën, KOKSH të përjashtojë Marashin

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"